Volto di Gesù Cristo Volto di Gesù Cristo

Fjala e Zotit e dielës së 27-të gjatë vitit kishtar “C”

Fjala e Zotit e kësaj së diele, na fton ta kuptojmë e dëshmojmë fenë në Zotin. Feja nuk është një seri së Vërtetash për t’u besuar, por është takim me një njeri: me Jezu Krishtin. Krishti bëhet qendër e jetës së besimtarit, kur njeriu takohet me Të dhe zbulon se cilat janë të vërtetat për t’u besuar. E të takosh Krishtin do të thotë të kuptosh se mjafton feja e madhe sa një kokërr e senapit, për t’i dhënë jetës shijen, kuptimin e cakun jetës sonë të përditshme.

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë hyjnore të dielës së 27-të gjatë viti kishtar ciklit të tretë 'C', sipas kalendarit liturgjik.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 27-të gjatë vitit kishtar “C”

Fjala e Zotit e dielës së 27-të gjatë vitit kishtar “C”

Leximet biblike të kësaj së diele na flasin per fenë dhe gëzimin e fesë. Një kokërr e fesë – na siguron Jezusi në Ungjillin e kësaj së diele nga Luka – mjafton për të fituar mrekulli. Të vetëdijshëm për fenë e pakët dhe të dobët, nxënësit i kërkojnë Jezusit: “Shtoje në ne fenë”. 

Ungjilli, i kësaj së diele të 27-të nga Luka (17,5-10), na fton që edhe ne, si apostujt, t’i themi Jezu Krishtit Zot: ‘Na e shto fenë!”. Po o Zot, feja jonë është e paktë, feja jonë është e brishtë, por ta ofrojmë kështu siç është, që Ti, O Zot, na e shto fenë! E përgjigjja e Zotit është se mjafton të kemi një fe, aq sa kokrra e sinapit, vërtet e vogël, por e vërtetë, e sinqertë, e do të jemi në gjendje të bëjmë gjëra të pamundura për njeriun: Kjo është e vërtetë!

Jezusi na mëson se forca e fesё është në dashuri dhe nё shërbim, siç ilustrohet nga shëmbëlltyra e zotërisë dhe shërbëtorit në shërbim të tij. Vetë Jezusi erdhi për të shërbyer dhe jo për t'u shërbyer nga tё tjerёt. Në komunitetin e krishterë të gjithë duhet ta konsiderojmë veten e tё jemi si "shërbëtorë të padobishëm", të lumtur që mund të japim dhe duam, madje duke sakrifikuar edhe jetën.

Secili prej nesh, me jetën e përditshme, mund ta dëshmojë Krishtin, me atë fenë tepër të paktë që kemi, por të fortë, të fuqishme të dëshmojmë Jezu Krishtin si Zot e Shpëtimtar. Të jemi të krishterë me jetë, me dëshminë tonë në jetën e përditshme. E ku e gjejmë këtë forcë? E gjejmë tek Zoti, në lutje. Lutja është frymëmarrje e fesë: në marrëdhëniet e besimit, në marrëdhëniet e dashurisë, në jeten e perditshme nuk mund të mungojë dialogu e, lutja është dialogu i shpirtit me Zotin.

                                                      Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Hab 1, 2-3; 2, 2-4

Lexim prej Librit të Habakukut profet
Deri kur do të thërras në ndihmë, o Zot, e ti nuk do të dëgjosh? “Dhunë!” – do të klith kah ti, e ti nuk do të më shpëtosh? Pse ma qet para ta shikoj padrejtësinë e ti vetëm e kundron dhunën? Para meje është shkretim e dhunë, bëhet rragatje e peshë çohet grindja!
Zoti atëherë më gjegji e më tha: “Shkruaje vegimin, zgavërroje përmbi rrasëza që lexuesi ta lexojë rrjedhshëm. Është vegim për kohë të caktuar, kah përmbushja shkon, nuk rren; nëse vonon, prite me shpresë, se do të vijë e s’do të vonojë! Sharron ai që i drejtë s’është në shpirt: në saje të fesë së vet jeton i drejti!” Fjala e Zotit.

