Kërko

 Beato don Shtjefen Kurti, martire della Chiesa albanese Beato don Shtjefen Kurti, martire della Chiesa albanese

Takim me martirët: i Lumi dom Shtjefën Kurti, martir (II )

I Lumi Shtjefën Kurti, kishte njё lidhje tё devotshme e plot pasion me Kishën e me Papën, për çka edhe u dënua e u vra nga regjimi komunist, për dashurinë për popullin e vet e për besnikërinë ndaj Krishtit e Kishës siç, gati-gati, e “pohon” vetë prokurori H. Fuga, kur në fjalën e tij thotë: “I pandehuri Shtjefën Kurti, klerik reaksionar, përfaqësues i ideologjisë fetare… e ka humbur edhe shpresën më të vogël për t’u ndrequr, ka kërkuar të vdesë si përfaqësues i ideologjisë së tij reaksionare”.

R.SH. – Vatikan

Vazhdojmë ciklin radiofonik tё redaksisë shqipe të Radio Vatikanit - Vatican News “Takim me martirët”. Sot nё pjesën e dytё 23-tё  dom Gjovani Kemal Kokona, na njeh nga afër me figurën, shembullin, porosinë dhe lutjen e tё Lumit dom Shtjefёn Kurti (pjesa II)

I Lumi dom Shtjefën Kurti, meshtar i shenjtë kishte njё lidhja tё devotshme e plot pasion me Kishën dhe me Papën, për besnikërinë ndaj të cilëve, praktikisht, edhe u dënua e u vra nga regjimi komunist, për dashurinë për popullin e vet e për besnikërinë ndaj Krishtit e Kishës siç, gati-gati, e “pohon” vetë prokurori Hajredin Fuga, kur në fjalën e tij thotë: “I pandehuri Shtjefën Kurti, klerik reaksionar, përfaqësues i ideologjisë fetare… e ka humbur edhe shpresën më të vogël për t’u ndrequr, ka kërkuar të vdesë si përfaqësues i ideologjisë së tij reaksionare”. Po më tepër ta dëgjojmë dom Gjovanin Kemal Kokona:

Dom Gjovani Kokona, na njeh tё Lumin dom Shtjefёn Kurti (pjesa II).

Vazhdojmë sot këtë pjesë të dytë mbi të Lumin, martirin, dom Shtjefën Kurti nga Ferizaj, ish-famullitar i Novosellës së Epërme, i Zhejës, i Gurëzit dhe i Tiranës. Siç e thamë në emisionin e kaluar, janë të shumta dëshmitë mbi lidhjen e tij me Eukaristinë. Kjo del edhe nga dëshmitë kundër tij në gjyq. Dëshmitarja Dave Biba, e bija e Pjetër Bibës, kundër tij deklaroi: “Ka ushtruar edhe profesionin e tij si prift, duke çuar meshë”. Një tjetër dëshmitare kundër tij, Prena Biba, gruaja e Shkurt Bibës, në shtëpinë e të cilëve kishte qëndruar për më se një vit, deklaron: “Gjatë kohës që ka qenë në shtëpinë time, ka kremtuar meshë fshehurazi”.

Një tjetër aspekt i dom Shtjefnit ishte lidhja e tij e devotshme dhe plot pasion me Kishën dhe me Papën, për besnikërinë ndaj të cilëve, praktikisht, edhe u dënua e u vra. Kjo gjë dëshmohet nga vetë letra që ai i dërgon Papës, në mes të stuhisë komuniste. Dom Shtjefni nuk i kurseu energjitë e veta për t’u kujdesur për besimtarët e vet si një bari i mirë: për të rinjtë, për fëmijët, për të sëmurët. Por regjimi komunist nuk mund të falte një meshtar kaq të rëndësishëm, që binte kaq në sy dhe ishte ndikues, pikërisht në Tiranë. Ai duhej mbajtur si armik i deklaruar i “pushtetit popullor”. E tronditjen e parë ia dhanë kur në Krishtlindjen e vitit 1944 ia ndërprenë energjinë elektrike për Meshën e mesnatës. Ja si ia pasqyron gjendjen kardinalit Sekretar të Shtetit gjashtë muaj pas vendosjes së regjimit komunist: “Gjendja fetare në Shqipëri, dhe, për sa na përket neve në veçanti, në Tiranë, nga dita në ditë bëhet më e errët… Na quajnë armiq të popullit… Me fjalë Qeveria është demokratike, por mjafton që dikush t’i kundërshtojë dhe menjëherë akuzohet si reaksionar, i prapambetur, kundër popullit, dhe… vihet në shënjestër. Shumë pushkatime katolikësh (madje edhe të një prifti) [Dom Lazër Shantoja pushkatuar në mars 1945]”.

