Çelësi i fjalëve të Kishës: të gjithë të barabartë, nën të njëjtin qiell
R.SH. – Vatikan
Dialogu ndërfetar është rezultat i evolucionit të shoqërisë moderne. Vërtet, distancat fizike ndërmjet popujve janë shkurtuar falë mjeteve moderne të komunikimit dhe të udhëtimit. Kjo solli edhe urgjencën e “shkurtimit” të distancave shpirtërore ndërmjet feve të ndryshme. Në një botë plot konflikte, të cilat shpesh e përdorin fenë si pretekst, synohet të shmanget përplasja ndërmjet qytetërimeve, duke favorizuar lindjen e një vëllazërimi të ri universal e të pajtimit ndërmjet popujve, pavarësisht nga fetë e ndryshme. Dialogu për fenë, për besimin e secilit, favorizon takimin ndërmjet popujve, që besojnë në një Zot të vetëm.
Jemi vëllezër dhe motra nën diellin e një Zoti të vetëm
Papa Françesku e ka theksuar gjithnjë rëndësinë e dialogut ndërmjet besimtarëve, të gjithë të barabartë nën të njëjtin qiell, pasi të gjithë janë njerëz, që kërkojnë bashkërisht paqen. I theksoi këto koncepte edhe gjatë udhëtimit të tij në vitin 2017, kur sërish takoi Imamin e madh të Al-Azharit, Al Tayyib, me të cilin nënshkroi Deklaratën universale për Vëllazërimin Njerëzor. “Ne jemi vëllezër dhe motra nën diellin e një Zoti të vetëm – pati thënë në Egjipt. - ...Në këtë kuptim, mund ta quajmë njëri-tjetrin vëllezër e motra, sepse pa Zotin, jeta e njeriut do të ishte si qielli pa diell”. Një mesazh i fuqishëm dhe i qartë në favor të paqes. Një thirrje për të ndërtuar “ura” ndërmjet kulturave, feve e qytetërimeve të ndryshme, për të parandaluar e ndaluar konfliktet e shumta, që ende e përgjakin planetin.
Dekalogu për Paqen
Kongresi i këtyre ditëve në Kazakistan, edicioni i parë i të cilit daton në vitin 2003, mori shkas nga Dita e lutjes për Paqen, dashur nga Papa shenjt Gjon Pali II, më 24 janar 2002, menjëherë pas atentatit terrorist kundër Kullave Binnjake në Nju Jork. Në atë rast, përfaqësuesit e feve të ndryshme, së bashku me Papën polak, nënshkruan një Dekalog për Paqen, në të cilin fetë paraqiten si mjet dashurie e jo urrejtjeje. Ky Dekalog ka dhjetë pika:
1. NE ZOTOHEMI të shpallim bindjen tonë të patundur se dhuna dhe terrorizmi i kundërvihen frymës së vërtetë fetare, duke dënuar çdo luftë dhe dhunë në emër të Zotit, ose të fesë; ne impenjohemi të bëjmë gjithçka është e mundur për të çrrënjosur shkaqet e terrorizmit.
2. NE ZOTOHEMI t’i edukojmë njerëzit me respektin dhe vlerësimin e ndërsjellë, në mënyrë që të arrijmë bashkëjetesën paqësore dhe solidare ndërmjet njerëzve me etni, kultura dhe fe të ndryshme.
3. NE ZOTOHEMI të promovojmë kulturën e dialogut, në mënyrë që të krijohet mirëkuptim dhe besim i ndërsjellë ndërmjet individëve dhe popujve, pasi këto janë kushtet për paqen e vërtetë.
4. NE ZOTOHEMI të mbrojmë të drejtën e çdo njeriu për një jetë dinjitoze, në përputhje me identitetin e tij kulturor, si edhe të drejtën për të krijuar lirisht një familje të përshtatshme për të.
5. NE ZOTOHEMI të dialogojmë me sinqeritet dhe durim, duke mos e konsideruar çka na ndan si mur të pakalueshëm, por, përkundrazi, duke pranuar se përballja me ndryshimet e të tjerëve mund të bëhet rast për mirëkuptimin më të madh reciprok.
6. NE ZOTOHEMI t’ia falim njëri-tjetrit gabimet dhe paragjykimet e së shkuarës dhe të së tashmes, si edhe ta mbështesim njëri-tjetrin në përpjekjen e përbashkët për të kapërcyer egoizmin dhe abuzimin, urrejtjen dhe dhunën, duke mësuar nga e kaluara se paqja pa drejtësi nuk është paqe e vërtetë.
7. NE ZOTOHEMI të jemi në krah të atyre, që vuajnë nga varfëria dhe braktisja, duke u bërë zëri i njerëzve, që s’kanë zë dhe duke punuar konkretisht për të kapërcyer situata të tilla, të bindur se askush nuk mund të jetë i lumtur vetëm.
8. NE ZOTOHEMI ta bëjmë tonën britmën e atyre, që nuk dorëzohen para dhunës dhe së keqes dhe dëshirojmë të kontribuojmë me të gjitha forcat për t’i dhënë njerëzimit të kohës sonë një shpresë të vërtetë për drejtësi e paqe.
9. NE ZOTOHEMI të inkurajojmë çdo nismë për miqësi ndërmjet popujve, të bindur që nëse nuk ka mirëkuptim të qëndrueshëm ndërmjet tyre, përparimi teknologjik e ekspozon botën ndaj rrezikut në rritje për shkatërrim e vdekje.
10. NE ZOTOHEMI t’u kërkojmë përgjegjësve të kombeve të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme që, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, të ndërtohet dhe të konsolidohet një botë solidariteti dhe paqja, bazuar në drejtësi.