Kërko

 Mons Rrok Gjonlleshaj, arcivescovo di Tivar (Bar) Montenegro Mons Rrok Gjonlleshaj, arcivescovo di Tivar (Bar) Montenegro

Mesazhi i urimit të Imzot Rrok Gjonlleshaj për Krishtlindjen

Zoti ka lindur për ne! Kjo është arsyeja pse zemrat tona, në Krishtlindje janë plot gëzim; kjo është arsyeja pse sytë tanë shkëlqejnë me një shkëlqim të veçantë.

R.SH. - Vatikan

Mesazhi i kryeipeshkvit tё Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj pёr Krishtlindjen 2021

Mesazhi i kryeipeshkvit tё Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj pёr Krishtlindjen 2021

Krishtlindja 2021

Engjëlli i qiellit u shpalli barinjve, por sonte na e shpall të gjithëve: "Mos kini frikë! Ja, unë po ju sjell një lajm të mire: gëzim të madh për mbarë popullin! Sot, në qytetin e Davidit, ju lindi Shëlbuesi – Krishti Zot!“ Ai ka lindur për ne! Kjo është arsyeja pse zemrat tona, në këtë natë dhe në këto ditë janë plot gëzim; kjo është arsyeja pse sytë tanë shkëlqejnë me një shkëlqim të veçantë. Po e ndiejmë dashurinë, afërsinë dhe hirin e Hyjit. E gjithë këtë na e jep kjo Natë e shenjtë dhe Mesha e Shenjtë, me të cilën duam të falënderojmë Hyjin për këtë dhuratë të madhe — për Krishtin. Cili është themeli i haresë dhe i gëzimit tonë? Profeti thotë: "Sepse na lindi një foshnje, fituam një djslë. Për emër do të quhet: «Këshilltar i mrekullueshëm, Hyji i fortë, Atë i amshueshëm, Princ i Paqes»

  Ai fëmijë është Krishti Zoti. Ky është lajmi i gëzueshëm i fesë tonë. Njeriu vet, më përpjekje vetanake nuk është një gjendje të dal nga pafuqia e tij, nga dobësitë e tija, nga mëkatet e tija. Për atë, Hyji na dërgon Birin e vet, gjithë dashurinë dhe butësinë e vet. Kjo Foshnje, në të vërtetë, është ai mbi supet e të cilit është fuqia dhe pushteti, e në të njëjtën kohë ai lind si fëmijë i vogël dhe i varfër. Aj ju dëftohet barinjve, të cilët, ashtu si ai janë të vegjël dhe të varfër. Asgjë nuk posedonin, por mbijetonin duke e ruajtur grigjen e huaj. I kanë konsideruar si të fundit, më të fundit. Dhe ja! Bash ata i ka shëndritë drita e mrekullueshme e qiellit, bash atyre Engjëlli ju lajmëron harenë dhe gëzimin e madh – sepse për ta ka lind Shëlbuesi, i cili i jep kuptim jetës ë tyre të vështirë e të mundimshme. Lindi Shëlbuesi i cili do të na dëshmoj se nëpër dorëzim dhe kryq arrihet gjer të amshimi, të jeta e drejtë dhe e plotë. Sepse, ata që në sytë e njerëzve janë të vegjel dhe të përbuzur, janë të mëdhenj në sytë e Zotit.

Prandaj, mos të kemi frikë nga dobësitë, vogëlsia dhe papërsosmëritë tona. Për ne lindi Biri i Hyjit. Kjo është shpresa jonë, vëllezër dhe motra.