Psalmi 95
O Zot, bëj që ta dëgjojmë zërin tënd

----- ----- -----
Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje,
t’i këndojmë këngë hareje!
----- ----- -----
Ejani ta adhurojmë,
të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullotës së tij, grigja që ai e ruan.
----- ----- -----
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
----- ----- -----

Leximi i dytë 2 Tim 1, 6-8.13-14

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut

Fort i dashur, të përkujtoj ta ringjallësh dhuratën e hirit të Hyjit që është në ty në saje të vënies së duarve të mia. Sepse Hyji nuk na e ka dhënë shpirtin e frikës, por përkundrazi shpirtin e virtytit, të dashurisë dhe të urtisë.
Prandaj mos të vijë marre ta dëshmosh Zotin tonë as mua të burgosurin e tij, poq hiq keq bashkë me mua për Ungjill duke u mbështetur në fuqinë e Hyjit. Ki për normë fjalët e shenjta që i ke dëgjuar prej meje në fe e në dashuri që është në Krishtin Jezus. Ruaje, me ndihmën e Shpirtit Shenjt që banon në ne, visarin e paçmueshëm të fesë që t’u besua. Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.

Ndriçoni porsi pishtarë në botë, duke e mbajtur lart Fjalën e Jetës. Aleluja.

Ungjilli Lk 17, 5-10

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë, apostujt ia drejtuan Zotërisë këtë lutje: “Na e shto fenë!”
Zotëria u tha: “Po të kishit fe aq sa është kokrra e sinapit, do t’i thoshit këtij mali: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!’ – e ai do t’ju dëgjonte.
Cili prej jush do t’i thotë shërbëtorit të vet që i punon tokën ose i ruan dhentë, kur të vijë në mbrëmje prej fushës: ‘Hajde e ulu me të shpejtë në tryezë!’ A thua jo, përkundrazi, nuk do t’i thotë: ‘Bëje gati darkën, ngjishu e më shërbe sa të ha e të pi unë një herë e pastaj ha e pi edhe ti!?’ A thua do ta falënderojë shërbëtorin pse zbatoi çka iu urdhërua? Po kështu edhe ju, kur të kryeni gjithçka ju qe urdhëruar, thoni: ‘Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë’.” Fjala e Zotit.

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA XXVII GJATË VITIT: RUAJE VISARIN E PAÇMUESHËM TË FESË!

(Hab 1, 2-3; 2, 2-4; Ps 95 (94); 2 Tim 1, 6-8. 13-14; Lk 17, 5-10)

«Edhe mund të ndodhë që të mos besojmë në asgjë, por janë disa raste në jetë ku nuk mund të rrish pa hyrë në tempullin e parë që të del përpara.», thoshte Viktor Hygo, shkrimtari më i famshëm francez i shekullit XIX. Nevoja e shpirtit njerëzor për të kërkuar Hyjnoren, është e papërmbajtshme. Vetë Hyji na ka krijuar të tillë dhe prandaj mezi pret që t’i afrohet njeriut, për t’ia plotësuar këtë zbrazëti sadopak. E thoshte shumë bukur këtë në shekullin e kaluar edhe shkrimtari amerikano-francez Julien Green: «Shpirti njerëzor është si një humnerë që e tërheq Hyjin e Hyji vetë hidhet aty.»

