Bashkësia katolike, që pret Papën në Bahrein
R.SH. – Vatikan
Në fillim vinin kryesisht nga Iraku fqinj, Turqia, Siria, Libani, Palestina, Jordania dhe Egjipti, më pas, me shfrytëzimin e naftës në rajon, erdhën për punë edhe nga Azia, Sri Lanka, India dhe Filipinet, por edhe nga anë të tjera të botës. Këta janë të krishterët e Bahreinit, mbretërisë së Gadishullit Arabik, ku Papa Françesku ndodhet për vizitë nga dita e sotme (3 nëntor) e deri të dielën, 6 nëntor. Një bashkësi me rreth 140 mijë besimtarë, pak a shumë 10% e popullsisë, shumica e së cilës është e besimit islam.
Tradita e gjatë e bashkëjetesës
Bahreini është një nga shtetet e pakta të Gjirit Persik me popullsi të krishterë vendase. Përveç të krishterëve të huaj, që kanë shkuar për arsye pune, ekziston një bashkësi prej rreth një mijë personash, kryesisht katolikë me origjinë nga vendet fqinje arabe, ardhur ndërmjet viteve tridhjetë dhe pesëdhjetë, të cilëve iu dha nënshtetësia më pas. Në Mbretërinë, ku Islami është fe zyrtare dhe sistemi ligjor bazohet në ligjin islamik, sigurohet liria e kultit si për bashkësitë e krishtera, ashtu edhe për besimtarët e feve të tjera. Këtu, në fakt, u ndërtua kisha e parë katolike në rajonin e Gjirit: është Kisha e Zemrës së Krishtit, ngritur në kryeqytetin Manama, në vitin 1939, në tokën e dhuruar nga Emiri i atëhershëm. Një kishë e dytë u ndërtua në komunën e qytetit Awali, në tokën e dhuruar në vitin 2013 nga Mbreti Hamad bin Isa al-Khalifa. Sot, katedralja e Zojës së Arabisë është kisha më e madhe katolike në rajon: projekti filloi në vitin 2014 falë administratorit apostolik të atëhershëm të Arabisë Veriore, imzot Camillo Ballin. Kushtimi i saj u kremtua më 10 dhjetorin e vitit të kaluar, nga kardinali Luis Antonio Tagle, në prani të mbretit Hamad.
Vikariati Apostolik i Arabisë Veriore
Marrëdhëniet diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Bahreinit kanë bërë hapa të rëndësishme përpara vitet e fundit. Filluar në vitin 1999, një etapë e rëndësishme ka qenë sigurisht maji 2014, kur mbreti Hamad u prit në Vatikan nga Papa Françesku, i cili me atë rast mori si dhuratë një maket të katedrales së Zojës së Arabisë, në ndërtim e sipër, si edhe një ftesë për të vizituar Mbretërinë. Në takim, Papa dhe mbreti folën për paqen e stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe për kontributin pozitiv të bashkësisë së krishterë në vend.
Sot katolikët me banim në Bahrein janë nën juridiksionin e Vikariatit Apostolik të Arabisë Veriore, themeluar në vitin 2011, me seli në Awali, ku shërbejnë rreth 65 meshtarë, shumë prej të cilëve françeskanë kapuçinë. Që nga viti 2020, vendi i mbetur bosh nga vdekja e imzot Ballin iu besua imzot Paul Hinder-it, ish administrator apostolik i Arabisë Jugore. Të dyja vikariatet janë anëtare të Konferencës së Ipeshkvijve Latinë për rajonin arab (Celra).