Nxjerrja e naftës Nxjerrja e naftës

Ipeshkvijtë evropianë: kundër krizës energjitike, çmime të drejta për të gjithë

Në një deklaratë, Comece u kërkon qeverive të kontinentit të vjetër të zbatojnë masa konkrete për të lehtësuar barrën, që peshon mbi qytetarët, për shkak të shtrenjtimit të jetesës. Imzot Antoine Hérouard, kryetar i Komisionit të Çështjeve Shoqëroree: bëjmë thirrje për solidaritet ndërmjet vendeve, duhet ndërtuar një sistem i ri, duke vazhduar bashkëpunimin në sektorin e energjisë

R.SH. – Vatikan

Shqetësimi i Kishës Evropiane për emergjencën energjetike, që po prek gjithë botën, në një deklaratë zyrtare të Sekretariatit të Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian (COMECE). Në thirrjen e tyre, ipeshkvijtë u kërkojnë me forcë të gjitha qeverive të BE-së të “garantojnë përdorimin e barabartë të energjisë, me çmime të përballueshme për të gjithë, veçanërisht për më të varfërit, pa e larguar vëmendjen nga objektivat afatgjata për një tranzicion energjitik të drejtë dhe të qëndrueshëm”.

Lufta dhe pasiguria energjitike

Comece nënvizon se lufta në Ukrainë është një nga faktorët kryesorë për krizën aktuale të energjisë, që po varfëron gjithnjë e më shumë familjet dhe ndërmarrjet. “Varësia e tepruar nga importimi i naftës dhe i gazit prej një furnizuesi të vetëm - shkruajnë ipeshkvijtë – i ka dhënë mundësinë Rusisë t’i përdorë furnizimet e saj si armë. Kjo e ka shtuar pasigurinë energjitike në gjithë Evropën”.

Hérouard: “Të mos harrohet Doktrina Shoqërore e Kishës”

“Deklarata jonë është thirrje për solidaritet ndërmjet vendeve evropiane dhe për vëmendje të veçantë ndaj më të varfërve”, pohon, në mikrofonin e Radio Vatikanit – Vatican News, kryeipeshkvi i Dizhonit, imzot Antoine Hérouard, kryetar i Komisionit të Çështjeve Shoqërore në Comece. Prelati vë në dukje ekzistencën e “lidhjeve të dukshme ndërmjet zgjidhjeve politike, që u takojnë qeverive, dhe parimeve të Doktrinës Shoqërore të Kishës. Në këtë kuptim, duam të nënvizojmë – thekson ai - parimet e mëdha mbi destinacionin universal të mallrave, mbi opcionin preferencial për të varfërit dhe mbi ekuilibrin ndërmjet drejtësisë dhe paqes”.

Lehtësim ekonomik dhe kursim energjitik

Ipeshkvijtë evropianë u sugjerojnë organizmave të Brukselit të marrin masa konkrete dhe të menjëhershme. Imzot Hérouard shpjegon se këto ndërhyrje mund të jenë “masa të përkohshme për ndihmë ekonomike, që të sigurohet një shpërndarje e barabartë e pasurisë. E më pas, duhet t’i japim përparësi frytshmërisë energjitike dhe të përcaktojmë objektiva, për të cilat bëhet i mundur reduktimi i përgjegjshëm i konsumit të energjisë”. Së fundi, ipeshkvijtë i këshillojnë shtetet anëtare të BE-së të vazhdojnë bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh, që synojnë hedhjen e themeleve për një sistem të ri energjitik universal.

08 nëntor 2022, 11:55