Kishat evropiane bëjnë thirrje për vaksinim kundër Covid-19
R.SH. - Vatikan
Kardinali Jean-Claude Hollerich, kryetar i Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (COMECE) dhe rev. Christian Krieger, kryetar i Konferencës së Kishave Evropiane (CEC), bëjnë sot një thirrje të përbashkët, me të cilën kërkojnë përgjegjësi dhe kujdes në këtë kohë pandemie. Duke kujtuar se, sipas raporteve të fundit evropiane, numri i të infektuarve me Covid-19 është në rritje, kryetarët e Comece-së dhe të Cec “i inkurajojnë të gjithë të respektojnë masat e nevojshme shëndetësore dhe të vaksinohen”. “Në disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian – thuhet në deklaratën e përbashkët – numri i atyre, që i janë nënshtruar vaksinimit të plotë, për fat të keq, mbetet ende nën pragun e nevojshëm për të frenuar përhapjen e virusit”.
Vaksinimi, thuhet në deklaratë, është “aktualisht, mënyra më e frytshme për të luftuar pandeminë dhe për të shpëtuar jetë”: vaksinimi mbron “jo vetëm ne, por edhe vëllezërit dhe motrat tona, veçanërisht ata që janë më të ligshtë ndërmjet nesh”. Prandaj, ai është “një akt dashurie dhe kujdesi, si edhe akt përgjegjësie dhe drejtësie shoqërore”.
Akoma përhapen lajme të rreme
Në tekst pranohet se “vendimi për t’u vaksinuar mund të mos jetë i lehtë dhe arsyet për hezitim mund të jenë të shumta”. Ato shkojnë nga kushtet e rënda shëndetësore, tek dyshimi për efektet e vaksinës. Nxiten nxehtësisht të gjithë t’u drejtohen mjekëve, ekspertëve dhe autoriteteve kompetente për të sqaruar të gjitha shqetësimet. Për fat të keq, vërejnë krerët e Kishave të krishtera në Evropë, jemi dëshmitarë të “përhapjes së informacioneve të rreme dhe të pretendimeve të pabaza”, që e “shfrytëzojnë pandeminë, duke shkaktuar frikë dhe përçarje”. Kjo ndodh në një kohë kur kemi nevojë për “kohesion, bashkim dhe solidaritet”. “U bëjmë thirrje të fuqishme të gjithë atyre, që kanë përgjegjësi në shoqëri, përfshirë përfaqësuesve politikë dhe komunikatorëve, si dhe anëtarëve të Kishave tona, që të luftojnë çdo përpjekje për çinformim”, shkruajnë krerët e Comece-së dhe të Cec.
Të sigurohen vaksina për të gjithë
Në deklaratën e përbashkët, i kërkohet “gjithë shoqërisë civile të sensibilizojë dhe të nxisë qytetarët të ndërmarrin veprime të përgjegjshme për të mbrojtur veten dhe të tjerët, veçanërisht ata, që nuk mund të vaksinohen, për arsye shëndetësore apo të tjera”. Gjithashtu përsëritet thirrja për Bashkimin Evropian dhe shtetet e tij anëtare që të respektojnë “impenjimet për ndarjen e vaksinave dhe të intensifikojnë përpjekjet globale për të siguruar vaksina kundër Covid-19 për të gjithë, madje, edhe për rajonet me sisteme shëndetësore më të brishta”.
Në atmosferën e përgatitjeve për kremtimin e Krishtlindjes, krerët e Comece-së dhe të Cec kujtojnë së fundi, se “Zoti dërgoi Birin e Tij mbi tokë për të shprehur dashurinë dhe kujdesin e Tij për ne”. Ky lajm i mirë “mbetet tejet i rëndësishëm, edhe sot. Le të japim një dëshmi të gjallë për të, le të tregojmë përgjegjësi dhe kujdes”.