Kardinali Suharyo: në G20 të mëdhenjtë u thirrën të punojnë për paqen
R.SH. - Vatikan
Samiti i G20 në Bali të Indonezisë përfundoi të premten e kaluar duke iu kundërvënë fuqimisht, ndonëse jo njëzëshëm, luftës dhe duke pohuar promovimin e dialogut e të diplomacisë.
Gjatë samitin, vëmendje e madhe iu kushtua feve dhe kontributit të tyre në zhvillimin e gjithanshëm të njeriut dhe të kulturës për paqe. Ndër nismat kryesore: Karta për të drejtat e fëmijëve dhe mbrojtja e tyre në botën dixhitale, krijimi i fondit të solidaritetit për projektet në vendet në zhvillim dhe kujdesi për arsimim, lidhur me të ardhmen e brezave të rinj.
Duke bërë bilancin e takimit, ku morën pjesë vendet më të industrializuara, Kardinali Ignatius Suharyo, kryeipeshkëv i Xhakartës, në një intervistë për Vatican Radio - Vatican News, nënvizon pikërisht këtë aspekt, i cili bashkon dhe mishëron vlerat e shprehura nga Papa Françesku në enciklikën “Fratelli tutti”. Në të gjitha fushat - nënvizon kardinali - është e nevojshme ta shikosh veten te fqinji.
Dëgjoni intervistën me kardinalin Suharyo
Nga Indonezia, një mesazh paqeje
Kardinali Suharyo kujton akoma se duhet përshkuar një rrugë e rëndësishme e se duhet përshkuar së bashku. Prandaj, nga ky G20 në tokën Balineze u zhvillua një dialog 360 gradësh. Askush nuk mund të përjashtohet nga ky rrugëtim, për t’u ndërmarrë si bashkësi.
Ne duhet të flasim për paqen me të gjithë - pohon - duke kujtuar më pas se presidenti i Indonezisë, Joko Widodo, pak kohë më parë arriti të dialogojë si me presidentin e Ukrainës, Zelenski, ashtu edhe me presidentin rus, Putin. Vetë Indonezia - përfundon kardinali Suharyo - një vend me shumicë myslimanësh, por edhe me bashkësi të tjera fetare, duke përfshirë edhe pakicën katolike, është shembull i bashkëjetesës paqësore të besimeve të ndryshme.