Megjithatë dom Shtjefni i palodhur vraponte nga njëra anë në tjetrën duke përballuar çdo lloj keqtrajtimi poshtërues. Më 16 shtator 1946 i shkruan Papës Piu XII: “Jetojmë në një epokë vërtet përndjekjesh të dhunshme. Janë mbyllur seminaret, …duke ndjekur udhëzimet shtypëse të sugjeruara prej rusëve bolshevikë, të rënduara prej urrejtjes satanike të udhëheqësve tanë… Kleri qan vdekjen e dhunshme, pas torturave të përsëritura e të patregueshme, të nëntë meshtarëve, ndërsa vazhdojnë të vuajnë në burgje mizore nëntëmbëdhjetë të tjerë… Kushdo na del në mbrojtje, pas një kohe të shkurtër, vetëm për këtë fakt, futet në burg. Nuk ka asnjë liri: as fjale, as mendimi, as shtypi”.

Në këtë stuhi terrori arrin edhe ora e furtunës për dom Shtjefnin, të dielën e Krishtit Mbret më 27 tetor 1946. Me urdhër të Sigurimit, nga operativi Stavi Xhara, arrestohet së bashku me atë Pjetër Meshkallën me një sërë akuzash të sajuara. Trembëdhjetë ditë pas arrestimit iu mbajt në Tiranë procesi gjyqësor. Gjatë marrjeve në pyetje dhe torturave të tmerrshme, që e bënë copë, reagoi me një ndjenjë të thellë përgjegjësie e dinjiteti. Po ecte po në atë rrugë të dhimbshme që kishte bërë edhe Jezusi Shpëtimtar, dhe kjo i mjaftonte për t’i dhënë siguri. Prokurori ushtarak Petrit Hakani kërkoi dënimin e dom Shtjefnit me 18 vjet burg e punë të detyruar. E që të nesërmen, më 17 prill 1947, vendimi nuk vonoi: u dënua me 20 vjet burg. U dërgua në burgun e tmerrshëm të Burrelit. Kur kujtonte vitet e llahtarshme të kaluara në atë burg, një herë tregoi: “Në burgun e Burrelit shumë herë buka dhe mishi përziheshin me baltë, ndërsa supa e orizit me krimba. Unë isha krenar që jetoja në ato kushte të këqija. Krishti më dha forcë që t’i përballoja ato vështirësi”.

Pas 17 viteve burg, në saje të një amnistie, lirohet më 2 maj 1963. Kishte hyrë në burg 48 vjeç dhe doli prej aty 65 vjeç. Kur u lirua, fizikisht i plakur, por me shpirt gjithmonë bujar e entuziast, u tërhoq në Gurëz. Por edhe pse i “lirë”, martirizimi i tij vazhdonte pareshtur! Pas një viti iu desh të largohej nga banesa e të vëllait, sepse ky i fundit mbahej në vëzhgim. Dëshmitarë tregojnë se edhe i vëllai kishte frikë se mund ta konsideronin bashkëpunëtor dhe, kur e takonte rrugës, kthente kokën nga ana tjetër. E kjo nuk qe një vuajtje e lehtë për dom Shtjefnin. Ordinari i Selisë vakante të Durrësit e emëroi famullitar në Jubë. Por atë të diel që shkoi atje për të marrë në dorëzim famullinë, populli, edhe pse i njoftuar, nuk u paraqit në Kishë, sigurisht edhe nga frika e represionit shtetëror. Pas dy orë pritjeje, ai dhe dom Palë Gjini u detyruan të largohen. Por më e keqja ndodhi pak më vonë, kur më 1967 Shqipëria u shpall ateiste. Dom Shtjefni u bë një qytetar i zakonshëm që i duhej të punonte në kooperativë, ku paga me zor i dilte të blinte pak bukë thatë e asgjë më tepër. Por në zemër nuk ishte shuar shpresa e tij. Siç i pati thënë Luigj Vatës, “Kisha do të hapet dhe biles feja e Krishtit do të triumfojë më shumë e më mirë”.

