Kërko

 Vangelo della Domenica XXVIII C - Gesù guarisce lebbrosi Vangelo della Domenica XXVIII C - Gesù guarisce lebbrosi

Fjala e Zotit e dielës së 28-të gjatë vitit “C”

Ungjilli i kësaj së diele tё 28-tё nga Luka (17,11-19), na rrëfen shërimin e dhjetë të sëmurëve nga gërbula bërë nga Jezusi. Një i vetëm, edhe ai i huaj, një samaritanas, u kthye për të falënderuar bamirësin e vet, Jezusin. Ai, samaritani i huaj, bëhet për ne shembull feje e dashurie. Të mësojmë, pra, edhe ne ta falënderojmë Hyjin për të mirat që na i jep. Mbase jo rastësisht Provania ka dashur që, ndër fjalët e para që i mësohen njeriut në jetë, të jetë fjala «faleminderit».

R.SH. - Vatikan

Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 28-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë sipas kalendarit liturgjik të Kishës.

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 28-të gjatë vitit “C”

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 28-të gjatë vitit “C”

Liturgjia e kësaj së diele na propozon temën e fesë, të mrekullisë, të mirënjohjes e të falënderimit tonë ndaj Bamirësit tonë më të madh, që është Zoti. Edhe këtë të diel, Feja në Zotin është në qendër të leximeve biblike të liturgjisë. “Feja jote të shpëtoi” pohon Jezusi në Ungjillin e kësaj së diele nga Luka.

Ungjilli i Lukës, kësaj së diel, na tregon për takimin e të gërbulurve me Jezusin dhe shërimin e tyre.  Dhjetë të gërbulurit e shëruar nga Jezusi, pёr çka na flet pjesa e Ungjillit nga Luka, nuk u shëndoshën vetëm në trup, por edhe në shpirt. E ky është shërimi më i thellë, që përfshin korp e shpirt, duke e shpëtuar njeriun plotësisht. Një shpëtim i tillë është diçka shumë më e madhe se shëndeti fizik. Samaritani, që kthehet te Jezusi për ta falënderuar, është njeri i shëruar në shpirt, prandaj Jezu Krishti i thotë: ‘Feja jote të shpëtoi!’.

Eshtë feja ajo që e shpëton njeriun, duke ia rikthyer lidhjen e thellë me Zotin, me vetveten dhe me të tjerët; është feja, që shprehet përmes mirënjohjes. Kush di të falënderojë, si samaritani i shëruar, tregon se nuk e konsideron gjithçka si domosdoshmëri, por si dhuratë që, edhe atëherë kur e merr nga njerëzit ose nga natyra, prap se prap vjen nga Zoti. Feja atëherë e ndihmon njeriun t’ia hapë zemrën Zotit, e bën të kuptojë se gjithçka është dhuratë, ëshë hir. C’thesar fshihet në një fjalë të vogël: faleminderit!.

Mirënjohja është qendra e çdo Eukaristie. Këtë e shpjegon mirë lutja e hyrjes së Meshës të kësaj së diele të 28-të gjatë vitit kishtar ‘C’ nga Meshari Romak, e cila na bënë të lutemi kështu: “Çdo vëlla në këtë ditë të shenjtë të kthehet për të të lavdëruar për dhuratën e fesë, o Zot!”.

Historia e Naamanit, në Leximin I nga Libri dytë i Mbretërve, tregon sjelljen e mirënjohjes ndaj Hyjit, falënderimin që shprehet me një rrëfim të fesë: “Tani po e di se s’ka Hyj në asnjë vend tjetër, përveç në Izrael!”.

Arsyeja e falënderimit është besnikëria e Zotit. Leximi II nga Letra e dytë e shën Palit apostull drejtuar Timoteut është shumë i qartë lidhur me këtë: “Nëse qëndrojmë besnikë, bashkë me Të do të mbretërojmë. Nëse i biem mohit, edhe Ai do të na bjerë mohit. Nëse ne nuk i jemi besnikë, Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrsesi nuk mund ta mohojë vetveten!”.

                                                  Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë 2 Mbr 5, 14-17
Naamani është një gjeneral sirian, armik i Izraelit, është i gërbulur, dhe askush nuk arriti ta shërojë. Një skllave hebraike i sugjeron t’i drejtohet një profeti hebre. Naamani pranon të paguajë dhe të poshtërohet përpara një armiku. Profeti Elize nuk pretendon asgjë prej tij dhe e urdhëron të lahet në Jordan. Është e kotë të bësh shumë gjëra për të qenë një besimtar i vërtetë: mjafton të mësosh të pranosh dhuratat.

