Kërko

Çelësi i fjalëve të Kishës: Ukraina dhe përplasja e qytetërimeve

Koha do ta tregojë nëse thirrjet e fundit të Papës Françesku - i cili duket i vetmi lider botëror që nuk mendon se kush do të fitojë, prandaj, nuk e do luftën si të tillë – e, edhe lutja e Jezu Krishtit “që të gjithë të jenë një”, do t’i nxisin të krishterët, nga më i vogli tek politikani më i fuqishëm, të luten e të punojnë së bashku për një Rend të Ri Botëror pa konflikte me armë. Duket synim, për të cilin mund të jenë të gjithë dakord, cilitdo qytetërimi t’i përkasin

R.SH. – Vatikan

Edhe një herë, të mërkurën, gjatë audiencës së përgjithshme, Papa Françesku e ngriti zërin kundër luftës në Ukrainë, por vuri në dukje edhe paaftësinë e Kombeve të Bashkuara për t’i bërë armët të heshtin. Nuk mund të mos bjerë në sy fakti se kjo luftë shihet në dy mënyra të ndryshme: nga njëra anë, Perëndimi me demokracinë e rregullat e saj e, nga ana tjetër, putinianët e gjithë botës, për të cilët normat demokratike janë të sakrifikueshme në altarin e nacionalizmit e të interesave të tyre.

Perëndimi mendon se Rusia i ka bërë gabim llogaritë në luftën kundër Ukrainës, duke mos arritur ta fitojë atë shpejt, por kush na siguron se kjo është e vërtetë? Në mendësinë putiniane, ndoshta, jetët e ushtarëve dërguar në front si mish për top dhe ajo e vetë ukrainasve nuk vlejnë aq sa synimet cariste për Rusinë e Madhe. E prapë, në këtë arsyetim, është tejet e thjeshtë ta veshësh kriminelin e radhës me të gjitha përgjegjësitë për luftën, duke i lejuar Perëndimit të lajë duart, tashmë, të ndotura me gjakun e sirianëve, të irakianëve, të libianëve dhe të shumë të tjerëve, që ashtu si ukrainasit sot, gjenden në mesin e lojës së rrezikshme të superfuqive. Historia dëshmoi se i ashtuquajturi “eksportim i demokracisë” nuk i detyron popujt të ndjekin modelin perëndimor. Këto janë arsyet, që këto ditë, i bënë të flasin analistët për “përplasje ndërmjet qytetërimeve”.

Poshtë arsyeja, rroftë lufta

“Mos qaj, mos qesh, mos dëno, kupto”, shpjegonte Spinoza, filozof holandez, një nga eksponentët më të shquar të racionalizmit të shekullit XVII, pararendës i iluminizmit dhe i ekzegjezës moderne biblike. Gjë, që i zhvlerëson menjëherë mendimet e kujt është i vendosur të bërtasë në të katër anët përgjigjet e tij për këtë situatë, në vend që të bëjë nën zë pyetje të arsyeshme. Por gjumi i arsyes prodhon përbindësha.

“Përplasja e qytetërimeve”

Për të pasur një kuadër më të qartë, le t’i referohemi librit të njohur të Samuel Huntington, “Përplasja e qytetërimeve”. Pas rënies së Murit të Berlinit, ai uronte lindjen e një Rendi të Ri Botëror, që do të rregullonte marrëdhëniet ndërmjet 9 qytetërimeve të ndryshme të botës, të ndara mbi bazën e kulturës dhe të fesë. Më i madhi prej tyre, sipas Huntington, është qytetërimi perëndimor, i cili, në zonën euromesdhetare, i kundërvihet atij ortodoks e atij islamik. Këto dy të fundit janë pengesë për globalizimin, pasi kanë identitet të mirëpërcaktuar. Por një identitet të tillë ka edhe katolicizmi, të cilin Huntington e merr parasysh së bashku me protestantizmin, për të përvijuar kuadrin e “botës perëndimore”.

Gjeopolitika për ta ndarë Rusinë nga Evropa

Duke iu referuar konfliktit ukrainas, këto ndryshime disi “arbitrare” ndërmjet botës perëndimore dhe asaj ortodokse janë acaruar aq sa të shkojnë deri në përplasje të hapur, për arsye që s’kanë të bëjnë me interesat lokale, por me vullnetin aspak të fshehur amerikan për ta ndarë Rusinë nga Evropa, pavarësisht nëse është komuniste a jo.

Lidhja ndërmjet Evropës e Azisë (mbi të cilën shtrihet Rusia) do të krijonte një realitet kontinental, që do t’i cënonte fuqitë anglosaksone si SHBA-të, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Australia dhe Zelanda e Re, të lidhura ndërmjet tyre me një aleancë faktike (five eyes community). Në këtë lloj ndeshjeje, as Patrikanat ortodokse nuk luajnë rol pajtues: Kievi nxjerr në pah arsyet historike të konfliktit ukrainas kundër Rusisë, ndërsa Moska “qet e bërtet” kundër vlerave perëndimore ukrainase, që nuk i konsideron aspak vlera. Mjafton të lexohen fjalët e fundit të Patrikut ortodoks Kirill për të kuptuar këtë lloj “divorci” ndërmjet Perëndimit e Lindjes. Edhe për shkëputjen e Kishës Ortodokse ukrainase nga Patrikana e Moskës, natyrisht, fajin e kanë perëndimorët, me në krye amerikanët.

Vizioni carist i presidentit Putin

Po a është vërtet kjo, përplasje ndërmjet dy qytetërimeve, atij perëndimor e atij ruso-ortodoks, ashtu siç e përkufizonte Samuel Huntington, këshilltar i presidentit amerikan Jimmy Carter? Në të vërtetë, studiuesit (francezi Olivier Roy, për shembull) vërejnë se ndërhyrja ushtarake në Ukrainë nuk ka të bëjë aq me përplasjen ndërmjet qytetërimeve, sa me vizionin carist të presidentit rus Putin, i cili nuk po vë në jetë ndonjë strategji të bazuar mbi fenë. Madje, gjatë presidencës së tij, ai ka sulmuar katër vende të krishtera e ortodokse, pa pyetur për faktin se feja e tyre është e njëjtë me atë të rusëve.

Prandaj, përplasja që po krijon nuk është e llojit të përshkruar nga Huntington, por pa dyshim po i vë ballë për ballë dy pjesë të botës, duke e ndarë atë edhe një herë me një perde jo dhe aq të padukshme, pas së cilës fshihet rreziku i një lufte bërthamore. E po vazhdon të krijojë përçarje në botën ortodokse e për rrjedhojë, edhe në atë të krishterë në përgjithësi. Koha do ta tregojë nëse thirrjet e fundit të Papës Françesku - i cili duket i vetmi lider botëror që nuk mendon se kush do të fitojë, prandaj, nuk e do luftën si të tillë – e, edhe lutja e Jezu Krishtit “që të gjithë të jenë një”, do t’i nxisin të krishterët, nga më i vogli tek politikani më i fuqishëm, të luten e të punojnë së bashku për një Rend të Ri Botëror pa konflikte me armë. Duket synim, për të cilin mund të jenë të gjithë dakord, cilitdo qytetërimi t’i përkasin.

07 prill 2022, 08:50