Por edhe pse në moshë e i lodhur, regjimi sadist nuk është i kënaqur e më 11 qershor 1970 do ta arrestojë përsëri duke e nxjerrë në gjyq para popullit të Gurëzit, pikërisht tek ajo kishë që ai kishte ndërtuar. Gjatë gjyqit ai vetë nuk akuzon askënd, madje as ata që më parë i ka pasur miq dhe tani e akuzojnë, sigurisht, për të shpëtuar… të paktën kokën. Më 31 korrik 1971 do të dënohet me vdekje me pushkatim, për dashurinë për popullin e vet e për besnikërinë ndaj Krishtit e Kishës siç, gati-gati, e “pohon” vetë prokurori Hajredin Fuga, kur në fjalën e tij thotë: “I pandehuri Shtjefën Kurti, klerik reaksionar, përfaqësues i ideologjisë fetare… e ka humbur edhe shpresën më të vogël për t’u ndrequr, ka kërkuar të vdesë si përfaqësues i ideologjisë së tij reaksionare”.

Vendimi, i aprovuar nga Gjykata e Lartë, do të zbatohet më 20 tetor 1971, sipas disave, afër lumit të Tiranës, por pa e ditur se ku. Duke qenë se një nga arsyet e arrestimit dhe të dënimit, edhe pse e pa thënë publikisht në gjyq, qe një pagëzim që ai bëri fshehtas, lajmi i pushkatimit mori dhenë e shumë gazeta nëpër botë shkruan në lidhje me dom Shtjefnin, duke e konsideruar një martir të vërtetë të Krishtit. Lumi i përpiu eshtrat, por nuk arriti të zhdukte kujtimin e heroizmit të tij. Nuk i mjaftoi të përndiqej nga serbët në Kosovë, por u përndoq edhe në Shqipëri nga vëllezërit e serbëve në ideologji e jo vetëm, nga komunistët. Duhej të bëhej 73 vjeç për ta derdhur gjakun e vet për Krishtin, të cilit ia kishte kushtuar krejt jetën e vet me shugurimin meshtarak dhe për shërbimin e bërë me përkushtim e pasion apostolik ndaj popullit të shpëtuar prej Gjakut të Paçmueshëm të Shëlbuesit Hyjnor.

Lutja për Kanonizimin si dhe për të kërkuar hire të nevojshme

Trini e Shenjtë,

Atë e Bir e Shpirt Shenjt,

Ty të qofshin lavdi, ndera e bekimi,

që ia ke dhuruar Kishës së shenjtë

të Lumin Shtjefën Kurti, meshtar

si model besnikërie ndaj Krishtit

dhe dashurie të pakushtëzuar ndaj vëllezërve.

Të lutemi me përvujtëri:

ashtu si u denjove ta lumnosh në Qiell,

denjohu ta lavdërosh edhe këtu mbi tokë

duke na dhënë hirin që aq shumë e dëshirojmë

e që, me ndërmjetësinë e tij, me besim të kërkojmë

(në këtë moment shprehet kërkesa).

Besojmë në Ty, o Zot. Ardhtë Mbretëria jote! Amen.

Ati ynë. Të falemi Mari. Lavdi Atit …

17 tetor 2021, 07:48