Lexim prej Librit të dytë të Mbretërve
Naamani zbriti dhe u la shtatë herë në Jordan si i kishte urdhëruar njeriu i Hyjit, iu shërua trupi i tij, iu bë si trupi i fëmijës së njomë dhe u shërua. Atëherë me mbarë ndjekësorinë e vet u kthye te njeriu i Hyjit, qëndroi përpara tij e i tha: “Tani po e di se s’ka Hyj në asnjë vend tjetër, përveç në Izrael! Po të lutem, pra, prano një dhuratë prej anës së shërbëtorit tënd.” Por ai iu përgjigj: “Pasha jetën e Zotit, kujt i shërbej, assesi s’i marr.” Megjithëse iu vu për së tepërmi, Elizeu nuk pranoi assesi. I tha Naamani: “Mirë, pra, si të duash. Por, po të lutem, më lejo të marr unë, shërbëtori yt, vetëm aq dhe sa mund të bartin dy mushq, sepse shërbëtori yt nuk do t’i kushtojë fli shkrumbimi ndonjë zoti tjetër përveç Zotit.”  Fjala e Zotit.

Psalmi 98
Shëlbimi i Zotit është për të gjithë njerëzit

---- ---- ----
Këndoni Zotit një këngë të re,
sepse bëri vepra të mrekullueshme!
Ngadhënjeu me fuqi të së djathtës së vet,
me fuqi të krahut të vet të shenjtë.
---- ---- ----
Zoti e dëftoi shpëtimin e vet,
përpara paganëve e zbuloi drejtësinë e vet.
I ra ndër mend dashuria dhe besnikëria e vet ndaj shtëpisë së Izraelit.
---- ---- ----
Të gjitha skajet e botës e panë
shëlbimin e Hyjit tonë.
Mbarë toka le t’i brohoritë Zotit,
le të gëzojë, të duartrokasë e të këndojë.
---- ---- ----

Leximi i dytë 2 Tim 2, 8-13
Në jetë është e nevojshme të luftosh, Ungjilli mund të të dërgojë në burg. Fjala e lirë e Jezusit të kryqëzuar e ka dërguar Palin në burg dhe ka zbuluar fuqinë e saj të vërtetë. Një mesazh, po të mos ngjallte kundërshtime nuk do të ishte i vërtetë, por do të ishte një tradhti. Jezu Krishti është arsyeja jonë e vërtetë për të jetuar dhe për të shpresuar, sepse ka vdekur për ne.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Timoteut
Fort i dashur, kujtoje Jezu Krishtin të ngjallur nga të vdekurit nga trungu i Davidit sipas Ungjillit që unë predikoj, për shkak të cilit vuaj deri edhe në pranga sikur të isha keqbërës. Por fjala e Hyjit nuk është në pranga! Këndej edhe duroj çdo vështirësi për të mirën e të zgjedhurve që edhe ata ta fitojnë shëlbimin, që është në Krishtin Jezus bashkë me lumturinë e amshueshme. E vërtetë është kjo fjalë: Nëse ne vdiqëm bashkë me Të, bashkë me Të edhe do të jetojmë. Nëse qëndrojmë besnikë, bashkë me Të do të mbretërojmë. Nëse i biem mohit, edhe Ai do të na bjerë mohit. Nëse ne nuk i jemi besnikë, Ai mbetet besnik! Sepse Ai kurrsesi nuk mund ta mohojë vetveten! Fjala e Zotit.

ALELUJA, aleluja.
Jemi fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë; shpallni veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri  nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.
Aleluja.

Ungjilli Lk 17, 11-19
Nëntë të gërbulurit e parë të shëruar prej Jezusit, të shqetësuar për t’iu bindur përshkrimit të ligjeve për të vërtetuar shërimin e tyre, kanë preferuar më shumë të binden sesa të falënderojnë atë që i ka shëruar. I dhjeti i gërbulur përkundrazi, nuk i nënshtrohet provimit të ligjit dhe preferon lirinë për të falënderuar. Besimi lind nga njohja e dhuratës së Hyjit dhe shprehet nëpërmjet një falënderimi të pafund.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Duke udhëtuar për Jerusalem, Jezusi kaloi nëpër Samari e Galile. Kur hyri në një fshat i dolën para dhjetë të gërbulur. Ata zunë vend larg e filluan të bërtasin: “Jezus, Mësues, ki dhimbë për ne!” Kur i pa u tha: “Shkoni e paraqituni priftërinjve!” E ndodhi që, ndërsa po shkonin, u pastruan.
Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke e lëvduar Hyjin me zë të madh. Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe iu falënderua. E ky ishte samaritanas. Jezusi mori fjalën e tha: “Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë tjerët? A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji? Çohu e shko – i tha – feja jote të shpëtoi!” Fjala e Zotit.

