Kërko

Vangelo della XVII Domenica dell'Anno 'C' Vangelo della XVII Domenica dell'Anno 'C'

Fjala e Zotit e dielës së 17-të gjatё vitit kishtar “C”

Lutja si tipar i rëndësishëm i të qenurit dishepull i Jezu Krishtit Zot. Lutja e Atë Ynë-s që na mëson Jezusi, është përmbledhje e tërë Ungjillit e na mëson sendet thelbësore e të domosdoshme të jetës: bukën, faljen dhe luftën kundër së keqes.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Hyjnore të dielës së 17-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit kishtar.

Fjala e Zotit e Dielës së 17-të gjatë vitit kishtar ‘C’:

Fjala e Zotit e Dielës së 17-të gjatë vitit kishtar ‘C’

Dialogu me Zotin, lutja, është në qendër të Fjalës liturgjike të kësaj së diele. Pra, lutja si tipar i rëndësishëm i të qenurit dishepull i Jezu Krishtit. Lutja e Atë Ynë-s që na mëson Jezusi, është përmbledhje e tërë Ungjillit e na mëson sendet thelbësore e të domosdoshme të jetës: bukën, faljen dhe luftën kundër së keqes. Lutja e Atë Ynë-s afron së bashku Hyjin e njeriun, nuk e redukton Hyjin në përmbushje të mangësive njerëzore, nuk e redukton njeriun në lypsar të papërgjegjshëm. Vetëm feja e gjallë mund ta shpëtojë vërtetësinë e lutjes.

Lutja e krishterë nuk kërkesë drejtuar Zotit për të fituar diçka, por dëshirë për ta dëgjuar Hyjin, për ta lavdëruar, për ta falënderuar dhe për t’i kërkuar falje. Lutje e krishterë nuk është diçka për t’u thënë, por lutje për t’u jetuar e mishëruar ne gjestet e jetes se perditshme. Pra, Fjala e Zotit e kësaj së diele na thërret të meditojmë mbi nevojën e lutjes, të lutjes së pareshtur, ngulmuese, të vëmendshme e të përshpirtshme. Zoti është kurdoherë i gatshëm ta dëgjojë lutjen e bijve të vet, kur kjo buron nga zemra e përvujtë dhe e sinqertë.  Lutja është dialog me Atin, prandaj zë edhe vendin e parë. E prandaj edhe Krishti tërhiqej në vende të vetmuara për t’u lutur. E dishepujt zbuluan kështu, natyrshëm, sa e rëndësishme ishte lutja, derisa një ditë kërkuan: “Zot, na mëso të lutemi!”. E nëse duam t’i ngjajmë Jezusit, duhet të nisemi dhe ne, prej nga u nis Zoti: nga lutja.

                                                                  Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Zan 18, 20-21.23-32

Lexim prej Librit të Zanafillës

Në ato ditë, Zoti tha: “Po flitet keq për Sodomën e Gomorrën dhe mëkati i tyre është tepër i rëndë. Unë duhet të zbres e të shoh a po veprojnë njëmend ashtu si po arrin ankimi deri tek unë. Do ta di apo jo!” Abrahami iu afrua Zotit dhe i tha: “Vërtetë se bashkë me fajtorin do ta zhbish edhe të drejtin? Nëse në qytet do të jenë rastësisht pesëdhjetë të drejtë, vërtetë do ta zhbish atë vend dhe nuk do ta falësh për shkak të atyre pesëdhjetë të drejtëve që do të jenë në të? Larg qoftë prej teje që ta zhbish të drejtin bashkë me të mbrapshtin? A do t’i bësh barazi të drejtin me fajtorin? Larg teje! A thua se gjykatësi i mbarë botës nuk do ta shtjerë në veprim drejtësinë?” Zoti përgjigji: “Nëse do t’i gjej në Sodomë pesëdhjetë të drejtë, brenda në qytet, për ta do ta fal tërë qytetin.”
Abrahami e mori përsëri fjalën: “Ja, unë po marrë guxim të flas me Zotin tim, unë që jam hi e pluhur: po e zëmë se ndër ata pesëdhjetë të drejtë, do të jenë pesë më pak. A thua se për shkak të atyre të pesëve do ta zhbish tërë qytetin?” Ai tha: “Nuk do ta zhbij nëse i gjej dyzet e pesë të drejtë.” Abrahami s’u durua e i tha: “Po qe se atje do të jenë vetëm dyzet?” Hyji përgjigji: “Nuk do ta ndëshkoj për shkak të atyre dyzet të drejtëve.” Përsëri tha: “Nuk më hidhërohet Zoti im nëse flas: e po qe se, atje janë vetëm tridhjetë.” Ai tha: “Nuk do ta zhbij as nëse i gjej tridhjetë.” “Ja, prapë, po marr guxim – tha – të flas me Zotin tim: po nëse, ndoshta, atje do të jenë vetëm njëzet!” Hyji i tha: “Nuk do ta zhbij për shkak të atyre të njëzetëve .” “Po të lutem – vazhdoi – Imzot nuk do të më hidhërohet, nëse flas vetëm edhe një herë: po qe se atje janë, ndoshta, vetëm dhjetë!” – “Unë nuk do ta zhbij për shkak të atyre të dhjetëve.” Fjala e Zotit.