Por janë shenjtërit ata që e tregojnë më qartë dobinë e fesë. Shenjtja Bernadetë Subiru, vegimtarja së cilës iu shfaq Zoja e Bekuar në Lurdë të Francës në vitin 1854, thoshte: «Sikur të kishim fe, do ta shihnim Hyjin në çdo gjë.» Për këtë arsye edhe martiri shqiptar, i Lumi Vinçenc Prennushi, shkruante: «Po, ma mirë shtatë pash nen dhè, se me bjerrun shejten Fe!» E, in odiuim fidei (për urrejtje ndaj fesë) ai qe arrestuar nga komunistët dhe vdiq nën tortura çnjerëzore në vitin 1949, duke i dëshmuar kështu ato fjalë të poezisë së tij.

Prandaj tani e kuptojmë se sa e bukur është ajo lutja që apostujt i drejtojnë Jezusit sot në Ungjill: «Na e shto fenë!» E, mbi fenë, flasin sot të gjitha tekstet e Shkrimit Shenjtë që sapo dëgjuam.

Leximi i parë flet për një britmë ankese që profeti Habakuk drejton kah Zoti. Profeti i kërkon përgjigje Zotit për heshtjen e Tij përballë padrejtësive në botë: «Deri kur do të thërras në ndihmë, o Zot, e ti nuk do të dëgjosh? ‘Dhunë!’ do të klith kah ti, e ti nuk do të më shpë­tosh? Pse ma qet para ta shikoj padrejtësinë e ti vetëm e kundron dhunën?» Janë fjalë ankese, së cilës ma do mendja se të gjithë do t’u bashka­ngjiteshim menjëherë. Dhe ja përgjigjja e Hyjit: «Sharron ai që i drejtë s’është në shpirt: në saje të fesë së vet jeton i drejti!» Përgjigja e Hyjit është që, për hir të dashurisë ndaj Tij, besimtari të vazhdojë ta ushtrojë drejtësinë, edhe pse në botë sheh krejtësisht të kundërtën. Nëse jo, atëherë do të «sharrojë», pra do ta humbasë vetveten, duke bërë edhe ai padrejtësi si të gjithë të tjerët. Fjala «sharron» në këtë rast përdoret jo vetëm për të treguar shpërfytyrimin e natyrës së njeriun nga mëkati, por edhe humbjen e shëlbimit të tij të amshuar.

Por i drejti mund ta ruajë vetveten të paprekur nga padrejtësia. Kush ia mundëson këtë? Feja e vet në Hyjin: «Në saje të fesë së vet jeton i drejti.» «Njeriu ecën në mes dy të kundërtave. Këta nuk janë e keqja dhe e mira, por e keqja dhe feja.», thoshte me të drejtë Sören Kierkegard, filozofi e teologu danez e shekullit XIX. Shpesh është shumë e vështirë ta dallojmë të keqen nga e mira, prandaj është feja ajo që duhet dhe mundet të na shndrisë. Për këtë arsye duhet që gjithnjë ta kultivojmë, ta ruajmë e ta rigjallërojmë besimin tonë në Hyjin.

Pikërisht këtë i porosit edhe Shën Pali Timoteut në letrën që dëgjuam sot: «Fort i dashur, të përkujtoj ta ringjallësh dhuratën e Hirit të Hyjit që është në ty në saje të vënies së duarve të mia.» E më poshtë: «Ruaje, me ndihmën e Shpirtit Shenjt që banon në ne, visarin e paçmue­shëm të fesë që t’u besua.» E këtu Shën Pali nuk e ka fjalën për Hirin e Hyjit në përgjithësi. Ai Timoteut i përkujton «të ringjallësh dhuratën e Hirit të Hyjit që është në ty në saje të vënies së duarve të mia.» Shën Pali e kishte shuguruar ipeshkëv Timotetun, duke e lënë si bari të një bashkësie të caktuar, prandaj i thotë që të mos e lërë pas dore ruajtjen e kësaj dhurate që i është bërë në fe nga Hiri Hyjnor.

Por duhet të sqarojmë menjëherë se nuk jemi edhe aq ne që e mbajmë fenë, sepse shumë më shumë është feja ajo që na mban ne.