Homelia nga dom Dritan Ndoci:

Homelia nga dom Dritan Ndoci

E DIELA XXVIII GJATË VITIT:  KU JANË NËNTË TË TJERËT?

(2 Mbr 5, 14-17; Ps 98 (97); 2 Tim 2, 8-13; Lk 17, 11-19)

Si pa e vënë re, shpesh mendojmë se Hyji na i ka borxh disa gjëra. Kujtojmë se na i ka borxh shëndetin, pasjen e një familjeje të mirë, mundësinë e shkollimit, vendin e punës, diellin që lind në mëngjes, apo mbrëmjen, kur ajo vjen në paqe. Kujtojmë madje se na i ka borxh edhe sakramentet, Shkrimin Shenjt dhe Hirin e Tij në jetën tonë. Prandaj ndodh që, shpesh, të harrojmë ta falënderojmë Atë se na i dhuroi. Edhe nëse në fillim e kemi një farë mirënjohjeje, nuk vonojmë dhe e harrojmë këtë virtyt: «Cila është gjëja që plaket shpejt? Mirënjohja.», pyeste e përgjigjej vetë me ironi Diogjen Laercio, historian i lashtë grek i shekullit III pas Krishtit. E, pikërisht mbi mirënjohjen, flet edhe Ungjilli i sotëm.

Mrekullia që bën Jezusi, ndodh në një formë të veçantë. Jezusi nuk i shëron në vend të gërbulurit, por i fton ata që të shkojnë e të paraqiten tek priftërinjtë, të cilët do të konstatonin shërimin e tyre, shërim i cili do të ndodhte pikërisht rrugës për atje.

Fakti se, për të konstatuar shërimin, Jezusi i dërgon tek priftë­rinjtë (e jo te mjeku) tregon edhe një gjë tjetër të rëndësishme për mendësinë hebraike. Gërbula, përveç se një sëmundje shumë e dhimbshme dhe ngjitëse, shihej edhe si ndëshkim i Hyjit për ndonjë mëkat të bërë. Prandaj në Librin e Jobit thuhet se të gjitha fatkeqësitë që i ndodhën Jobit, ai i duroi pa iu ankuar kurrë Hyjit (deri edhe vdekjen e të gjithë fëmijëve), por kur e kaploi gërbula, filloi t’i kërkonte Hyjit llogari, duke qenë se ishte i bindur se ishte i drejtë, sikurse edhe ishte, në fakt. Donte të dinte nga Hyji se ku kishte mëkatuar. Apo ndoshta Hyji kishte qenë i padrjetë me të?

Arsyeja pse të gërbulurit duhej të paraqiteshin te priftërinjtë, pra, ishte se ata duhej t’ia paraqisnin të shëruarin bashkësisë, për t’u bërë si garantë se kishte marrë fund jo vetëm prania e asaj sëmundjeje ngjistëse, por edhe ndëshkimi i Hyjit.

Porosia e Jezusi që të gërbulurit të niseshin për tek priftërinjtë, kishte, pra, një aspekt praktik, por jo vetëm kaq. Duke e ditur se mrekullia do të ndodhte rrugës, Jezusi donte t’u linte atyre shteg që të mund ta shprehnin në mënyrë edhe më të fortë mirënjohjen e tyre ndaj Tij.

Mund ta imagjinojmë lehtë atë që u ndodhi atyre dhjetë të gërbulurve rrugës. Mund ta përfytyrojmë lehtë gëzimin e tyre kah po vërenin se lëkura e tyre po pastrohej mrekullisht si edhe mund ta hamendësojmë lehtë se si, zemrat e tyre, u gëzuan pa fund se Hyji ua hoqi mallkimin. E kotë të flasim më gjatë për gëzimin se, më në fund, do të mund të ktheheshin pranë familjarëve të tyre të dashur, gjë që deri atëherë, trishtueshëm, u mungonte. Një gëzim i pamasë.

