Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, udhëzuesi vjen nga Minesota
R.SH. – Vatikan
Minesota, ku ndodhi ekzekutimi më i madh masiv i amerikanëve autoktonë. Minesota, që është shteti amerikan ku çështja racore ndihet ende fuqishëm. Minesota, ku më 25 maj 2020, u vra George Floyd nga polici Derek Chauvin, polici i parë amerikan i paditur për vrasjen e një zezaku. Por edhe Minesota, ku kishat e krishtera reflektojnë së bashku, shkojnë në rrënjët e atij racizmi të fshehur, pranojnë përgjegjësinë e tyre dhe hartojnë një propozim për Javën e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve, frymëzuar nga uji dhe guri, që fillon me himnin, të cilin e kënduan ata 38 amerikanë, quajtur lëkurëkuq, para ekzekutimit të tyre masiv.
Java e Lutjes për Bashkimin e të Krishterëve 2023 ka si temë një fragment nga Isaia profet: “Mësoni të bëni mirë; kërkoni drejtësi”. Tekstet udhëzuese të saj lindën nga një projekt i Këshillit të Kishave të Minesotës, pas vrasjes së George Floyd. Në një notë të Këshillit Papnor për Nxitjen e Bashkimit të të Kirshterëve pohohet se ndërsa “bashkësitë e krishtera të Minesotës po përpiqeshin të gjenin përgjigjen për ankthin e këtyre ngjarjeve, kuptuan bashkëfajësinë e tyre”.
E më tej: “Kisha është thirrur të jetë shenjë dhe mjet i unitetit, që Zoti dëshiron për të gjithë krijimin e tij, por ndarja ndërmjet të krishterëve e dobëson frytshmërinë e tij. Të krishterët duhet të pendohen për ndarjet e tyre dhe të punojnë së bashku për të qenë burim pajtimi dhe bashkimi në botë”.
Pjesa nga Isaia u zgjodh edhe sepse profeti flet në një çast të historisë së Izraelit, kur mendohej se të pasurit, me ofertat e tyre për Zotin, ishin të bekuar, ndërsa të varfërit konsideroheshin të mallkuar. Në këtë kuadër, shkruhet në udhëzues, "Isaia përpiqet t’ia zgjojë ndërgjegjen popullit të Judesë” dhe profecitë e tij "dënojnë strukturat politike, shoqërore e fetare, siedhe hipokrizinë e ofertës së flive, ndërsa, nga ana tjetër, shtypeshin të varfërit”. Isaia e ngre lart zërin "kundër krerëve të korruptuar e në favor të të mënnjanuarve, duke i kërkuar rrënjët e drejtësisë e të ligjit vetëm tek Zoti".
Që këtej, reflektimi se "të krishterët janë përfshirë tepër shpesh në strukturat e mëkatit si skllavëria, kolonizimi, segregacioni dhe aparteidi, të cilat i kanë privuar të tjerët nga dinjiteti mbi bazën e rreme të racës". E kjo ka ndodhur edhe ndërmjet Kishave, pasi "të krishterët nuk kanë arritur t’u njohin dinjitetin të gjithë të pagëzuarve, pa përjashtim, dhe ua kanë mohuar dinjitetin vëllezërve dhe motrave të tyre në Krishtin, mbi bazën e dallimit racor". Me bindjen se nuk ka bashkim pa drejtësi, në udhëzues nënvizohet impenjimi për t’u penduar e për të mos i përsëritur më këto mëkate.