Koha “social” e Krijimit: të rinjtë dhe mobilizimi
R.SH. – Vatikan
Jemi në Kohën e Krijimit - ndërmjet 1 shtatorit, Ditës Botërore të Lutjes për Kujdesin ndaj Krijimit dhe 4 tetorit, festës së Shën Françeskut të Asizit - kur të krishterët e të gjitha besimeve ftohen të mobilizohen në mbrojtjen e gjithësisë e të ambientit. Të rinjtë janë protagonistë të rëndësishëm të saj: që sot, 19 shtator e deri më 23 shtator, mbahet Java e Rinisë për Klimën, “Youth 4 Climate Week 2022”, në të cilën të rinjtë impenjohen për atë kthesë ekologjike të domosdoshme e të dëshirueshme nga e gjithë shoqëria. Nisur nga premisa se Toka ka nevojë për ne aq sa kemi nevojë ne për të, brenda kësaj Jave, lindi ideja e një sfide në rrjetet shoqërore në internet, e cila u drejtohet pikërisht të rinjve.
Për të marrë pjesë, mjafton të zgjidhet një temë (ushqimi, mënyra e jetesës, ose të tjera) dhe të regjistrohet një video e shkurtër në Tik Tok, Facebook, ose Instagram, jo më shumë se 60 sekonda. Përmes videos, duhet të ftohen të njohurit, miqtë, të afërmit të vënë në jetë praktika të virtytshme lidhur me temën e zgjedhur. Kjo ide lindi nga YoungCaritas e dioqezës së Bolzano-Bressanone-s, Kolpingjugend dhe Coworking della Memoria (Arci). Në mbrëmjen përfundimtare të 23 shtatorit, një juri e veçantë do të zgjedhë fituesin: videoja me përmbajtjen më të mirë do të projektohet në monitorët e autobusëve dhe të trenave në gjithë provincën veriore italiane. Amanda Montesani e YoungCaritas na tregoi si do të zhvillohen këto ditë dhe cilat janë synimet e të rinjve që marrin pjesë në të:
Do të jetë një javë aksioni: çdo ditë do të ketë nisma të ndryshme në gjithë Alto Adige-n mbi temën e ambientit dhe të ekologjisë. Synon të jetë një javë mobilizimi, përfshirjeje dhe veprimi për t’i afruar të rinjtë dhe të tjerët me dramën e krizës klimatike, përmes fjalëve të ekspertëve. Kemi shumë besim tek veprimi, tek impenjimi konkret, në forma nga më të ndryshmet. Objektivi i javës është jo vetëm të sensibilizojmë, por edhe të tregojmë si mund të kontribuojë secili konkretisht, duke stimuluar krijimtarinë e të rinjve për temën e klimës e të qëndrueshmërisë së planetit.
Deri më 4 tetor jemi në “Kohën e Krijimit”. Sfida juaj në internet i nxit të rinjtë të thonë fjalën e tyre. Si lindi ideja e videove?
Sfida në rrjetet shoqërore është vetëm një nga veprimtaritë e Youth 4 Climate Week 2022. Ideja lindi duke pasur parasysh moshën e njerëzve, që donim të përfshinim. Meqë të rinjtë janë shumë të pranishëm në rrjetet shoqërore, vendosëm t’u japim mundësinë të marrin pjesë në nismat tona, edhe në këtë mënyrë. Mendojmë se është e rëndësishme t’i edukojmë të rinjtë t’i përdorin rrjetet shoqërore me inteligjencë. Pjesëmarrja në një sfidë në internet përmes videove, që ata i realizojnë si të ishin ekspertë, i inkurajon edhe të tjerët të veprojnë për të mirën e planetit. Mund të jenë burim frymëzimi dhe mobilizimi.