Dioqeza e Sapës kremton Ditën Botërore të të Varfërve
R.SH. - Vatikan
Kisha Katolike kremtoi të dielën, më 13 nëntor, Ditën Botërore të të Varfërve, themeluar nga Papa Françesku. Edhe në Shqipëri, në dioqezën e Sapës, në këtë ditë, u kremtua mesha nga ipeshkvi, imzot Simon Kulli dhe u shtrua një drekë për 160 nevojtarë, për të cilët kujdeset Karitasi. Më hollësisht, informacioni i Violeta Marashit…
Të dielen e dytë të nëntorit, 13 nëntor 2022, Dita Botërore e të Varfërve u kremtua edhe në dioqezën e Sapës. Nisur nga tema e caktuar nga Ati i Shenjtë Papa Françesku, “Jezu Krishti u bë i varfër për ju”, nën organizimin e Karitasit dioqezan, kjo ditë iu përkushtua të varfërve për të cilët Dioqeza dhe Caritasi kanë synimin për t’i vënë në qendër të vëmendjes së tyre duke i ndihmuar dhe lehtësuar sadopak vështirësitë e jetës.
Dita Botërore e të varfërve u kremtua fillimisht me Meshën Shenjtë udhëhequr nga Imzot Simon Kulli, në Katedralen Shën Nënë Tereza, i cili theksoi se të gjithë ne duhet të kujdesemi për të varfërit ndër të varfër. Siç ka thënë edhe vetë Nënë Tereza, nëna e të varfërve, Kujdesi i treguar dhe puna jonë nuk është asgjë tjetër përpos shprehja e dashurisë sonë ndaj Zotit. Këtë dashuri ndaj Zotit duhet ta ruajmë gjithnjë ndërsa të tjerët janë mjet për ta shprehur dhe dëshmuar këtë dashuri...".
Me pjesëmarrjen e 160 personave të kësaj shtrese Karitas Sapa shtroi drekën me familjet në nevojë, në praninë e Imzot Simon Kulli, klerit, punonjës dhe vullnetarë të Karitasit dioqezan Sapa dhe besimtarë që asistuan në ndihmë të kësaj dreke festive ku të gjithë ndjehen të njejtë dhe të barabartë. E veçanta e kësaj dite ishte se Imzot Simoni së bashku dhe meshtarët e motrat shërbyen drekën për këto persona të çmuar në sytë e Zotit dhe të Kishës.