Po si ka mundësi që, hapja e dyerve për vërshimin e një gëzimi të tillë të papritur në jetën e tyre, nuk i bëri të mendonin aspak për atë që po ua hapte ato dyer? Si ka mundësi që prania e mrekullisë nuk i bëri të mendonin për Mrekullibërësin? Mesa duket, edhe këta u ngjajnë atyre fëmijëve që, kur dikush u jep një karramele, e kapin atë me vrull dhe ia mbathin pa u kujtuar të thonë as «faleminderit».

A thua edhe këta, më parë se të mendonin për mirësinë e Jezusit, kujtuan e Ai ua kishte borxh një mrekulli të tillë? Tek e fundit Jezusi e kishte “zanat” të bënte shumë të tilla, mund të kenë menduar. Ja, pra, mëkati të cilin shpesh e bëjmë edhe ne: mosmirënjohja, «gjëja që plaket shpejt».

Por, ndër këta dhjetë të saposhëruar, është vetëm njëri prej tyre ai që kthehet dhe i shpreh Jezusit falënderimin e tij më të thellë. Ungjilltari thotë: «Njëri prej tyre, si pa se u shërua, u kthye duke lavdëruar Hyjin me zë të madh. Ra përmbys para këmbëve të Jezusit dhe iu falënderua.»

«Lavdëronte Hyjin me zë të madh» dhe «Ra pëmbys para këmbëve të Jezusit dhe e falënderoi.»: mos ndoshta e kishte kuptuar se Jezusi dhe Hyji janë i njëjti realitet?!...

Por Ungjilli thekson edhe diçka tjetër: «Ky ishe samaritanas.» Samaritanasit dhe judenjtë (e Jezusi ishte me prejardhje nga Judeja) nuk kishin aspak marrëdhënie të mira në mes tyre. Secila palë e quante heretike palën tjetër. Por, nga ky njeri, kufijtë e zakoneve kapërcehen pa mëdyshjen më të vogël, sepse mrekullia për të ishte shenjë e qartë e mirësisë se Jezusit.

Megjithatë, kishte qenë vetë Jezusi Ai që i kishte kapërcyer i pari këto kufinj: «Duke udhëtuar për Jerusalem, Jezusi kaloi nëpër Samari e Galile.», thotë Ungjilli i sotëm. Pastaj i kapërcen edhe më fort kur, forcën e vet shëruese, e shtrin si mbi judenjtë, ashtu edhe mbi samaritanasin. Këta dy gjeste (kalimi nëpër ato zona dhe mrekullia) janë shprehje e mirësisë së Jezusit. Por vetëm njëri prej tyre arrin ta kapë këtë mesazh, ndërsa nëntë të tjetër ikin në punë të vet.

E këtu Jezusi mbetet shumë i trishtuar: «Po a nuk u pastruan të dhjetët? Ku janë nëntë të tjerët? A nuk u gjet asnjë që të kthehet e t’i japë lavdi Hyjit, përveç këtij të huaji?» Le ta shohim edhe ne këtu trish­timin e Hyjit për sa herë që ne nuk kujtohemi t’i themi as «fale­minderit».

Por të mos mendojmë se Hyji e pret mirënjohjen tonë në atë kuptimin që do të mund ta kërkonim ne nga të tjerët kur u bëjmë ndonjë të mirë. Ne, mbase, atij që nuk na thotë «faleminderit» për nderën e parë, e kemi të vështirë t’i bëjmë edhe një të dytë, po na u dha rasti. Por për Hyjin nuk është kështu. Ai përsëri bën mirë. «Nëse ne nuk i jemi besnikë, Ai mbetet besnik.», thotë Shën Pali sot në leximin e dytë. Problemi është se, e mira e dhuruar, nuk arrin në ne qëllimin e saj të fundit: të lindë fenë, e cila shprehet në falënderim. Nëse prej nesh Hyji kërkon falëderimin, është ngaqë kërkon të vëmë re dashurinë e Tij ndaj nesh, të kuptojmë se mbi ne zbrazet gjithnjë shikimi i Tij dashamir. Kështu, nga mrekullia, do të lindte miqësia jonë me Hyjin. Kjo pastaj do t’i sillte jetës sonë shpëtimin, largimin nga egoizmi, nga e keqja, nga mëkati. Kur mrekullia prodhon këtë, atëherë na ka shpëtuar. Përndyshe do të rrezikonte të na bënte ta keqkuptonim Hyjin dhe mirësinë e Tij. Mbase edhe këtu vlen ajo që ka thënë romancieri brazilian i ditëve tona, Paulo Coelho: «Çdo bekim i injoruar, shndërrohet në një mallkim.» Prandaj Jezusi vetëm këtij të shëruari i flet për shpëtim: «Çohu e shko! Feja jote të shpëtoi!» Interesante: do të thotë se edhe nëntë të tjerët ishin të shëruar, por jo të shpëtuar. Në ta mrekullia nuk e kishte dhënë frytin e vet.

