Të persekutuar dhe të harruar: eksodi dramatik i të krishterëve në Lindjen e Mesme

Denoncimi gjendet në raportin e fundit të fondacionit ‘Ndihmë për Kishën që Vuan’. Në Cisjordani numri ka shkuar nga 18% në më pak se 1%. Mbi 5 mijë janë arratisur muajt e fundit. Në Siri që nga fillimi i luftës së vitit 2011, të krishterët sot janë më pak se 2% nga 10% e numrit të përgjithshëm. Për të rritur ndërgjegjësimin mbi këtë çështje më 23 nëntor do të mbahet “e mërkura e kuqe”, një ditë lutjeje për të krishterët e persekutuar

R.SH. - Vatikan

Prania e krishterë në shumë pjesë të Lindjes së Mesme po përballet me një "kërcënim ekzistencial" të vërtetë, me komunitetet në vende të ndryshme që dikur lulëzonin e sot janë shndërruar në hijen e tyre. Kjo është ajo që del në raportin e fundit fondacionit ‘Ndihmë për Kishën që Vuan’( (Aid to the Church in Need), me titull "Të persekutuar dhe të harruar? Një raport mbi të krishterët e shtypur për shkak të fesë së tyre 2020-2022" i cili këtyre ditëve u prezantua për publikun. Një shqetësim i madh për të krishterët, të cilët pavarësisht se janë një komponent origjinal i rajonit të Lindjes së Mesme rrezikojnë të zhduken në shumë vende për shkak të fenomenit migrator, të cilin vetë patriarku kaldeas e ka cilësuar prej kohësh si një "eksod" me përmasa dramatike.

Papa Françesku e ngriti këtë çështje së fundmi në takimin e tij me presidentin francez Emmanuel Macron, duke ftuar Parisin të bëjë përpjekje më të mëdha për të ruajtur këtë prani të të krishterëve, përballë një fenomeni migrator që ka arritur nivele alarmante. Një eksod që ka të bëjë - edhe pse për arsye të ndryshme, nga fundamentalizmi islamik te kriza ekonomike pa harruar konfliktet – me shumicën e vendeve të rajonit, nga Iraku në Siri, nga Palestina në Liban, nga Jordania në Gjirin Persik.

Raporti tregon se 75 vjet pas lindjes së Shtetit të Izraelit, të krishterët në Cisjordani kanë rënë nga 18% një herë në 1% (e edhe më pak). Numri i të krishterëve që janë larguar në 20 muajt e fundit (përfshirë Jeruzalemin) vlerësohet në mbi 5000, shumica e të cilëve u drejtuan për në Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada. Nuk ka lajme më të mira as nga Siria fqinje, përkundrazi: që nga fillimi i luftës në 2011, numri i të krishterëve ka shkuar nga rreth 10% në më pak se 2%, aq sa rrezikohet vetë ekzistenca e tyre.

“Pesë vjet pas disfatës ushtarake të ISIS – shpjegon raporti – kërcënimi i një rilindjeje në shkallë të gjerë nuk është zhdukur aspak. Një ringjallje e lëvizjes xhihadiste ka potencialin t'i japë goditjen përfundimtare krishterimit “në atë që dikur ishte zemra nga e pati origjinën. “Kjo - vazhdon raporti - jo vetëm sepse numri i të krishterëve është tani i ulët, por edhe sepse besimi i tyre është i brishtë. Ata mund të kenë kaluar kohë gjenocidi, por në mungesë të sigurisë tërheqja për migrim është e pashmangshme për shumë njerëz”. E gjithë kjo "shtohet" nga një "mjedis kulturor" që mbetet armiqësor ndaj të krishterëve, të cilën trajtohen si "qytetarë të klasit të dytë, diskriminohen në shkollë dhe në vendin e punës, me paga të ulëta dhe me papunësi" që i shtyn ata të kërkojnë një jetë "jashtë vendit të tyre” të origjinës.

Sa për të krishterët irakianë, me ngritjen e Shtetit islamik të paktën 50.000 patën gjetur strehim në Liban. Sot numri është disa qindra, ku shumica kanë vendosur të largohen përgjithmonë nga Lindja e Mesme drejt Amerikës së Veriut ose Australisë. Edhe Jordania, edhe pse më e qëndrueshme në nivelin politik dhe me kushte relativisht më të mira sigurie, nuk përfaqëson më një strehë të sigurt dhe po përjeton gjithashtu një fenomen migrator në rritje. E njëjta gjë vlen edhe për Libanin.

Në 30 muajt e fundit, vetëm ambasada kanadeze ka marrë mbi 10 mijë kërkesa imigrimi për të rinj dhe familje, dhe nxitja për të ikur nga Toka e Kedrave është e krahasueshme vetëm me periudhën dramatike të luftës civile.

Si përgjigje, fondacioni ‘Ndihmë për Kishën që Vuan’( (Aid to the Church in Need) ditëve të fundit ka organizuar një ditë lutjeje dhe reflektimi të titulluar "E Mërkura e Kuqe". Më 23 nëntor, të gjitha Kishat janë të ftuara t’i luten Zotit për të krishterët e persekutuar në Lindje të Mesme dhe t’i ndriçojnë ndërtesat me të kuqe në shenjë proteste të heshtur kundër dramës së persekutimit të të krishterëve.

 

21 nëntor 2022, 09:17