Psalmi 138

Skamnori thërret, e Zoti e dëgjon
- - - - - - - - - - 
Me gjithë shpirt të falënderoj, o Zot,
sepse i dëgjove fjalët e gojës sime.
Të këndoj në praninë e engjëjve,
adhuroj në drejtim të Tempullit 
tënd të shenjtë.
- - - - - - - - - - 
E lavdëroj Emrin tënd
për dashurinë e besnikërinë tënde,
sepse e madhërove tesve premtimin tënd.
Sa herë të thirra në ndihmë, 
ti më vështrove,
shpirtit tim ia kërthndeze fuqitë. 
- - - - - - - - - - 
Do të të lavdërojnë, o Zot, 
të gjithë mbretërit e tokës,
sepse i dëgjuan premtimet e gojës sate.
Do t’i këndojnë udhët e Zotit,
sepse e madhe është lavdia e Zotit;
sepse i lartë është Zoti e i shikon të përvujtët, 
e prej së largu i dallon krenarët.
- - - - - - - - - - 
Kur të më duhet të eci 
në mes të vështirësive, ti ma ruaj jetën,
shtrije dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, 
e më shpëto me të djathtën tënde.
- - - - - - - - - - 

Leximi i dytë Kol 2, 12-14

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve

Vëllezër, të varrosur bashkë me Krishtin në pagëzim, bashkë me Të edhe u ngjallët në saje të fesë, me të cilën besuat në fuqinë e Hyjit që e ngjalli nga të vdekurit. Edhe juve që ishit të vdekur për shkak të fajeve tuaja dhe të parrethprerjes së trupit tuaj, Hyji ju ngjalli bashkë me Të. Ai mirësisht na i fali të gjitha fajet tona, Ai e zhvleftësoi dëftesën paditëse që, në saje të urdhërimeve, ishte kundër nesh, e bëri të zhduket, e mbërtheu në kryq. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Lypni e do t’ju jepet, kërkoni e do të gjeni.
Ati juaj e di se për çka keni nevojë.
Aleluja.