Po flasim shumë për krizën dhe recesionin. Ka shumë zëra - edhe në Kishë - se shoqëria jonë nuk po shkon në drejtimin e duhur, se si vlerat janë përmbysur, se e gjithë civilizimi perëndimor po shkon drejt fundit të saj të pashueshëm. Në të njëjtën kohë secili prej nesh i kemi dilemat tona personale dhe familjare, telashet dhe vështirësitë... Dhe ja, Zoti na flet nëpërmjet Profetit: "Populli që ecte në errësirë pa një dritë të madhe!“ Ndoshta jemi larguar nga Zoti dhe nga vlerat e vërteta njerëzore e shpirtrore. Ndoshta nëpërmjet fajit tonë jemi zhytur edhe në errësirën e mëkatit, të pashpresës, çmendurisë dhe garës për kënaqësi, konsume dhe fitime të shpejta. Ndoshta me të vërtetë i kthyem shpinën Zotit dhe fesë tonë. Por këtu, sonte, ne të gjithëve po na ndriçon drita e Zotit! Për atë, sonte na këshillon dhe na nxit fjala e Apostullit (Titit 2:11-14): „U duk hiri i Hyjit që u sjell shëlbimin të gjithë njerëzve. Ai na mësoi t'i biem mohit pabesimit dhe dëshirave të shekullit për të jetuar në këtë botë urtisht, drejtësisht dhe përshpirtërisht, duke pritur shpresen e lume dhe Ardhjen e lavdisë të të madhit Hyj dhe Shëlbuesit tonë, Jezu Krishtit“. Ja pra, hiri i Zotit na fton që, në të ardhmen të mbetemi bij e bija të dritës së Hyjit.

Të dashur besimtarë, Jezui lindi në një kohë të trazuar. Mesazhi engjëllorë i paqes i qorton pushtetarët dhe autoritetet e kësaj bote që nuk duan paqe. Skena e shpelles së betlehemit simbolizon vendin e paqes. Çdo njeri guxon të marrë në duart e tija dhuratën qiellore: Jezusin Foshnje. Ai është themeli i shpresës dhe i paqes.

Për të krishterët, paqja është dhuratë e Hyjit, por kjo dhuratë nuk bie nga qielli. Paqja ka çmimin e vetë. Duhet dashur paqen, duhet pranuar paqen, duhet zgjedhur paqen, duhet të angazhohemi për paqen. Për këtë, frymëzim i përhershëm na është Jezusi paqedashës.

Vetëm ata që ndërtojnë paqen, e lavderojnë Hyjin. Paqja ndërtohet pa emocion, me dialog dhe argumente. Nëse duam të jemi paqedashës, është e domosdoshme të respektojmë çdo qenie njerëzore. Është  lehtë të rrënojmë, por është  vështirë të ndërtojmë. Më të tjerët duhet të zhvillojmë biseda të qeta, të sinqerta dhe te hapura. Nëse të tjerët i shohim si të barabartë, nuk do të biem në tundim të ngrihemi mbi ta. Sot, të gjitha fetë flasin për dialogun, kur në fakt drejtojnë një monolog. Gjithkush mburret se është i hapur për dialog, por dialogojnë vetëm brenda komuniteteve të tyre, tjetrin që është ndryshe nga ata, nuk e duanë afër. Dëgjojmë vetëm lavdërime për tolerancë, e në praktikë nuk ka asgjë nga kjo.

Kur njeriu lirohet nga prangat e mëkatit, kur pushon ta drejtoi jetën e vetë vetëm drejt fitimit, kënaqësisë, konkurrencës, mosrespektit i të të afërmit, kur njeriu, me ndihmën e Hyjit, në shpirtin e vetë lirohet nga ky tundim e nga kjo e keqe - sa lehtësim do të ndjejë, sa gëzim do të ketë. Ai është ai që përfundimisht do të ketë mëshirë dhe do t'i përmbushë ditët tona me paqen dhe gëzimin e tij.

Për atë, sonte, nesër dhe çdo ditë, le të na mbush paqja e Hyjit dhe gëzimi i Hyjit. Ta pranojmë Jezusin Foshnje në zemrat tona që gëzimi i kësaj Nate të Shenjtë  të mbetet me ne, dhe të kuptojmë se çfarë do të thotë kur Hyji thotë: "Ja, unë krijoj çdo gjë të re dhe ju jap një zemër të re!"

Paqja dhe gëzimi i Hyjit qofshin me ne, që të jemi të gjithë lajmëtarët e dashurisë së Hyjit në botë! Për shumë mote Krishtlindja!

+ Rrok Gjonlleshaj

24 dhjetor 2021, 15:29