Imzot Hinder: Papa në Bahrein për të krishterët e Arabisë dhe 'diplomacia' me Riadin

Mesha e kremtuar në stadiumin Kombëtar të Bahreinit, “çasti më prekës”. I dukshëm “entuziazmi” i dhjetëra mijëra besimtarëve dhe “përkushtimi” i bashkësisë vendase në përgatitjen e vizitës. Vuajtjet fizike të Papës, “brishtësia” e tij, prek edhe zemrat e myslimanëve

R.SH. - Vatikan

Çasti “më prekës” i shtegtimit të Papës Françesku në Bahrein, që përfundoi të dielën me 6 nentor, ishte Mesha e kremtuar në stadiumin Kombëtar të Bahreinit, në të cilën ishte i dukshëm "entuziazmi" i besimtarëve nga i gjithë rajoni i Gjirit, mbledhur në lutje në kremtimin e misterit Eukaristik”. Kështu e përshkruan kremtimin Imzot Paul Hinder, administrator apostolik i Arabisë veriore (Kuvajti, Arabia Saudite, Katari dhe Bahreini), i cili e jetoi në lidhje të ngushtë me Papën vizitën, që vijoi nga 3 deri më 6 nëntor, përplot me ngjarje të rëndësishme. Edhe personalisht - shpjegon imzot Hinder- duke kujtuar se nuk ishte pritja e parë e Papës e se edhe në vitin 2019 e pati mirëpritur Papën në Emiratet e Bashkuara Arabe, ngjarje “historike”, ende e gjallë në kujtesë! “Kjo prani e dytë ia kaloi shumë së parës e edhe asaj, që pritej”.

I pyetur për bilancin e vizitës, ipeshkvi me origjinë zvicerane, prej një kohe të gjatë në rajon, fillimisht si vikar i Arabisë Jugore (Eau, Jemen, Oman), më pas si administrator apostolik i veriut -  flet për “ një vizitë që shkoi shumë mirë, ngaqë u organizua si duhet nga të dyja palët, qeveria e Manamasë dhe Vatikani”. Pohon, më pas se e mahniti përkushtimi që treguan “këta njerëz, që ia kushtuan ditë e netë përgatitjes të hollësive më të vogla”.

Fjalime të guximshme

Më pas, prelati nënvizon “fjalimet e Papës”, të cilat i quan “të guximshme në mënyrën e trajtimit të problemeve themelore” si të drejtat e njeriut, liritë fetare e, sidomos, qëndrimeve të forta kundër luftës dhe në favor të punës në jetën e migrantëve.

Ta dëshmosh fenë, sfidë për të krishterët e rajonit

Për të krishterët e rajonit, pohimi i fesë në të cilën besojnë është gjithmonë  sfidë, duke pasur parasysh “situatën e veçantë" në të cilën jetojnë dhe numrin e kufizuar”-  vëren Ipeshkvi Hinder - në një kohë kur “duhet të kryejnë një detyrë shenjte - siç kujtoi vetë Papa - sepse “janë të thirrur ta jetojnë Ungjillin në realitetin e tyre, në një mënyrë të thjeshtë dhe të përvuajtur e, njëkohsisht, të besueshme”. por njëkohësisht edhe në një frymë “paqësore”. “Sa për të drejtat, lirinë fetare ashtu edhe për paqen - shton ai - ata që e dëgjuan dhe duhet ta kuptonin, e kuptuan mesazhin”.

Proces ende në progres

Udhëtimi i këtyre ditëve pason vizitën e vitit 2019 në Emiratet, e para historike për një papë në një vend të Gjirit. Është “sigurisht pjesë dhe vazhdimësi e së njëjtës logjikë, megjithëse proces ende në progres”. “Rrugë e afrim në frymën e respektit dhe të mirëkuptimit të ndërsjellë”, veçanërisht “në nivelin e veprimit, sipas mendimit të Papës, pavarësisht nga ndryshimet [Krishterimi dhe Islami] në fe dhe në doktrinë. Por qëllimi është “të arrihet në pika të përbashkëta” për të forcuar "sinergjinë", proces që “nuk mund të ndodhë brenda një dite, por këmbëngulja e Papës është  element force dhe besimi” edhe nëse nuk do të ketë rezultate të menjëhershme dhe të gjitha pritshmëritë nuk do të përmbushen 100%.

Në Bahrein nuk u nënshkrua asnjë dokument, sepse teksti i nënshkruar në Abu Dhabi, në vitin 2019, mbetet i vlefshëm dhe zemër e enciklikës “Fratelli tutti”. Mbetet, shton imzot Hinder, “vazhdimësia në mësimin dhe në praktikën” e marrëdhënieve islamo-kristiane. Në takimin me meshtarët, besimtarët dhe laikët e angazhuar në kujdesin baritor, u theksua “inkurajimi i fortë” për të vazhduar  misionin – vijoi Prelati - i cili më pas prelati  kujtoi se kishte folur “në një çast të papritur dhe personal” me Papën për situatën e të krishterëve në Arabinë Saudite, disa prej të cilëve ndoqën drejtpërdrejt shtegtimin apostolik. “Ka një urë jo vetëm fizike” ndërmjet dy vendeve, që favorizon lidhjet dhe shkëmbimet edhe për bashkësinë e krishterë, ndërkohë që ekziston një “diplomaci e matur” që “më efektive” për të dhënë fryte në të ardhmen.

Prania e Papës, burim gëzimi për besimtarët

“Për besimtarët - përfundon imzot Hinder - prania e Papës ishte burim gëzimi dhe krenarie. Tri herë në dy vjet, duke pasur parasysh pandeminë Covid-19 dhe shëndetin e Papës, na bëjnë të kuptojmë se nuk jemi të harruar dhe ky është element i një ngushëllimi të madh. Për më tepër, Françesku preku jo vetëm zemrat e të krishterëve, por edhe të vetë myslimanëve me brishtësinë e tij fizike, por sidomos me forcën shpirtërore, që i jep forcë për t'i bërë këto udhëtime dhe për t’u takuar përvujtërisht me njerëzit në të katër anët e botës”.

08 nëntor 2022, 08:52