Ungjilli Lk 11, 1-13

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Një ditë Jezusi po thoshte uratë diku në një vend. Kur e kreu uratën, i tha njëri prej nxënësve: “Zotëri, na mëso edhe ne të lutemi, sikurse i mësoi edhe Gjoni nxënësit e vet.” 
“Kur të luteni – u tha Jezusi– thoni: O Atë! U shenjtëroftë Emri yt! Ardhtë Mbretëria jote! Na jep çdo ditë bukën tonë të përditshme! Na i fal mëkatet tona, sepse edhe ne i falim fajtorët tanë. E mos lejo të biem në tundim!” Dhe u tha: “Nëse ndonjëri prej jush ka një mik dhe i shkon në mesnatë e i thotë: ‘Mik, m’i jep hua tri bukë se më erdhi prej udhe miku im e nuk kam çka t’i jap për darkë’, e ai prej brenda iu përgjigj: ‘Mos më trazo! Dera është tashmë e mbyllur e fëmijët e mi e unë ramë në shtrat! Nuk mund të çohem t’i jap!’ – Unë po ju them edhe nëse s’çohet t’ia japë pse e ka mik, do të çohet me siguri për t’i dhënë aq sa kërkon për shkak të trazimit. Edhe unë po ju them: lypni e do t’ju jepet, kërkoni e do të gjeni, trokëllitni e do t’ju çelet. Sepse, kushdo lyp, merr; kush kërkon, gjen; atij që trokëllit, i hapet dera.
Dhe, cili prej jush që është baba, po i lypi djali, peshk, në vend të peshkut do t’i japë gjarpër? Ose, nëse i lyp vezë, do t’i japë akrep? Nëse, pra, ju, edhe pse të këqij, dini fëmijëve tuaj t’u jepni dhurata të mira, sa më tepër Ati qiellor do t’u japë Shpirtin Shenjt atyre që ia kërkojnë?” Fjala e Zotit.

Homelia nga famullitari në Rranxa-Bushat, dioqeza e Shkodrës, dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA XVII GJATË VITIT: LYPNI, KËRKONI, TROKITNI

(Zan 18, 20-21.23-32; Ps 138 (137); Kol 2, 12-14; Lk 11, 1-13)

Thuhet në një përrallë se na ishte një herë një gjigant, i cili zuri vend pranë një burimi rrëzë një kodre. Ky burim ishte i vetmi vend nga ku fshati përbri merrte ujë për të pirë. Çdo ditë fshatarët shkonin për të marrë ujë atje, por atë ditë nuk guxoi asnjëri të nisej për tek burimi. Flitej e përflitej se gjiganti ishte i tmerrshëm dhe se do të vriste këdo që mund të afrohej. Kaluan disa ditë dhe fshatarëve u shterruan ato pak rezerva uji që kishin dhe puna filloi të shkonte keq e më keq. Por ndodhi që njëri prej fshatarëve mori guximin të nisej për tek burimi. Tha: «Punë e madhe: në fund të fundit edhe kështu të vdekur se të vdekur jemi.» Dhe u nis. Rrugës po përpiqej të mblidhte veten e shoshiste me mendje mënyrat se si ta merrte fshehurazi ujin. Por ja që gjiganti e pa. Menjëherë u çua në këmbë më tërë madhëdhështinë e tij dhe, për çudinë e fshatarit, tha: «Oh, ja, më në fund erdhi dikush që të mund t’i shkëmbej dy fjalë më të.» Në fakt, ai ishte ulur aty ngaqë e dinte se, herët a vonë, aty do të vinin njerëz e kështu do të mund të kënaqej duke folur me ta.

Kështu e trajtojmë shpesh edhe ne Hyjin: kujtojmë se Ai është një gjigant i tmerrshëm, ndërkohë që Ai është Atë i dashur. Lutja që Jezusi sot në Ungjill na mëson, na bën t’i drejtohemi Hyjit pikërisht në këtë mënyrë: «O Atë!»

Imagjinoni se si do të jetë dukur kjo lujte në tërë ato vende pagane ku më vonë do të përhapej krishterimi. Ajo që paganët kryesisht porositnin ishte se ndaj hyjnive duhej rezervuar gjithnjë druajte e drithërimë. Ideja se ndaj hyjnive mund të shprehje ndjenja bijësore, ishte shumë e çuditshme për ta. Flijimet që ata u kushtonin hyjnive, kishin qëllim që t’i zbutnin ato, nëse bëhej fjalë për ndonjë mëkat të bërë ose së paku të mund t’u pëlqenin atyre, nëse bëhej fjalë për ndonjë kërkesë a lutje që kishin ndaj tyre. Kështu edhe nuk u dukej e pavend deri edhe flijimi i qenieve njerëzore.