Pikërisht një rast ku mrekullia e jep frytin e vet, na e ofron edhe leximi i parë sot. Bëhet fjalë për shërimin e Naamanit nga Siria po nga sëmundja e gërbulës. Ky ishte një nga oborrtarët e mbretit të Sirisë dhe sëmuret me gërbulë. Merr vesh se në Izrael ishte një profet që bënte shumë mrekulli e niset ta takojë atë. Kur e takon, Elizeu profet i thotë të shkojë e të lahet shtatë herë në lumin Jordan. E ky shkon: «Naamani zbriti dhe u la shtatë herë në Jordan si i kishte urdhëruar njeriu i Hyjit, iu shërua trupi i tij, iu bë si trupi i fëmijës së njomë dhe u shërua.»

Kjo ishte mrekullia. Ja tani fryti i mrekullisë: pasi kthehet te profeti Elize, Naamani, pagan, i thotë: «Tani po e di se s’ka Perëndi në asnjë vend tjetër, përveç në Izrael.» Si shenjë mirënjohjeje, ai dëshiron që profetit t’i dhurojë diçka, por ky nuk pranon asgjë. Naamani e pranon këtë zgjedhje të profetit dhe i kërkon profetit që t’i japë flitë që në Izrael është e mundur t’i kushtohen Zotit: «Mirë, pra, si të duash. Por, po të lutem, më lejo të marr unë, shërbëtori yt, vetëm aq dhe sa mund të bartin dy mushq, sepse shërbëtori yt nuk do t’i kushtojë fli shkrumbimi ndonjë zoti tjetër përveç Zotit.» Mrekullia lindi fenë. Feja u shpreh në mirënjohje. Këtë priste Jezusi edhe nga nëntë të gërbulurit e tjerë, por kjo gjë nuk ndodhi. Te njëri po. E vetëm ai shpëtoi.

«Ku janë nëntë të tjerët?», pyeti trishtueshëm Jezusi. Është me vend të themi pa mëdyshje se, nëse deri edhe Jezusi e pretendon falënderimin e mirënjohjen, sa më fort e dëshirojnë dhe kanë nevojë njerëzit e thjeshtë ta shohin e ta dëgjojnë në ne mirënjohjen për të mirat që mund të na kenë bërë. Nuk është në faj ai që pretendon mirënjohjen, por ai që e lë pas dore atë.

Të mësojmë, pra, edhe ne ta falënderojmë Hyjin për të mirat që na i jep. Mbase jo rastësisht Provania ka dashur që, ndër fjalët e para që i mësohen njeriut në jetë, të jetë fjala «faleminderit». Le të jetë edhe ndër virtytet e para që mësojmë në jetën e fesë!

Ai që di t’u thotë sinqerisht njerëzve «faleminderit», do të kalitet jo pak që edhe Hyjit t’i jetë mirënjohës në jetë. Thuhet se Shenjtja Terezë e Jezusit Fëmijë, e kishte kaq për zemër të thoshte faleminderit për gjithçka, saqë simotrat e saj karmelitane filluan ta thërrisnin si me shaka: «Motra Faleminderit». E kjo shenjtëreshë e dashur, i ishte vazhdimisht shumë mirënjohëse Hyjit në jetën e saj, saqë i dukej se mirësia e Tij e rrethonte nga të katër anët.

Duke ruajtur shpirtin e mirënjohjes në ne, do të dimë të kuptojmë edhe madhështinë e Meshës së Shenjtë. Kaq i mrekullonte të krishterët e parë gjithë kjo afërsi e Jezusit Zot në këtë sakrament të shenjtë, saqë nuk ditën si ta quanin ndryshe veçse EUKARISTI, që do të thotë FALËNDERIM.

Dom Dritan Ndoci

 

 

08 tetor 2022, 09:42