Në një përrallë thuhet se Hyji i kishte krijuar të gjithë shpendët e, në mes tyre, kishte krijuar edhe pëllumbin. Por kishte harruar t’i vinte atij krahët. Pëllumbi sillej nëpër kopështin ku banonin të gjitha kafshët e shpendët së bashku me njeriun, por filloi të mërzitej, sepse shpendët e tjerë filluan ta tallnin duke i thënë: «Shiko: ti nuk ke krahë e ne po!» I zemëruar, shkon tek Hyji dhe i thotë: «Përse të gjithë shpendët e tjerë kanë flatra e unë jo?» E Hyji u kujtua: «Oh, më fal! Kisha harruar krejt.» I bëri dy krahë e ia vendosi. Atëherë pëllumbi përsëri sillej nëpër kopësht duke i tërhequr zvarrë krahët e tij. Nuk e kishte kuptuar, në fakt, se duhet t’u jepte fort atyre për të fluturuar. Në vend që të ndihej më i kënaqur, u mërzit edhe më shumë. Përsëri shkoi tek Hyji dhe i tha: «Po përse m’i dhe këta krahë? S’ka gjë që i mbart. Më duhet t’i tërheq gjithnjë zvarrë e le pastaj të fluturoj!» Por Hyji iu përgjigj: «Oh jo, pëllumb i dashur, e ke kuptuar mbrapsht: nuk je ti ai që duhet t’i mbash krahët, por krahët do të të mbajnë ty. Ti mjafton vetëm që t’i vësh pak në punë.» Kështu pra: mjafton që fenë ta vëmë pak në punë e pastaj është ajo që na mban ne.

Habakukut profet Zoti i përkujtonte që ta ruante dhuratën e fesë; Timoteut Shën Pali i përkujtonte që ta ringjallte Hirin e episkopatit që ishte në të; meshtarit do t’i përkujtonte të ringjallte Hirin e sakramentit të meshtarisë; një përsoni të kushtuar në jetën rregull­tare do t’i përkujtonte të ringjallte Hirin e kushteve të bëra; një të martuari do t’i përkujtonte të ringjallte Hirin e sakramentit të martesës. Pra të gjithëve Hyji na kërkon ta ruajmë «visarin e fesë» që arrin tek ne: sakramentet, Shkrimin Shenjt, traditën e krishterë, të shpjeguara të gjitha nga autoriteti kishtar.

Por ajo që duhet dhe mund ta bëjmë gjithnjë, është që edhe ne t’i drejtohemi Jezusit me lujten që iu drejtuan apostujt: «Na e shto fenë!» Duhet që vazhdimisht t’i drejtohemi Atij që është «Autori dhe Përkryesi i fesë sonë» (Heb 12, 2). Feja ushqen lutjen, por edhe lutja e ushqen fenë.

E apostujve sot Jezusi ua kupton kërkesën e drejtë që kanë, por dëshiron t’u sqarojë atyre edhe diçka: feja nuk është diçka sasiore. Ajo nuk matet me kilogramë apo me metra. Feja, besimi në Hyjin, është një akt lëshimi plot dashuri në gjithëpushtetsinë e Hyjit. Edhe pse ky akt nganjëherë duket shumë i vogël (nganjëherë ngjan me një puhizë të hollë ere) ai mund të “fitojë” ndërhyrjen e gjithpu­shtet­shme të Hyjit dhe, në atë rast, ligjet e natyrës do t’i lënë vendin pushtetit të Tij dashamir. Jezusi e thotë vetë: «Po të kishit fe aq sa kokrra e sinapit, do t’i thoshit këtij mandi: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!’ e ai do t’ju dëgjonte». E kokrra e sinapit është shumë e vogël. Pyes veten nganjëherë se mos ndoshta, fakti se lutemi shumë për të kërkuar nga Hyji ndonjë mrekulli e mrekullia nuk ndodhë, do të thotë se nuk kemi fe sa duhet? Shpesh ashtu është: sikur të kishim pak më shumë fe, mrekullitë patjetër që do të ndodhnin, siç e dimë se kanë ndodhur në jetën e shumë shenjtërve dhe nuk kanë pse të mos ndodhin edhe tani. Prandaj shpesh duhet edhe ne, si apostujt, t’i lutemi Jezusit: «Na e shto fenë!»

