Çelësi i fjalëve të Kishës: të rinjve t’u japim mundësi arsimimi, jo armë shkatërrimi
R.SH. – Vatikan
Në përfundim të udhëtimit të Papës në Kazakistan, nga 13 deri më 15 shtator e, edhe të Kongresit VII të krerëve të Feve botërore e tradicionale, u nënshkrua një Deklaratë, ku jo vetëm dënohet pa kushte çdo lloj lufte, por përvijohen udhët drejt paqes, me vëmendje të veçantë për rolin e feve në arritjen e në mbrojtjen e saj. Javës së kaluar paraqitëm pjesën e parë të komentit të Papës Françesku për këtë Deklaratë, mbajtur në fjalimin e tij në Kongres. Ati i Shenjtë nënvizon se pika e përbashkët e të gjitha feve është njeriu e “njeriu konkret, i ligështuar nga pandemia, i përkulur nga lufta, i plagosur nga indiferenca” është edhe udha e të gjitha feve.
Të mbrohen fëmijët, të rinjtë, të moshuarit dhe familjet
Pikërisht për këtë, Papa kërkon që fëmijët, të rinjtë, të moshuarit dhe familjet të mbrohen e krerët botërorë t’i bazojnë vendimet e tyre mbi transhendencën dhe vëllazërimin. “Transhendenca, jeta e përtejme, adhurimi. Është bukur që çdo ditë, miliona e miliona burra e gra, të moshave, kulturave dhe kushteve të ndryshme shoqërore, mblidhen në lutje në vende të panumërta kulti. Është forca e fshehur, që e bën botën të ecë. E pastaj vëllazërimi, tjetri, afërsia: sepse askush nuk mund të deklarojë se beson vërtet në Krijuesin e botës, nëse nuk i do krijesat e tij. Kjo është fryma, që përshkon Deklaratën e Kongresit tonë”, nënvizon Françesku, i cili vuri në dukje tri fjalë të Deklaratës: paqe, grua, të rinj.
Paqja, ëndrra dhe qëllimi i rrugëtimit tonë
“E para është sinteza e gjithçkaje, shprehja e një britme të zjarrtë, ëndrra dhe qëllimi i rrugëtimit tonë: paqja! Paqja është urgjente, sepse çdo konflikt ushtarak apo vatër tensioni dhe konfrontimi sot, mund të ketë vetëm një ‘efekt domino’ të pakontrollueshëm dhe komprometon seriozisht sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare”. Fetë, të vetëdijshme se paqja nuk është thjesht mungesë lufte, duhet të bëjnë gjithçka për të luftuar padrejtësitë dhe pabarazitë. “Ne, që besojmë në Krijuesin e të gjithëve, duhet të jemi në linjën e parë të frontit për përhapjen e bashkëjetesës paqësore. Duhet ta dëshmojmë, të predikojmë e të lutemi për të. Prandaj, Deklarata u kërkon liderëve botërorë të ndalojnë konfliktet dhe gjakderdhjen kudo dhe të braktisin retorikën agresive dhe shkatërrimtare”, nënvizon Papa Françesku. Ati i Shenjtë lutet së bashku me krerët e tjerë fetarë: “në emër të Zotit dhe për të mirën e njerëzimit: angazhohuni për paqen, jo për armatimin! Vetëm duke i shërbyer paqes emri juaj do të mbetet i madh në histori”.
Grave duhet t’u besohen role dhe përgjegjësi më të mëdha
Fjala e dytë, grua, lidhet me të parën. Sepse “nëse mungon paqja, kjo do të thotë se mungon vëmendja, butësia, aftësia për të lindur jetën”. Kjo është arsyeja pse paqja nuk mund të arrihet pa përfshirjen e plotë të grave. “Grave duhet t’u besohen role dhe përgjegjësi më të mëdha. Sa shumë vendime vdekjeprurëse do të shmangeshin nëse gratë do të ishin në qendër të proceseve vendimmarrëse! Të angazhohemi që ato të respektohen, të njihen dhe të përfshihen më shumë”, ngre zërin Françesku.
Brezat e rinj të formohen me parimet e mikpritjes dhe të bashkëjetesës
E së fundi, të rinjtë, “lajmëtarët e paqes dhe të bashkimit, sot e nesër. Janë ata që, më shumë se të tjerët, kërkojnë paqen dhe respektin për shtëpinë e përbashkët të krijuar nga Zoti. Në të kundërtën, logjika e dominimit dhe e shfrytëzimit, përdorimi pa kriter i burimeve për interesa personale, nacionalizmat, luftërat dhe zonat e ndikimit përvijojnë një botë të vjetër, të cilën të rinjtë e refuzojnë, një botë të mbyllur për ëndrrat dhe shpresat e tyre”.
Papa kërkon të kapërcehet “feja e ngurtë” dhe brezat e rinj të formohen me parimet e mikpritjes dhe të bashkëjetesës, që respekton besimet fetare dhe kulturat. “Të rinjve duhet t’u japim mundësi arsimimi, jo armë shkatërrimi! E duhet t’i dëgjojmë, duke i lënë të na bëjnë pyetje pa frikë. Sidomos, ta ndërtojmë botën, duke menduar për ta!”