Por, qysh me popullin hebre, Hyji kishte filluar ta zbulonte fytyrën e vet prej Ati. Leximi i parë që dëgjuam sot, na e tregon disi këtë. Aty na flitet për një episod shumë të fashmëm të Besëlidhjes së Vjetër, episod në të cilit tregohet sesi dy qytete, Sodoma dhe Gomorra, kishin shkuar tepër larg me mëkatet e tyre dhe sesi Hyji kishte vendosur t’i zhdukte ato. Kështu edhe do të ndodhte. Pjesa e sotme na tregon çastin kur Hyji po fliste me Abrahamin dhe po i tregonte këtë të keqe që do t’ua çonte atyre qyteteve, nëse do të shihte se mëkatet e tyre ishin vërtet të rënda. Por Abrahami merr guximin ta pyesë Hyjin nëse, në rast se atje do të gjendeshin njerëz të drejtë (një herë i thotë pesëdhjetë, pastaj dyzet e pesë, pastaj dyzet, pastaj tridhjetë, pastaj për njëzet e pastaj për dhjetë) a thua Ai do t’ua çonte atë të keqe që kishte në plan t’ua çonte. E Hyji i thotë në secilin rast se nuk do ta bënte po të gjendeshin atje së paku dhjetë njerëz të drejtë.

Ky plan i Hyjit ndaj këtyre qyteteve, në Besëlidhjen e Vjetër, duket sikur nuk e shfaq edhe aq fytyrën e Hyjit si Atë, por mbase kjo ishte e vetmja mënyrë që ato popuj ta kuptonin pak nga pak se cila vepër ishte e pëlqyeshme prej Hyjit e cila jo.

Megjithatë, të bazuar në këtë detaj të Shkrimit Shenjt, hebrenjtë mendojnë se duhen së paku dhjetë veta që të mund ta quajnë të plotë numrin e asamblesë në sinagogë për lutjet e tyre liturgjike. Me Jezusin, numri i mjaftueshëm i të drejtëve që nevojiteshin për të fituar faljen Hyjnore, do të reduktohej deri në një. Jezusi do të jetë i drejti që, në kryq, do të lutet për faljen e mëkateve të mbarë botës dhe Ati do ta dëgjojë gjithnjë lutjen e Tij.

Por t’i kthehemi sërish leximit të parë. Aty bie patjetër në sy guximi i Abrahamit. Ai vinte nga popujt paganë, ku ishte mësuar të mendonte se në punët e hyjnive nuk duhej të përziheshe edhe aq, sepse përndryshe ato zemëroheshin. Por Abrahami kishte filluar ta kuptonte se Hyji me të cilin kishte të bënte, nuk është si hyjnitë që luste më parë. Prandaj ai edhe merr guxim që të hyjë në bisedë me këtë Hyj e të futet në punët e Tija. E, në fakt, teksti na thotë se Hyji nuk bezdiset nga pyetjet e tepërta të Abrahamit, por u përgjigjet të gjithave. A mërzitet prindi me pyetjet e tepërta që i bën fëmija i vet i vogël?!...

Kështu, pra, del në pah gjithnjë e më tepër fytyra atërore e Hyjit. Kjo do të arrijë kulmin e vet në Jezu Krishtin: vetëm në Të do të na zbulohet se Hyji është tërësisht DASHURI. Në Jezusin dhe prej Jezusit do të mësohemi se ndaj Hyjit mund të kemi ndjenja bijësie, sepse Ai ndaj nesh ka ndjenja atërore.

Duke na mësuar lujten Ati ynë, Jezusi e bën këtë edhe më fort. Fjala e parë e kësaj lutjeje na fton të shpërthejmë dyert e jetës sonë e të mos kemi frikë nga Ai. Themi «Atë» e na hapet zemra. Frika e Hyjit, që është njëra nga dhuratat e Shpirtit Shenjt, nuk është edhe aq druajtja dhe drithërima që predikonin paganët, por respekti bijësor që na mëson Jezusi. Fjala e parë e kësaj lutjeje na nxit t’i themi Hyjit edhe «u shenjtëroftë Emri yt» e të mos kemi frikë t’i themi «ardhtë mbretëria jotë». Pastaj na nxit edhe që të kërkojmë prej Tij «bukën e përditshme», të shpresojmë «faljen e mëkateve» si edhe të premtojmë se edhe ne do t’i «falim fajtorët tanë». Duke qenë të sigurtë se fatke­qësia më e madhe në jetën tonë është vetëm mëkati, prandaj edhe i përgjërohemi «mos lejo të biem në tundim».

