Çelësi i fjalëve të Kishës: Laudato si’
R.SH. – Vatikan
Enciklika “Laudato si’” u botua nga Papa Françesku në maj 2015. Në qendër të saj janë kujdesi për ambientin dhe për njerëzit, si edhe çështje të tjera, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërmjet Zotit, njerëzve dhe Tokës. Nëntitulli i enciklikës, “Për kujdesin ndaj shtëpisë sonë të përbashkët”, i nënvizon këto tema kryesore.
“Laudato si’” i drejtohet “çdo njeriu, që banon në këtë tokë” (LS 3). Prandaj, propozohet si pjesë e një dialogu të vazhdueshëm brenda Kishës Katolike dhe ndërmjet katolikëve e pjesës tjetër të botës. Titulli i enciklikës – e, sipas traditës vatikanase, edhe fjalët e para të saj – janë citim i Shën Françeskut të Asizit, i cili në Këngën e Krijesave lëvdon Zotin, duke medituar për diellin, erën, Tokën, ujin dhe forcat e tjera të natyrës. Këto fjalë u thonë njerëzve se nuk duhet vetëm ta respektojnë Tokën, por edhe ta lëvdojnë e ta nderojnë Hyjin, përmes impenjimit në favor të Krijimit të tij.
Cilat janë pjesët kryesore të “Laudato si’”?
“Laudato si’” ndahet në gjashtë kapituj, secili prej të cilëve mund të lexohet në 20-30 minuta.
"Kapitulli i parë: Çfarë po ndodh me shtëpinë tonë" përmbledh problemet aktuale, që lidhen me mjedisin. Çështjet e diskutuara në të përfshijnë ndotjen, ndryshimet klimatike, mungesën e ujit, humbjen e biolarmisë dhe pabarazinë globale.
"Kapitulli i dytë: Ungjilli i Krijimit" ka Biblën si burim frymëzimi. Historitë e krijimit, që nga Libri i Zanafillës, interpretohen si nxitje për kultivimin e përgjegjshëm dhe për mbrojtjen e natyrës. Idetë e kaluara, që justifikojnë dominimin absolut të njerëzve mbi speciet e tjera, “nuk janë interpretim i saktë i Biblës” (LS 67). Natyra paraqitet si dhuratë, mesazh dhe trashëgimi e përbashkët për njerëzit.
“Kapitulli i tretë: Rrënjët njerëzore të krizës ekologjike” shqyrton qëndrimet dhe ideologjitë shoqërore, që i kanë shkaktuar probleme ambientit. Në to përfshihen përdorimi pa kriter i teknologjisë, prirja për ta manipuluar dhe për ta kontrolluar natyrën, këndvështrimi se njeriu është specie e ndarë nga ambienti, teoritë e kufizuara ekonomike dhe relativizmi moral.
"Kapitulli i katërt: Një ekologji e gjithanshme" paraqet zgjidhjet e propozimet kryesore të enciklikës për problemet aktuale shoqërore dhe mjedisore. Ekologjia e gjithanshme, term i përdorur nga Papa Françesku, i sheh njerëzit si pjesë e një bote më të madhe dhe kërkon “zgjidhje integrale, që marrin parasysh ndërveprimet e sistemeve natyrore me njëri-tjetrin dhe me sistemet shoqërore" (LS 139). Ndërsa studimi i ekosistemeve është i njohur në shkencën e ekologjisë, ekologjia e gjithanshme e shtrin këtë paradigmë, duke marrë parasysh përmasat etike dhe shpirtërore të marrëdhënieve ndërmjet njerëzve dhe natyrës, duke u mbështetur në kulturë, familje, bashkësi, virtyt, fe dhe në respektin për të mirën e përbashkët.
"Kapitulli i pestë: Disa udhëzime dhe veprime" përdor konceptin e ekologjisë së gjithanshme në jetën politike. Kjo kërkon marrëveshje ndërkombëtare për të mbrojtur ambientin dhe për të ndihmuar vendet me të ardhura të ulëta, politika të reja kombëtare dhe lokale, procese vendimmarrjeje gjithëpërfshirëse dhe transparente dhe një ekonomi me rregulla të qarta, për të mirën e të gjithëve.
Së fundi, “Kapitulli i gjashtë: Edukimi dhe përshpirtëria ekologjike” e mbyll enciklikën me këshilla praktike për jetën personale. Rekomandohet një mënyrë jetese më e përkorë, më pak e përqendruar mbi konsumizmin dhe më shumë në vlerat e përjetshme dhe të qëndrueshme. Kjo kërkon edukim mjedisor, gëzim për ambientin, dashuri për çdo gjë të qytetëruar, pjesëmarrje në sakramente dhe një “kthesë ekologjike”, në të cilën takimi me Jezu Krishtin çon në një bashkim më të thellë me Zotin, me të tjerët dhe me natyrën.
Si lidhet “Laudato si’” me doktrinën katolike?
Papa Françesku nuk është i pari, që trajton çështjet e ambientit. Papa shenjt Gjon Pali II ka folur shpesh për detyrën e kujdesit ndaj natyrës. Për shembull, në enciklikën e tij “Centesimus Annus” të vitit 1991, Gjon Pali II e quan natyrën dhuratë të Zotit, duke nënvizuar se njeriu e ka të nevojshme të bashkëpunojë me Hyjin në promovimin e zhvillimit e të lulëzimit të ambientit (CA 37). Gjithashtu, “Centesimus Annus” shqyrtoi lidhjen ndërmjet ekologjisë natyrore dhe "ekologjisë njerëzore" (CA 38), duke i paraprirë konceptit të ekologjisë së gjithanshme, shprehur në “Laudato si’”. Papa Benedikti XVI iu referua të njëjtave mësime gjatë papnisë së tij, si për shembull, në enciklikën e vitit 2009 “Caritas in veritate” (shih CV 48-52).
Siç shihet qartë në “Laudato si’”, vizioni i saj për një qasje të gjithanshme në marrëdhëniet e njerëzve me ambientin i ka rrënjët në Shkrimin Shenjt dhe në historinë e mendimit katolik, veçanërisht në traditën e Doktrinës Shoqërore të Kishës, e cila daton në fund të shekullit XIX. Përveç kësaj, për shumë vite, lidhja ndërmjet çështjeve shoqërore dhe ambientit ka qenë argument studimi për shumë ekspertë dhe aktivistë katolikë.
Ajo që e bën unike “Laudato si’” është mënyra me të cilën Papa Françesku i zhvillon më tej e thellohet në këto tema, më haptas e më qartë, duke u kushtuar një enciklikë të tërë, në një kohë kur edhe pjesa tjetër e botës po angazhohet aktivisht në kërkimin e udhëve për ta bërë ambientin të qëndrueshëm.