Santiago de Compostella Santiago de Compostella 

Rekord shtegtarësh në Santiago de Compostela

Verë e rekordeve në kryeqendrën e Galicisë, e cila nga 3 deri më 7 gusht pret rreth 12 mijë të rinj evropian, gjatë shtegtimit të tyre Pej 2022, në varrin e Shën Jakut Apostull

R.SH. – Vatikan

         Të dielën, më 24 korrik, në prag të festës së Shën Jakut, pajtor i Spanjës dhe i Galicisë, Zyra e Shtegtarit emetoi ​​“kompostelën” - certifikatën e shtegtimit në varrin e Santiagos – me numër 200.000. Është hera e parë në histori që kjo shifër arrihet para muajit gusht. Asnjëherë më parë nuk kanë mbërritur kaq shumë shtegtarë në kryeqendrën e rajonit autonom të Galicisë në këtë kohë të vitit.

Numër rekord shtegtarësh

Presidenti i Xunta de Galicia, Alfonso Rueda, në konferencën e zakonshme për shtyp të ditëve të fundit, pas mbledhjes së Këshillit Drejtues – lexohet në shtypin vendas - komunikoi numrin rekord të shtegtarëve, që këtë verë, përshkojnë “Camino de Santiago” (Udhën e Shën Jakut). Kur u pyet nga gazetarët, Rueda u përgjigj se në korrik, janë dorëzuar “10.000 kompostela më shumë”, në krahasim me gushtin 2019, duke vendosur kështu një rekord të të gjitha kohërave. E, akoma priten shtegtarët e gushtit, gjë që tregon se numri mund vetëm të rritet. Pjesa më e madhe e tyre janë spanjollë, ndërsa nga të huajt, shumica vijnë nga SHBA-të, të pasuar nga italianët dhe gjermanët.

Pej 2022

         Duke filluar nga 3 gushti, në Santiago de Compostela, mbahet Shtegtimi Evropian Rinor, Pej 2022, që do të vijojë deri më 7 gusht. Priten rreth 12 mijë shtegtarë, që do të shërbehen nga rreth 400 vullnetarë. Këto ditë, që do ta shndërrojnë vendin në qytetin e të rinjve, do t’i kushtohen “bashkëpunimit dhe kremtimit” në 20 kisha. Meshtarët do të jenë gjithnjë gati për rrëfime e për t’i shoqëruar të rinjtë në shoshitjen e thirrjes së tyre në jetë, gjatë kësaj përvojë të gëzueshme, që si zakonisht, u mbetet të rinjve në zemër. Dioqeza ka ngritur edhe të ashtuquajturin “Portik të Thirrjeve”, ku të rinjtë do të gjejnë afërsi e mikpritje.

04 gusht 2022, 12:55