Thuhet se Shën Françesku i Asizit po bënte një udhë të gjatë së bashku me një frat të vetin. Vendosën që rrugës të lusnin rruzaren me 150 Ati ynë, që aso kohe përdorej shpesh. Pasi ecën pak, Shën Françesku e pyeti fratin tjetër: «Sa “Ati ynë” ke lutur deri tani?». Ai iu përgjigj: «Shumë. Po ti?» Shenjti iu përgjigj: «Unë kam mbetur ende tek fjala e parë ‘Atë’, sepse më rrëmbeu ideja se kemi një Hyj që na do si Atë.»

Le të jemi të bindur, pra, se Hyji na do, se nuk kemi nevojë për flijime për të tërhequr vëmendjen e Hyjit; le të besojmë se fjalët e urdhërimet e Hyjit dalin nga një zemër prej Ati e jo nga një tiran që s’do t’ia dijë për lumturinë tonë; le të besojmë se, edhe kur mund të kemi rënë në mëkate nga më të pështirat, asgjë nuk ka për të na shkulur nga zerma e këtij Ati të dashur. Shën Pali e thotë sot: «Ai mirësisht na i fali të gjitha fajet tona.»

Le të besojmë gjithnjë se me këtë Atë mund të hyjmë në bisedë, duke krijuar kështu më Të një marrëdhënie jetësore, të gjallë. Kjo na i ngrohë zemrat tona. Abrahami guxoi ta braktiste bindjen pagane se me hyjnitë nuk guxohej të flisje dhe qysh atëherë në botë filloi një mënyrë të re të komunikuari me Hyjin.

Në pjesën e sotme ungjillore, pasi na mëson lutjen “Ati ynë”, Jezusi vazhdon me fjalë të tjera të cilat kanë si qëllim kryesor të na bindin se me Hyjin mund të hyjmë në bisedë. Madje duhet të hyjmë. Fjalët «Lypni e do t’ju jepet, kërkoni e do të gjeni, trokitni e do t’ju çelet!» nuk kanë qëllim tjetër. Në traditën e krishterë, shumë mësues të jetës shpirtërore pohojnë se njeriut asnjë lutje nuk i shkon kot, qofshin edhe ato më absurdet e më të pasaktat teologjikisht. Jezusi nuk këmbëngul kot kur, gati si me përgjërim, na thotë: «Lypni e do t’ju jepet, kërkoni e do të gjeni, trokitni e do tju çelet!» Hyji e sheh gjithnjë qëllimin e njeriut për të komunikuar me Zotin e vet dhe, nëse nuk ia realizon fjalë për fjalë atë që njeriu i kërkon, ia kthen në Hire të tjera, të nevojshme për shëlbimin e tij. «Ti e di se çfarë dëshiron, por vetëm Hyji e di se çfarë të bën dobi.», mësonte Shën Augustini.

Megjithatë, duke dashur të na mësojë edhe se çfarë të dimë të kërkojmë, Jezusi saktëson: «Nëse, pra, ju edhe pse të këqij, dini fëmijëve tuaj t’u jepni dhurata të mira, sa më tepër Ati qiellor do t’u japë Shpirtin Shenjt atyre që ia kërkojnë!» Pra, mbi të gjitha duhet të kërkojmë të ndikohet mbi ne Shpirti Shenjt. Po pse? Së pari ngaqë Ai i nxit në ne ndjenjat e vërteta bijësore ndaj Hyjit dhe pastaj, së dyti, ngaqë vetëm atëherë ne do të dimë t’i kërkojmë Atit tonë ato gjëra që na shkojnë për shtat vetëm si bij e bija. Të gjitha kërkesat e tjera i drejton kjo vetëdije kryesore.

Prandaj, le të gjejmë kohë për lutje. «Lutja është arma më e mirë që kemi: është një çelës që hap zemrën e Hyjit.», shkruante Shën Piu nga Pietrelçina.

Dom Dritan Ndoci

23 korrik 2022, 10:55