Nënë Tereza e At Giacomo Girardi i PIME - 1973 Nënë Tereza e At Giacomo Girardi i PIME - 1973

Çelësi i fjalëve të Kishës: Nënë Tereza e thirrja e të rinjve

Javës së kaluar ju njohëm me pjesën e parë të bisedës së Nënë Terezës me të rinjtë e PIME (Instituti Papnor për Misionet e Jashtme), pikërisht në fillim të kësaj periudhe, që shkon nga 26 gushti deri më 5 shtator, ditët e lindjes së shenjtes shqiptare të bamirësisë për këtë botë e për Qiell. Këtë bisedë Nënë Tereza e pati bërë në vitin 1973, kur në Milano u mbajt mbrëmja e parë misionare e lutjes

R.SH. - Vatikan

Në këtë pjesë të bisedës, Nënë Tereza përqendrohet në karakteristikat e motrave të saj, në thirrjen e të rinjve e në etjen e njerëzve për Zotin, që i nxit ta ndryshojnë shoqërinë, fjalë aktuale edhe sot. Për ta dëgjuar Nënën e më të varfërve ndër të varfër ishin mbledhur 2 mijë vetë, që i bënë shumë pyetje, të ndihmuar nga drejtori i atëhershëm i selisë së PIME-s në qytetin verior italian, Át Giacomo Girardi. 

Çfarë u kërkoni atyre, që duan të bëjnë pjesë na bashkësitë tuaja?

Shëndetin e mendjes dhe të trupit; qëndrim tejet të shëndoshë; aftësi për të mësuar dhe prirjen për humor të mirë. Ajo që, pasi e ka provuar, dëshmon se nuk i ka këto katër dispozita, nuk mund të rrijë me ne. Aftësia për të mësuar ka të bëjë me të qenët zemërbutë dhe i përvujtë.

Këtu ka shumë të rinj të ndjeshëm ndaj të varfërve, ndaj dashurisë së Zotit. Pse - atëherë - ka pak thirrje në vendet tona?

Nuk është se nuk ka thirrje; përkundrazi, mendoj se ka pak lutje në familje dhe ndoshta, në jetën tonë fetare nuk ka mjaftueshëm kushtim dhe dhurim. Por shumë varet nga jeta jonë familjare: ka shumë pak lutje dhe pa këtë bashkim me Krishtin, i cili mbërrin tek ne përmes lutjes, është e vështirë edhe për Jezusin të vijë dhe të zgjedhë të vetët”.

Nga sa thatë ju, duket se të varfërit janë burim gëzimi për ne dhe se duhet t’u dhurojmë dashuri; por a mjafton kjo? A nuk na kërkon i varfri të çlirohet nga varfëria, që e detyron në mjerim?

Mendoj që para se të ndihmojmë të tjerët, të varfërit, të çlirohen nga varfëria e tyre, ne duhet të çlirohemi nga varfëria jonë.

Cila është mënyra juaj e lutjes? Si dhe sa luteni?

Ne lutemi dhe meditojmë si gjithë murgeshat e tjera. Ditën e nisim me meshën e me Kungimin e Shenjtë dhe e mbyllim me adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament. Përpiqemi ta shohim Krishtin në bukën e të Shenjtnueshmit Sakrament dhe gjatë gjithë ditës vazhdojmë ta shohim Atë në trupat e thyer të të varfërve tanë. Pra, ne përpiqemi të lutemi përmes punës, duke e bërë atë me Jezusin, për Jezusin dhe drejt Jezusit. Nëse arrijmë ta bëjmë këtë, e gjithë dita është lutje.

Çfarë mendoni për të rinjtë e sotëm? A mund të kenë shpresë?

rinjtë janë ndërtuesit e së nesërmes. Shumë varet nga jeta e tyre e pastër, nga bashkimi i tyre me Zotin dhe nga dashuria për njëri-tjetrin.

Çfarë ju këshilloni, që të bëhen ndërtues të një bote më të mirë?

