Kërko

Në Betlehem, farë e re paqeje dhe kujdesi për Gjithësinë

Përfshirja, edukimi, mbrojtja e biolarmisë. Në Tokën e Jezusit, dy bashkëpunëtore të reja themelojnë një rreth “Laudato Si’” dhe së bashku me salezianët e Cremisan-it dhe me shoqatën VIS impenjohen në përhapjen e kulturës ekologjike. Veronica: bashkimi ndërmjet feve të ndryshme mund ta shndërrojë këtë vend në një oazë paqeje, ku mbrohet ambienti

R.SH. – Vatikan

“Sot është koha e misionit dhe e guximit! Guxim për t’i bërë të qëndrueshme hapat e lëkundur, për të rifituar kënaqësinë e dhurimit të vetvetes për Ungjillin. Është koha për guxim, megjithëse të kesh guxim nuk do të thotë të kesh garanci për sukses. Na kërkohet guxim për të luftuar, jo domosdoshmërisht për të fituar; për të kumtuar, jo domosdoshmërisht për t’i kthyer njerëzit në fenë tonë. Na kërkohet guximi për të qenë alternativë, pa u bërë kurrë polemizues apo agresivë”. Këto janë fjalët e Papës Françesku në Engjëllin e Tënzot të 23 tetorit 2016, të cilat Veronica Coraddu i bëri të sajat në moshë shumë të re, kur 19 vjeç e la Sardenjën e saj të dashur për t’u transferuar në Romë dhe për të filluar një udhë misioni. Së bashku me bashkëshortin e saj të ardhshëm, Fabio Palumbo, bashkëpunëtor i VIS - Vullnetarët Ndërkombëtarë për Zhvillim - ajo fillon të udhëtojë nëpër botë, veçanërisht në Afrikë: nga Malaui, në Tanzani, në Sudanin e Jugut, deri në Palestinë, ku, në Betlehem, themeloi, me një grup vullnetarësh të tjerë, Rrethin e parë “Laudato Si’” në Tokën Shenjte.

35 vjeç, nënë e 2 fëmijëve, gjatë pandemisë vendosi të marrë një diplomë në Gjuhë dhe Kultura për ndërmjetësimin gjuhësor. Qëllimi është i qartë: “Toka Shenjte është e bukur – thotë Veronica – është e mbushur me histori në çdo cep të saj, por i mungojnë hapësirat e gjelbra dhe nuk ka shumë respekt për ambientin; shpesh, nëpër rrugë has grumbuj mbeturinash, njerëzit hedhin plehra nga makinat; mungon një kulturë ekologjike, prandaj duam të angazhohemi për të përhapur mesazhin e Papës Françesku, duke i ftuar për këtë gjithë të krishterët, katolikë e ortodoksë, vëllezërit myslimanë dhe këdo, që dëshiron të bashkëpunojë për të mbrojtur Shtëpinë që na ka dhënë Zoti”.

Farë shprese

Rrethi i Betlehemit u paraqit zyrtarisht më 13 maj, në Ditën Botërore të Tokës, gjatë së cilës u përurua Parku Cremisan, realizuar në kuvendin salezian të Beit Jala. Në linjën e parë të frontit ekologjik janë pikërisht salezianët, që shërbejnë në Cremisan që prej 130 vitesh. Parku, që mund të duket thjesht si vend lojrash, është shumë më tepër se kaq: është mundësi konkrete për t’u dhënë gëzim fëmijëve e të rinjve, që të rriten së bashku, pavarësisht nga ndryshimet. Është shenjë paqeje dhe pajtimi, mënyrë për ta përmirësuar kontekstin urban dhe për të tërhequr vëmendjen drejt ekologjisë; është edhe “shkollë” e hapur për edukimin mjedisor dhe për njohjen e biolarmisë palestineze, ende të lënë pas dore.

Dëshmia e Veronikës

“Në përurimin e Parkut Cremisan – tregon Veronica – i përfshimë fëmijët në veprimtari me materiale të ricikluara, mbollëm bimë të vogla luleshtrydhesh, ricikluam shishe plastike dhe filluam t’i njohim me biolarminë e kësaj toke të dashur”. Veronica e konsideron veten urë lidhëse ndërmjet kulturave të ndryshme dhe flet gjithë gëzim për anëtarësimin e një të reje palestineze në Rreth: “Në këtë qytet - shpjegon ajo - katolikët janë pakicë, 90 për qind e popullsisë është myslimane, por ky shpërpjestim nuk na shkurajon, na bën edhe më të gatshëm për t’i bërë ballë kësaj sfide. Për ne të krishterët, Betlehemi ka kuptim të thellë: këtu filloi historia e dashurisë dhe e shëlbimit. Këtu lindi Jezusi, këto vende janë të gjitha të shënuara nga prania e tij e gjallë, janë vende ku ai predikoi, eci… pas shpinës sonë gjejmë shkretëtirën e tundimeve, prandaj, është për të ardhur keq që kjo tokë “keqtrajtohet” disi nga pikpamja e ambientit. Njerëzit duhet ta kuptojnë se mbrojtja e trashëgimisë historike dhe artistike nuk mund të ndahet nga kujdesi për ambientin, për natyrën”.

19 korrik 2022, 15:45