Santissima Trinità Santissima Trinità

Çelësi i fjalëve të Kishës: Trinia Shenjte

Të dielën që vjen Kisha Katolike kremton festën e Trinisë Shenjte. Të gjithë e dimë se Trinia Shenjte përbëhet nga tri Vetje, Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt, por ku e ka origjinën termi e ç’kuptim ka për të krishterët?

R.SH. - Vatikan

Fjala “Trini” nuk ndodhet në Besëlidhjen e Re e nuk është e mundur të gjejmë në faqet e saj, atë teologji trinitare të ndërlikuar e të thelluar, që u zhvillua sidomos në shekujt IV-V e më vonë. Por, ajo e ka rrënjën pikërisht në shkrimet e Besëlidhjes së Re, ku përvijohen marrëdhëniet, që lidhin ndërmjet tyre Atin, Birin e Shpirtin Shenjt. Në planin gjuhësor, kujtojmë se Zoti Atë shpesh thirret “ho Théos”, pra Hyj i mirëfilltë, Jezu Krishti quhet Biri i Hyjit, ose edhe “Kyrios”, “Zot”, ndërsa Shpirti Shenjt përcaktohet edhe si “Paràclito”, ose “mbrojtësi/ngushëlluesi”.

Trinia Shenjte është në bazën e pagëzimit të krishterë, në frazën që thotë Krishti gjatë dukjes së Tij të fundit pas ringjalljes, përshkruar në Ungjillin sipas Mateut. Jezusi u thotë dishepujve të “pagëzojnë në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt” (28,19). Duket qartë se në këto fjalë pasqyrohet një besim më i lashtë në Trininë Shenjte nga ana e Kishës. Shën Pali Apostull përvijon një teologji të vetën mbi Trininë Shenjte, kur, për shembull, thotë se dhuratat e dikuara mbi bashkësitë e krishtera janë si të Shpirtit, si të Krishtit, ashtu edhe të Atit, kuptuar si tri Vetje në një, pavarësisht nga ndryshimet: “Dhuratat janë të ndryshme, por Shpirti Shenjt është i njëjtë – edhe shërbesat në përhapje të Ungjillit janë të ndryshme, por Zoti është i njëjtë – po edhe mënyrat e veprimit janë të ndryshme, por Hyji është i njëjtë – Ai bën gjithçka në të gjithë” (1 Kor 12,4-6).

Bashkimi ndërmjet besimtarëve, pavarësisht nga shumëllojshmëria e tyre, modelohet dhe e ka bazën në unitetin trinitar: “Një Trup i vetëm, një Shpirt i vetëm, një shpresë e vetme…Një Zot, një fe, një pagëzim, një Hyj i vetëm, Ati i të gjithëve” e më parë Shën Pali i referohet “njësisë së Shpirtit” (Ef 4,3-6). Edhe sot e kësaj dite, në fillim të kremtimit eukaristik, shkëmbejmë përshëndetjen me të cilën Shën Pali mbyll Letrën e tij të dytë drejtuar Korintianëve: “Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit, dashuria e Hyjit dhe bashkimi me Shpirtin Shenjt, qoftë me ju të gjithë” (13,13). Të shumta janë pjesët ku flitet për “Shpirtin e shenjtërimit”, për “Jezu Krishtin Zotin tonë” dhe për “Hyjin, Ati ynë” (Rom 1,4-7; shih edhe 15,16-17; 15,30; 1 Kor 2,10-16; Gal 4,6; Ef 1,3-14; 2,18-22; Tim3,4-6 e kështu me radhë).

Edhe Shën Pjetri e hap Letrën e tij të parë me fjalë, që i referohen Trinisë Shenjte, kur shkruan: “në saje të Provanisë së Hyjit Atë me shenjtërimin e Shpirtit Shenjt, për të dëgjuar Jezu Krishtin…” (1,2). Pastaj, Shën Gjoni Apostull, në Letrën e tij të parë, na jep një tekst, që është i bërë i famshëm në traditën e krishterë. Në atë pjesë flitet për “Jezusin, Biri i Zotit” dhe për Shpirtin Shenjt që e dëshmon; pastaj lexohet: “Tre janë ata që dëshmojnë: Shpirti Shenjt, uji dhe gjaku. Këta të tre bëjnë një dëshmi të vetme” (5,7-8).

Përkthimi i lashtë latin i shën Jeronimit, përdorur me shekuj në liturgji, na ofronte një tekst të ndryshëm, me karakter të qartë trinitar, që njihet si “paragrafi jeronimian”. Megjithëse nuk i përgjigjet origjinalit, shpreh qartë fenë e Kishës në shekujt e parë. Nga Shkrimet e Shenjta, ajo pati nxjerrë dhe riformuluar teologjinë e saj trinitare: “Tre janë ata që dëshmojnë në qiell – thotë shën Jeronimi – Ati, Fjala e Shpirti Shenjt e këta të tre janë një. E tre janë ata që dëshmojnë në tokë: Shpirti, uji dhe gjaku e këta të tre bëjnë një dëshmi të vetme”.

Mbetet gjithnjë mister pse Zoti është një dhe tre njëkohësisht. Tregohet se një ditë, Shën Agustini, dijetar i madh i Kishës, ishte shumë i mërzitur, sepse nuk arrinte ta kuptonte misterin e Trinisë Shenjte. Ndërsa mendonte këto gjëra dhe ecte buzë detit, sheh një fëmijë, që bënte diçka shumë të çuditshme: kishte hapur një vrimë në rërë dhe me një lugë, shkonte në det, e mbushte me ujë dhe e derdhte në vrimë.

E kështu, vazhdimisht. Shenjti i afrohet e me delikatesë e pyet: “Ç’po bën?” E djali: “Dua të derdh gjithë ujin e detit në këtë vrimë”. Pasi dëgjoi këtë, shën Agustini i tha: “E admiroj dëshirën për ta mbledhur në një vend krejt detin. Por si mund t’ia arrish kësaj? Deti është pa fund, ndërsa vrima është e vogël. E pastaj, me këtë lugë…nuk mjafton gjithë jeta”. E djali, që ishte një engjëll i dërguar nga Zoti, iu përgjigj: “E ti si mund të pretendosh ta mbash në atë kokën tënde të vogël misterin e pafundmë të Zotit?”. Shën Agustini e kuptoi se Zoti është mister i madh. E kuptoi edhe se Ati, Biri e Shpirti Shenjt ishin kaq shumë të mbushur me dashuri, sa të donin pa dyshim të qëndronin bashkë.

09 qershor 2022, 10:31