Iqaluit, qytet i Kanadasë veriore, para vizitës së Papës Françeku Iqaluit, qytet i Kanadasë veriore, para vizitës së Papës Françeku 

Ipeshkvi Krótki i Ikaluit: “Papa i do popujt indigjenë”

Në një intervistë për Vatican News, ipeshkvi i qytetit Arktik nënvizon se Papa, me vizitën e tij, synon të ripohojë vlerën që ka jeta me pajtim e paqe!

R. SH. - Vatikan

Ndalesa e fundit e Papës Françesku në Kanada do të jetë në zonën e Arktikut, në Iqaluit, ku do ta mirëpresë imzot Anthony Wieslaw Krótki, ipeshkëv i gjirit Churchill-Hudson. Pritet posaçërisht takimi privat i Papës me të mbijetuarit e shkollave rezidenciale Inuit. Prelati ndalet pikërisht në rëndësinë e kësaj ngjarjeje dhe në shtegtimin pendestar të Françeskut në Kanada, për përqafimin, shërimin dhe pajtimin me popullsitë vendase të këtij kombi.

Iqaluit është kryeqyteti i trojeve Nunavut, në Arktik të Kanadasë, rreth 300 km në jug të rrethit polar: strehë e më shumë se gjysmës së popullsisë Inuit të vendit. Dioqeza është relativisht e re. Misioni i parë u themelua në vitin 1912, në bregun perëndimor të Gjirit Hudson, në Chesterfield Inlet. Themeluesi ishte ipeshkvi francez Arsène Turquetil. Dioqeza Churchill-Baie d’Hudson ishte e para në Kanada, që u kërkoi falje ish-nxënësve të shkollave rezidenciale, në vitin 1996 dhe, si dioqezat e tjera kanadeze, kohët e fundit ndihmoi në krijimin e Fondit Kanadez të Pajtimit Indigjen për projekte kulturore shërimi.

Shprehje dashurie

“Duke ardhur në Kanada - thekson Imzot Krotki - Papa po na kujton se i do popujt indigjenë dhe dëshiron që ne të gjithë të jetojmë në paqe e pajtim me njëri-tjetrin. Ka shumë rëndësi që Françesku të vijë në territorin e Nunavut, ku jeton më shumë se gjysma e popullsisë Inuit e Kanadasë. Ipeshkvi flet edhe për jetën e famullisë katolike. Është shumë aktive - tregon - përfshin indigjenë, por edhe popullsi të madhe multikulturore jo-indigjene. “Dioqeza - vijon - mbulon një territor shumë të madh, ku bashkësitë e ndryshme kanë një mundësi të vetme për t’u lidhur: udhëtimin me avion. E kjo e vështirëson shërbesën fetare, për të cilën ka aq shumë nevojë numri i vogël i besimtarëve dhe i laikëve. Popullsia e Nunavut - rreth 80% Inuit - është e krishterë, ndjekëse e traditës anglikane dhe katolike. Disa nga famullitë tona katolike drejtohen nga prijës laikë Inuit”.

Imzot Krotki ndalohet, më pas, tek prania e Oblatëve të Zojës së Papërlyer dhe Motrave Gri të Montrealit, duke kujtuar, më pas, se urdhri i tij fetar ka koleksionin më të madh të teksteve liturgjike të shtypura në një gjuhë indigjene në Kanada. “Në shumë mënyra - thotë prelati - Inuitët kanë qenë gjithmonë përhapës të zellshëm të Lajmit të Mirë në vendin e tyre. Ata u prinë misionarëve në hapat e parë, u mësuan gjuhën e, në disa zona, e mbollën vetë farën e krishterimit”.

Ipeshkvi ndalet edhe në tensionet, që kanë ndodhur në Ikaluit e që me rritjen më të shpejtë të Kanadasë, me një përzierje heterogjene kulturash duke filluar nga ajo Inuit, quhet edhe kryeqyteti më i ri. Tensionet lidhen kryesisht me zhvillimin dhe me bashkëjetesën. “Shpresojmë - thekson Imzot Krotki - që prania e Atit të Shenjtë të sjellë jo vetëm shërim për të prekurit nga ajo që ndodhi në shkollat ​​rezidenciale, por të na ndihmojë edhe të kujtojmë humanizmin tonë të përbashkët dhe dëshirën për të jetuar së bashku, si Bij të Zotit”.

29 korrik 2022, 13:24