Jezuitët, Del Riccio: në të keqen, që na rrethon, ka edhe të mira, që duhen ushqyer
R.SH. – Vatikan
Pas mbylljes së Vitit Injacian, më 31 korrik, në festën liturgjike të Shën Ignacit të Lojolës, Át Roberto Del Riccio, epror i Provincës Euro-Mesdhetare të Shoqërisë së Jezusit, që përfshin Italinë, Shqipërinë, Rumaninë dhe Maltën, flet në mikrofonin e Radio Vatikanit – Vatican Neës, mbi fenë në dritën e fjalëve të Papës Françesku në tokën kanadeze, duke interpretuar, me frymën e themeluesit të jezuitëve, përgjigjet për dinjitetin e plagosur të popujve. Ndjenja e përgjegjësisë për të qenë aktivisht arkitektë të proceseve të paqes, të vetëdijshëm për të mirën, e cila vepron gjithmonë, por vazhdimisht duhet të rizgjidhet: ky është qëndrimi vërtet ungjillor, që nënvizon Át Del Riccio, ndërsa komenton ftesën e Papës për jezuitët, të cilët i ftoi të jenë guximtarë gjatë Engjëllit të Tënzot të së dielës së kaluar, në festën e Shën Injacit të Lojolës…
E interpretoj si ndërgjegjësim për faktin se çdo ditë jemi të thirrur të bëjmë një hap më shumë nga sa jemi mësuar, sepse sfidat me të cilat jemi thirrur të përballemi janë çdo herë të reja. Në fakt, e mira shtohet, por, ndërsa shtohet, paraqet vështirësi të reja. Ajo që dukej e pamundur dje, sepse situatat ngjanin të pandryshueshme, kur përmirësohet gjendja, hap perspektiva të reja për të mira të tjera. Prandaj, çdo ditë jemi të thirrur t’i marrim seriozisht këto sfida. Duhet guxim, sepse është më lehtë të qëndrojmë aty ku ishim dhe të bëjmë siç kemi bërë gjithmonë.
Papa Françesku përsërit shpesh se duhet përdorur krijimtari në kumtimin e Ungjillit. Shoqëria e Jezusit, që nga zanafilla, ka marrë përsipër sfidën e madhe të inkulturimit, që ishte në qendër të shtegtimit pendestar të Papës në Kanada: si e jetoni sot ju jezuitët nevojën për ta mishëruar Ungjillin në kulturën e popujve, që takoni?
Do të thosha se nevojitet ndryshimi i këndvështrimit. Nuk duhet imagjinuar - megjithëse është pjesërisht e vërtetë - që njerëzit e Kishës, kur mbërrijnë në një vend ku Kisha nuk ekziston, ose nuk është e qëndrueshme, sjellin çka mungon. Duhet të mësohemi ta shohim Zotin në veprim, edhe aty ku arrijmë, të shohim ç’ka bërë Zoti para mbërritjes tonë në atë vend. Në këtë kuptim, kulturat - siç paraqiten nga Papa Françesku në “Evangelii gaudium” - janë pikërisht mënyra e të jetuarit në një realitet territorial specifik, me të gjitha doket, zakonet, përballjen me realitetin, interpretimin e ngjarjeve, shoqërinë... Jo gjithçka prej kësaj duhet hedhur vetëm pse s’është cilësore për krishtërimin. Pra, vështrimi i fesë së inkulturuar është ai i fesë, që pyet: cilat janë farat e mbjella tashmë këtu, që kanë dhënë fryt? E, duke pasur parasysh këtë, të ndryshohet ç’duhet ndryshuar. Ne duhet të jemi tharmi në brumë. Kjo kërkon që Kisha të mos paraqitet si imponim, por si bashkësi e gjallë, që dëshmon një mënyrë të caktuar jetese, edhe brenda asaj kulture. Bashkësia kishtare duhet të hyjë në atë kulturë të veçantë, duke dëshmuar jetën e vet të mishëruar në atë kulturë.
Më 31 korrik përfundoi Viti Injacian në 500 vjetorin e kthimit në krishtërim të Shën Injacit të Lojolës, themeluesit tuaj. Cili është bilanci?
Më duket se hiri që i kërkuam Zotit me ngulm këtë vit ishte t’i shohim gjithnjë e më shumë të gjitha gjërat në Krishtin. Besoj se ky ishte fryti më i madh. Prandaj, nuk ishte thjesht vit festiv, ishte vit për ndryshimin e zemrës. Duke iu rikthyer asaj që thashë më parë, duhet një këndvështrim i ri. Për ta bërë këtë, duhet të imitojmë vështrimin e Jezusit: kjo është dhuratë, jo thjesht një ushtrim, me të cilin përpiqemi të mësojmë si bëhet diçka. Kemi nevojë për Shpirtin e Zotit të ringjallur, që banon në ne dhe na lejon t’i shohim gjërat nga një perspektivë, që nuk është e jona.
Të rinjve Papa u thotë gjithnjë të mos rrinë ulur… Ju jeni edhe asistent kishtar për Agesci-n, grupin e skautëve të përhapur në gjithë botën. Sipas jush, si e shohin Kishën të rinjtë e sotëm?
Aty ku takohen me Kishën si vend mikpritës, që i ndihmon për t’u dhënë përgjigje me kuptim pyetjeve më thelbësore, mendojnë se është një vend shumë, shumë i bukur. Aty ku Kisha është vend, ku shkojnë për të mësuar forma, që nuk i thonë më asgjë jetës së tyre sot, asaj Kishe i rrinë larg.
Kanë kaluar dhjetë vjet nga vdekja e kardinalit Martini. Cila është trashëgimia e tij më e madhe?
Përmasa më e rëndësishme e kardinalit Martini më duket pikërisht ftesa për të patur një vështrim kundrues ndaj realitetit, vështrim që sheh Zotin në të. Më vjen ndërmend një nga letrat e tij të para baritore drejtuar qytetit të Milanos. Një qytet, Kisha e të cilit u ftua të zbulonte praninë e Zotit në jetë. Është vështrim, që edhe për një jobesimtar, do të thotë të kërkosh të mirën, është dëshira e përbashkët për të depërtuar në paqartësitë e realitetit. Për shembull, racizmi që rishfaqet sot, është vërtet paaftësia për të parë gjithçka të bukur, të mirë, të vërtetë, të pasur, që ai tjetri e zotëron, ndërsa unë nuk e kam. Por, pavarësish se tjetri është i ndryshëm, vetëm së bashku mund të shprehim tërësinë e së mirës, së cilës, përndryshe, nuk i japim mundësinë për t’u dukur e plotë.