Kërko

SHBA- aborti SHBA- aborti 

SHBA, Gjykata e Lartë shfuqizoi legalizimin e abortit. Ipeshkvijtë: ditë historike

Gjykatësit shfuqizojnë Roe v. Wade, ligjin me të cilin në vitin 1973 e njëjta gjykatë pati legalizuar ndërprerjen e shtatzënësisë në të gjithë vendin. Shtetet e veçanta tani janë të lira të zbatojnë ligjet e tyre për këtë problem tejet të mprehtë. Usccb përshëndet vendimin: “Për gati 50 vjet, Amerika zbatoi një ligj të padrejtë”. Akademia Papnore për Jetën: “Zhvilloni zgjedhje politike në favor të jetës, pa rënë në pozicione ideologjike”.

Në mes të një opinioni publik me pikëpamje të ndryshme politike e shoqërore, ndërsa ipeshkvijtë flasin për një “ditë historike” dhe Selia e Shenjtë për një vendim “që sfidon botën”, Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara shfuqizoi Roe v. Wade me të cilin, në vitin 1973, e njëjta gjykatë kishte legalizuar abortin në SHBA. Prandaj tani shtetet e ndryshme do të jenë të lira të zbatojnë ligjet e tyre për këtë çështje. “Kushtetuta nuk  e jep të drejtën e abortit”, thuhet në vendimin prej 213 faqesh, të formuluar nga një gjykatë me 6 vota pro dhe 3 kundër, ku nënvizohet se “Aborti është problem i thellë moral”.

Vendimi u mor në rastin “Dobbs v. Jackson Women's Health Organization”. Gjyqtarët mbështetën ligjin e Misisipit, që ndalon ndërprerjen e shtatzanisë pas 15 javësh. E vetmja klinikë e mbetur në shtet, që pranonte abortin, u apelua.

Nga pesëdhjetë shtete, 26 (përfshirë Teksasin dhe Oklahoma) kanë ligje më kufizuese për këtë çështje. Nëntë kanë kufizime të abortit që i paraprijnë “Roe v. Wade” të pazbatuara ende, por që tani mund të hyjnë në fuqi, ndërsa 13 kanë të ashtuquajturat “ndalime të fjetura” të cilat duhet të hyjnë në fuqi menjëherë. Këto janë shtete republikane që  miratuan ligje të rrepta kundër abortit, duke i lidhur me vendimin e pritur të Gjykatës së Lartë. Aborti do të mund të ndalohet në 30 ditë, duke përjashtuar vetëm rastet kur jeta e nënës është në rrezik.

Deklaratat e përfaqësuesve politikë

Dënimi ka ngjallur reagime të ndryshme, ndërmjet kryetares së Dhomës në SHBA, demokrates Nancy Pelosi, nga njëra anë, e cila flet për një vendim “mizor dhe shkandullues” që vë në rrezik të drejtat e grave dhe Mike Pence, zëvendëspresident nën presidencën e Donald Trump, nga ana tjetër. Pence brohoriti: “Fitoi Jeta”. Presidenti Joe Biden, i cili foli në një konferencë për shtyp në mbrëmje, komentoi: “Gjykata hoqi një të drejtë kushtetuese". Kreu i shtetit e quajti “gabim tragjik” përmbysjen e vendimit të vitit 1973, rezultat i një “ideologjie ekstreme” sunduese në Gjykatën e Lartë. Shtëpia e Bardhë - siguroi - po lëviz për të siguruar përdorimin e pilulave dhe ilaçeve të tjera për abortin.

Qëndrimi i ipeshkvijve katolikë

Nga ana e saj, Konferenca Ipeshkvnore Katolike e Shteteve të Bashkuara (Usccb) - e cila vitin e kaluar mori pjesë në debatin mbi pranimin në sakramentet të politikanëve katolikë, që promovojnë politika për-abortin - foli për “një ditë historike në jetën e vendit”. Në një deklaratë të gjatë dhe të hollësishme, nënshkruar nga kryetari, Kryeipeshkvi José H. Gomez i Los Anxhelos dhe Kryeipeshkvi William E. Lori, i Baltimores, kryetar i Komisionit të Usccb-së për veprimtaritë në favor të jetës , lexojmë: “Për gati pesëdhjetë vjet, Amerika zbatoi një ligj të padrejtë, që i lejoi disa të vendosin nëse të tjerët mund të jetojnë, apo të vdesin; kjo politikë çoi në vdekjen e dhjetëra milionë fëmijëve të palindur, breza, të cilëve iu mohua e drejta për të jetuar”.

“Amerika u themelua mbi të vërtetën, që pohon se të gjithë burrat dhe gratë u krijuan të barabartë, me të drejtën, dhënë nga Zoti, për jetën, lirinë dhe kërkimin e lumturisë”, nënvizojnë ipeshkvijtë. “Ne lutemi që zyrtarët tanë të zgjedhur të miratojnë ligje dhe politika që promovojnë dhe mbrojnë më të pambrojturit ndërmjet nesh”.

Akademia për Jetën: pyetja sfidon gjithë botën

Fjalë të ngjashme lexojmë në deklaratën për shtyp, lëshuar nga Akademia Papnore për Jetën, ku theksohet: “Fakti që një vend i madh me traditë të gjatë demokratike ndryshoi qëndrim për këtë çështje, sfidon të gjithë botën. Mbrojtja e jetës njerëzore nuk është çështje që mund të mbetet e kufizuar në ushtrimin e të drejtave individuale: është çështje me rëndësi të gjerë shoqërore”.

25 qershor 2022, 12:11