Imzot Massafra uron besimtarët myslimanë për festën e Kurban- Bajramit
R.SH. - Vatikan
Presidenti i Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra i ka dërguar një mesazh urimi komunitetit myslimanë të Shqipërisë me rastin e festës së Kurban Bajramit. Në mesazhin e dërguar thuhet se në emër të besimtarëve katolikë të Arqipeshkvisë së Shkodrës-Pultit ju uroj çdo të mirë për festën e “ID AL-ADHA”, domethënë Kurban-Bajramit. Po më hollësisht të dëgjojmë zëdhënësin e Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, dom Mark Pashkja nga Shkodra:
Mesazhi i plotë:
Vëllezërve dhe motrave Myslimanë,
Në emër të besimtarëve katolikë të Arqipeshkvisë së Shkodrës Ju uroj çdo të mirë për festën e “ID AL-ADHA”, domethënë Kurban-Bajramit.
Festa e sotme kujton provën e fesë që pati Abrahami, i cili për të dëshmuar fenë në Hyjin ishte i gatshëm për të flijuar djalin e tij. Por Hyji e shpërbleu duke zëvendësuar djalin me një qengj.
Kurbani i vërtetë, si flijimi i Abrahamit është zbatimi i vullnesës së Zotit, është respekti i të drejtave njerëzore dhe lirisë së fesë, është besimi ndaj tjetrit si dhe solidariteti ndaj më nevojtarit, si na ka dëshmuar Abrahami, Ati ynë i përbashkët në fe.
Duke ju uruar bekimin e Zotit, pranoni përgëzimet e mia dhe të gjithë besimtarëve katolikë në Shkodër.
PËR SHUMË VJET KURBAN BAJRAMIN.
Imzot Angelo Massafra, ofm