Ukrainë: arrestohen dy redentoristë në Berdyansk
R. SH. - Vatikan
Dy meshtarë të Kishës Katolike Greke të Ukrainës u arrestuan nga administrata pushtuese ruse në Berdyansk, në perëndim të Mariupolit. Janë etërit redentoristë Ivan Levystky dhe Bohdan Geleta, përkatësisht famullitari dhe vikari i Kishës së Lindjes së Zojës në qytetin pranë Detit të Zi. Të dy, tani në paraburgim, akuzohen për veprimtari armiqësore kundër përfaqësuesve të trupave ruse në Berdyansk, për përvetësim të mundshëm të armëve dhe municioneve dhe për përhapje librash mbi historinë e Ukrainës.
Mohim i të drejtave themelore të njeriut
Akuzat hidhen poshtë menjëherë nga hekzarkati i Donetskut i Kishës Greko-Katolike të Ukrainës i cili, në një deklaratë, kërkon "lirimin sa më të shpejtë" të tyre dhe flet për "mohim të plotë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut" për dy priftërinjtë, të cilët "në mënyrë absolutisht legale” kryenin misionin e tyre për më shumë se tre vjet. "Ata i arrestuan dhe më pas kontrolluan kuvendin dhe kishën, e akoma, për t’u shfajsuar, shpikën historinë e librave dhe të armëve të fshehura nën tokë" - shpjegon në një intervistë me Svitlana Dukovych, Kryepeshkopi Maksim Ryabukha, i emëruar peshkop ndihmës i ekzarkatit kryepeshkopal të Donetsk. “Histori të trilluara, për të justifikuar terrorin kundër fesë dhe popullatës, sepse lajmi padyshim i prek të gjithë besimtarët katolikë të Donbasit”. Dy meshtarët e arrestuar - shpjegon ipeshkvi – vijojnë misionin e tyre në zonën e pushtuar nga rusët edhe në këto kohë shumë të vështira. “Në këtë luftë të tmerrshme ata vijojnë t’i shoqërojnë njerëzit, ta ruajnë kujdesin atëror dhe amtar të Kishës për të gjithë besimtarët, të cilët fatkeqësisht mbetën në këtë situatë dramatike të pushtimit të ushtrisë ruse, në territorin ukrainas”.
"Jetojmë tmerret e një luftë e padrejtë dhe të tmerrshme, por Zoti nuk ka braktisur askënd" - nënvizon Imzot Ryabukha - dhe shton: “Nuk na mbetet tjetër, veçse të lutemi për meshtarët e burgosur dhe për të gjitha viktimat e kësaj lufte të padrejtë dhe të tmerrshme”. Të lutemi, “që Zoti i mirë t'i mbrojë të gjithë dhe t'i ndihmojë të kapërcejnë këto çaste të vështira, sepse këtu fajësohesh edhe pse je besnik i Kishës sate, besnik i Zotit tënd, bari i mirë për grigjën e Tij”. Ditët e fundit një meshtar tjetër u kap nga rusët në Melitopol dhe vetëm disa orë më vonë u lirua në Zaporizhzhia. Ka meshtarë të tjerë që punojnë jo vetëm në territoret e kontrolluara nga qeveria ukrainase, por edhe në territoret e pushtuara nga ushtria ruse, duke u përpjekur të ruajnë praninë dhe kujdesin baritor në të gjitha ato famulli, ku nuk ka më barinj të tjerë" - shpjegon përsëri peshkopi – duke kujtuar se, për aq sa është e mundur, meshtarët përpiqen ta mbajnë gjallë dhe aktive jetën fetare e shpirtërore. Besimtarët e kuptojnë se në këtë periudhë vështirësish dhe sprovash për popullin tonë, Zoti nuk ka braktisur askënd, por vazhdon të jetë i pranishëm”.
Historia përsëritet….