Ta njohin njëri-tjetrin, ta duan njëri-tjetrin. Dashuria është udhërrëfyesja e shërbimit.

Cilit shërbim?

Harrimit të vetvetes. Këtë kërkon rinia e sotme si sfidë. Një ditë, në Nju Jork, një vajzë shumë e re, me arsim të lartë dhe shumë e pasur, erdhi tek ne në Harlem me makinë dhe më tha: “Ua dhashë gjithçka të varfërve dhe erdha të ndjek Krishtin”.

Takoni ende ndokënd, që e bën këtë? Nuk më duket se Jezusi në Ungjill pati shumë sukses me të riun e pasur...

Por Ai ka sukses çdo ditë... Një mbrëmje, kur isha në Londër, policia më thirri në telefon duke më thënë: “Në rrugë është një grua, shumë e dehur, që kërkon Nënë Terezën”. Shkuam ta merrnim me makinë dhe ndërsa po ktheheshim, ajo më tha: “Nënë Tereza, Jezu Krishti e ktheu ujin në verë për të na dhënë të pijmë”. Ishte shumë e dehur, por ka diçka të bukur në këta njerëz. Në Australi, kemi një shtëpi për alkoolistët; një person ia verboi sytë një tjetri e unë i çova policinë të verbuarit, të cilin e pyetën: “Kush e bëri këtë?” Ai thoshte lloj-lloj gënjeshtrash, por nuk e thoshte emrin. Kur iku policia, e pyeta pse nuk tregoi dhe ai m’u përgjigj: “Vuajtja e tij nuk do të më çlirojë nga vuajtja ime”. Kjo është madhështi e shpirtit, dashuri e madhe.

Si është e mundur, për ata që kanë familje, t’u përkushtohen plotësisht të varfërve? A s’duhet braktisur gjithçka?

Nuk është e nevojshme që të gjithë të bëjnë çka bëjmë ne: Krishti duhet t’u dhurohet të gjithëve e ne nuk ia dhurojmë Krishtin më të pasurve ndër të pasur. Për ta bërë këtë duhet që ju, në pozitën, në thirrjen tuaj, në ambientin ku jetoni, t’u dhuroni Krishtin njerëzve. Ne s’mund të bëjmë çka bëni ju dhe ju nuk mund të bëni çka bëjmë ne. Por së bashku jemi lajmëtarë të Mbretërisë së Zotit.

Nënë Tereza, nga mund të fillojë ndryshimi rrënjësor i shoqërisë?

Ndryshimi duhet të vijë nga familjet, nga shtëpia e secilit. Nga kjo shtëpi dhe nga kjo familje do të kemi meshtarë dhe murgesha të mira. Familja që lutet qëndron e bashkuar.

Ju thatë më parë se duhet ta shohim Zotin në ne që të mund ta shohim më pas tek të varfërit: do të thotë se duhet të jemi domosdoshmërisht të krishterë për të bërë mirë?

Në Indi, kemi shumë hinduistë, myslimanë dhe budistë, që na ndihmojnë në punën tonë. Tempulli, ku kemi shtëpinë për ata, që janë në prag të vdekjes, i përket perëndeshës Kali dhe në këtë tempull kemi sjellë më se 27 mijë njerëz të mbledhur nga rruga. Në njëzet e një vjet, rreth 13.000 vetë kanë ndërruar jetë në paqe me Zotin.

Si përfundim, çfarë dëshiron t’i thotë Nënë Tereza Milanos?

Ju jeni një popull shumë i madh, sepse nga ky rajon kemi pasur Papën Gjoni XXIII dhe Papën Pali VI. Ju duhet të jeni gjithnjë e më shumë ngushëllimi dhe gëzimi i këtij të fundit [që ishte Papë në atë kohë, sh.r.], duke e çuar lutjen në familje, meshën, bashkimin, duke punuar shumë për familjet tuaja. Kjo do të jetë dhurata më e madhe, që mund t’i bëni Kishës; do të jetë shembull për qytetet e tjera në Itali dhe në mbarë botën.

01 shtator 2022, 09:45