Bambini - brasile - Estatuto da Criança e do Adolescente (ECA) comemora 32 anos Bambini - brasile - Estatuto da Criança e do Adolescente (ECA) comemora 32 anos

Catholic Care for Children International hap një faqe në shërbim të fëmijëve të varfër

Projekti Catholic Care for Children International (CCCI), i promovuar nga Unioni Ndërkombëtar i Eprorëve të Përgjithshëm (UISG), ka inauguruar faqen e tij të internetit, e cila pasqyron angazhimin e madh të motrave rregulltare në mbarë botën fushën kujdesit pët fëmijët

R.SH. - Vatikan

“Me mirënjohje të madhe, në emër të Unionit Ndërkombëtar të Eprorëve të Përgjithshëm, shpreh vlerësimin tim për këtë nismë të mëtejshme, të promovuar nga Catholic Care of Children, me qëllim ndërgjegjësimin dhe tërheqjen e vëmendjes ndaj realitetit të mbrojtjes së fëmijëve”. Këto janë fjalët e motrës Nadia Coppa, ASC, presidente e UISG, në faqen e internetit të organizatës katolike, në lidhje me këtë projekt të ri, "rrënjët e të cilit qëndrojnë në imperativin ungjillor për t'u kujdesur edhe për ata që janë më të brishtë, siç mëson doktrina shoqërore e Kishës katolike, e cila përqendrohet në mënyrë të veçantë mbi dinjitetin e personit”.

Catholic Care for Children International

I filluar në Ugandë, Kenia dhe Zambia, - thuhet në njoftimin për shtyp – Catholic Care for Children International (CCCI) u krijua zyrtarisht në vitin 2020, nën kujdesin e Unionit Ndërkombëtar të Eprorëve të Përgjithshëm (UISG). Misioni i këtij organizmi është të mbështesë lëvizjen e murgeshave katolike, e cila synon të reduktojë nevojën e pritjes së fëmijëve brenda institucioneve jetimore, larg prindërve, të parandalojë prishjen e familjeve dhe të ofrojë zgjidhje të mundshme alternative, të cilat u mundësojnë fëmijëve të rriten në një mjedis familjar të përzemërt. Aktualisht, Catholic Care for Children International vepron në më shumë se 200 vende me programe të ndryshme, edhe përmes partnerëve të saj, në Ugandë, Kenia e Zambia, dhe po përpiqet të shtrijë veprimtarinë edhe në vende të tjera.

Ndryshimi i sistemit mbrojtjes për fëmijë

Në këtë kontekst, shpjegon motra Niluka Perera, RGS, koordinatorja e UISG e Catholic Care for Children International, "faqja e re e internetit e CCCI është një zgjidhje që na mundëson të ripohojmë nevojën urgjente për të revolucionarizuar sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe për t’i bashkëndarë strategjitë largpamëse që po zhvillojnë institutet e ndryshme të Motrave rregulltare”.

Mijëra fëmijë në mbarë botën jetojnë në institucione si jetimore, por jo sepse janë të pastrehë: 80% e fëmijëve, në fakt, kanë një prind ose një të afërm të ngushtë, por nuk kanë burimet e nevojshme për t'i ndihmuar në jetën e përditshme. “Asnjë fëmijë nuk duhet të jetojë në një institucion jetimor sepse familja është e varfër ose e dërrmuar nga vështirësia e aksesit në shërbimet bazë shëndetësore, në ato të mbrojtjes sociale apo të arsimimit për fëmijën e tyre”, tha Motra Perera.

Një familje për çdo fëmijë

Prandaj, UISG, e angazhuar për të ndryshuar këtë situatë, do të përdorë faqen e re të internetit për të ndihmuar motrat dhe institutet rrgulltare të ndajnë më lehtësisht burimet mes tyre, me publikun dhe me shumëllojshmërinë e organizatave që janë të përfshira në lëvizjen e përgjithshme. Faqja do të pasqyrojë përpjekjet e bëra nga motrat rregulltare në mbarë botën, duke ilustruar atë që nevojitet për të realizuar vizionin e "një familje për çdo fëmijë". Për më tepër, përfundon motër Coppa, faqja e re e internetit "do të kontribuojë thellësisht në rritjen tonë, duke na mundësuar të familjarizojmë me përvojat, metodat dhe burimet që promovojnë këtë ide të re të së ardhmes dhe, në të njëjtën mënyrë, të transformimit shoqëror".

16 nëntor 2022, 14:59