Matera, ipeshkvi Caiazzo: me Papën, për të përforcuar udhën sinodale
R.SH. – Vatikan
Pritja e vizitës së Papës Françesku në Matera ka aromën e bukës, atë të bërë nga nënat dhe gjyshet e atyre zonave, bukë e fryrë dhe e butë, prodhuar me grurin që rritet në fushën e Metapontos, me ngrohtësinë e diellit të verës, nga njëra anë, dhe me puhizën e detit Jon, nga ana tjetër. E buka është edhe tema e Kongresit të 27-të Italian Eukaristik, organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore Italiane: “Të kthehemi tek shija e bukës. Për një Kishë eukaristike dhe sinodale”. Takimi filloi më 22 e do të përfundojë më 25 shtator, në praninë e Papës, i cili do të kremtojë meshën përfundimtare.
Përgatitja e bukës si lutje
“Për dioqezën tonë është gëzim i madh - thekson kryeipeshkvi i dioqezës, imzot Giuseppe Caiazzo. - Filluam punën për këtë projekt dy vite më parë, gjatë pandemisë, me njerëzit, që jetonin me frikë. Prandaj, kishim nevojë për diçka, që do të na kthente shijen e plotë të jetës. Propozova menjëherë simbolin e bukës, sepse përgatitja e saj ka brenda gjithë teologjinë trinitare dhe kristologjike. Për shembull, kur bënin bukën, nënat dhe gjyshet tona thonin një lutje, që i drejtohej Trinisë Shenjte, pastaj, brumi i mbështjellë me piceta, lihej të fryhej në një shtrat të ngrohtë, i cili përfaqëson vendin e intimitetit familjar dhe të dashurisë bashkëshortore. Aty shqiptohej kjo lutje: “‘shtohu o brumë, si shton shtat Jezu Krishti në shtëpinë e Nazaretit’. E kjo bukë është në formë zemre, pikërisht për të treguar dashurinë e Zotit për ne, ndërsa shkojmë për të takuar Hyjin”.
Pritet me padurim Papa Françesku
Papa Françesku do të mbërrijë në stadiumin komunal të Materës, të dielën më 25 shtator, rreth orës 8.30. Do të pritet nga kardinali Matteo Maria Zuppi, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore Italiane, nga vetë kryeipeshkvi dhe nga kryetari i bashkisë Domenico Bennardi. Më pas, do të kryesojë kremtimin eukaristik, në përfundim të të cilit do të kthehet në Vatikan. “Për ne është një gëzim i jashtëzakonshëm - shpjegon imzot Caiazzo - sepse Françesku është Papa i dytë, që viziton qytetin tonë. I pari ka qenë Shën Gjon Pali II, në vitin 1991. Papa Françesku është treguar gjithmonë i vendosur për ta realizuar këtë vizitë, pavarësisht nga vështirësitë, që nuk mungojnë, prandaj unë e falënderoj me gjithë zemër. Vizita e tij tregon se ne jemi Kishë, në masën me të cilën mbetemi të bashkuar me të. Gjithë Kisha Italiane vjen të dëgjojë Bariun e saj në këtë çast të vështirë historik, që udha sinodale e ndërmarrë të vazhdohet në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Katër nisma, shenjë e rilindjes së mundshme
Pikërisht me rastin e vizitës së Papës, dioqeza ka ndërmarrë katër nisma të rëndësishme. “Pranë stadiumit - pohon prelati - do të përurojmë mensën e re të Vëllazërimit, ku të gjithë mund të vijnë dhe të ndajnë një vakt me vëllezërit më pak fatlumë. Shenja e dytë është Casa Betania, të cilën e përuruam vitin e kaluar, kushtuar migrantëve të shfrytëzuar nga punësimi i paligjshëm. Në këtë kooperativë bujqësore, ata punësohen dhe paguhen rregullisht. E, të gjithë ipeshkvijve pjesëmarrës në kongres do t’u jepet një shishe verë, që vjen nga ky realitet. Nisma e tretë është në Pisticci, në provincën e Materës, ku një kuvend i rinovuar i është dorëzuar një shoqate prindërish me fëmijë autistë, pasi këto realitete mungojnë në territorin tonë; e katërta, shenja e fundit, ka të bëjë me arkivin dhe bibliotekën e dioqezës, të cilat do të dyfishohen dhe do të vihen në dispozicion të të gjithëve”.