Por kjo nuk do të thotë se, duke qenë se vëmë në punë fenë, jemi duke bërë ndonjë gjë kushedi se çfarë, ndonjë gjë që, si të krishterë, mund edhe të mos e bëjmë. Është detyrë e jona ta bëjmë. Për të na e sqaruar këtë, Jezusi thotë «Cili prej jush do t’i thotë shërbëtorit të vet që i punon tokën ose i ruan dhentë, kur të vijë në mbrëmje prej fushës: “Eja e ulu me të shpejtë në tryezë!” A thua jo, përkundrazi, nuk do t’i thotë: “Bëje gati darkën, ngjeshu e më shërbe sa të ha e të pi unë një herë e pastaj ha e pi edhe ti?” Po kështu edhe ju, kur të kryeni gjithçka ju qe urdhëruar, thoni: “Jemi shërbëtorë të pavlefshëm. Bëmë vetëm atë që patëm detyrë të bëjmë.”»

Këto fjalë të Jezusit janë për të na ruajtur në përvujtëri. Ato nuk e lënë mënjanë dinjitetin tonë si bij dhe bija të Hyjit, por na ftojnë që të ruhemi nga krenaria. Nëse unë si meshtar do ta quaja si heroizëm faktin se kremtoj meshën, se predikoj, se rrëfej dhe mbarështoj sakramente të tjera dhe se praktikoj virtytet e krishtera, Jezusi do të më thoshte: «Nuk po bën asgjë tjetër veçse detyrën tënde si meshtar.» Kështu edhe një tjetri, nëse ai bën ato gjëra që gjendja e jetës së tij ia kërkon, Jezusi i kujton që të mos krenohet, sespe po bën veçse detyrën e vet. E bukura pastaj është se, sa më shumë që e bëjmë detyrën tonë, aq më fort ndjejmë gëzim dhe paqe të brend­shme. Kjo sepse kemi filluar ta ringjallim Hirin e posaçëm të Hyjit që na është dhënë. E pastaj, është ky hir që na mban ne. Pothuajse çdo herë që Jezusi bënte ndonjë mrekulli, u thoshte të shëruarve: «Feja jotë të shpëtoi». Feja ndjell mrekullitë. Feja shpëton.

E kishte kuptuar shumë bukur këtë Shën Françesku i Asizit kur thoshte: «Fillo të bësh atë që është e nevojshme, pastaj atë që është e mundshme e, papritmas, do të habitesh kur të shohësh se po bën gjëra të pamundura».

Cituam disa autorë të ndryshëm brenda këtyre pak rreshtave e mbase do të na pëlqente të lexonim edhe ndonjë thënie tjetër mundësisht elegante. Por feja nuk është çështje elegance, sepse, herët a vonë, për secilin prej nesh vjen ora ku nuk na intereson më eleganca, por e vërteta. Prandaj le të kapemi fort pas porosisë që na jep Jezusi në pjesën e sotme ungjillore: «Po të kishit fe aq sa kokrra e sinapit, do t’i thoshit këtij mandi: ‘Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det!’ e ai do t’ju dëgjonte.»

«Ruaje visarin e paçmueshëm të fesë!», porosit shumë përzemërsisht Shën Pali. Feja jo vetëm që “nxjerr” Hire nga Zoti e na jep edhe sy t’i shohim mrekullitë e Tij, por edhe na ruan që të mos «sharrojmë», të mos birremi, këtu e në përjetësi.

Dom Dritan Ndoci

01 tetor 2022, 11:01