Kërko

Vizita e Papës në Asizi Vizita e Papës në Asizi  

Pakti i Rinisë: kthim në ekonominë e Ungjillit

Papa Françesku nënshkroi në Asizi një pakt me të rinjtë, në të cilin ata angazhohen ta vënë jetën në shërbim të ekonomisë së sotme dhe të nesërme, që të bëhet ekonomi e rilindur nga Fjala e Zotit.

R. SH. - Vatikan

Papa Françesku nënshkroi me një mijë të rinj, ardhur nga 120 vende, mbledhur në Asizi për ngjarjen globale “Ekonomia e Françeskut”, Paktin me të cilin, individualisht dhe të gjithë së bashku, marrin përsipër të punojnë për një ekonomi të re: “ekonomi paqeje dhe jo lufte,  ekonomi që i kundërvihet përhapjes së armëve, veçanërisht atyre më shkatërruese, ekonomi, që kujdeset për  krijimin, pa e grabitur”.

Në shërbim të Njeriut

Me paktin e nënshkruar në qytetin e Shën Françeskut, ekonomistët e rinj, sipërmarrësit dhe ndërtuesit angazhohen ta shkrijnë jetën në përpjekjen “që ekonomia e sotme dhe e nesërme të bëhet Ekonomi e Ungjillit”. “Ekonomi në shërbim të njeriut, të familjes dhe jetës, që respekton çdo grua, burrë, fëmijë, të moshuar dhe, mbi të gjitha, më të brishtët dhe më të pambrojturit! Ekonomi, ku kujdesi zëvendëson çkujdesjen dhe indiferencën; ekonomi, që nuk lë asnjeri pas, për të ndërtuar një shoqëri në të cilën gurët e flakur nga mendësia sunduese, të bëhen gurë themeli”.

Ekonomi e udhëhequr nga etika

“Një ekonomi, që njeh dhe mbron punën e denjë dhe të sigurt për të gjithë, veçanërisht për gratë; një ekonomi ku financat janë mike dhe aleate të ekonomisë dhe të punës reale, jo kundër tyre; një ekonomi që di të rrisë dhe të ruajë kulturat dhe traditat e popujve, të gjitha speciet e gjalla dhe burimet natyrore të Tokës”.

"Një ekonomi që lufton varfërinë në të gjitha format e saj, ngushton pabarazitë dhe, me Jezusin e Françeskun, është në gjendje të thotë 'lum të varfërit'!”.

“Një ekonomi e udhëhequr nga etika e personit dhe e hapur ndaj transhendencës. Ekonomi që prodhon pasuri për të gjithë, gjë që krijon gëzim, jo vetëm mirëqenie, sepse lumturia që nuk ndahet edhe me të tjerët, është shumë pak”.

Nuk është utopi

Pakti i të rinjve përfundon me një horizont që për shumë është bërë tashmë   program jete: “Ne besojmë në këtë ekonomi. Nuk është utopi, sepse  tashmë po e ndërtojmë. Dhe disa prej nesh, në agime veçanërisht të ndritshme, e kanë parë tashmë fillimin e tokës së premtuar”. Të rinjtë e Economy of Francesco angazhohen ta ndryshojnë botën. E nga Asizi, vizioni i tyre, jo utopia, përfshin të gjithë botën.

24 shtator 2022, 14:40