E diela III e Kohës së Ardhjes: Lutje
R.SH. - Vatikan
Nga Ungjilli sipas Mateut (Mt 11, 2-11)
“2 Tashti, kur Gjoni dëgjoi në burg për veprat e Krishtit, dërgoi nxënësit e vet 3 për ta pyetur: ‘A je ti ‘Ai që do të vijë’, apo duhet të presim një tjetër?’ 4 Jezusi iu përgjigj: ‘Shkoni e tregojini Gjonit çka po dëgjoni e çka po shihni: 5 Të verbërit po shohin, të shqeptit po ecin… të varfërve po u predikohet Ungjilli. 6 I lumi ai që nuk e bjerr besimin në mua!’ 7 Kur shkuan ata Jezusi filloi t’i flasë turmës për Gjonin: ‘Çka dolët të shihni në shkreti? Kallamin që e luhat era? 8 …Njeriun që vishet me petka të bukura?… 9 …një profet? Po, po ju them: edhe më tepër se një profet”.(...)
Profeti pret Mesinë,
Mesia nderon Profetin,
Po ai nuk mund të rrijë pa e pyetur:
“Je ti Mesia?
Po realizohen premtimet?
A mund ta shuaj zërin
tani që erdhi Drita?:
“Je ti ai që duhet të vijë,
a duhet të presim një tjetër?”.
Ti, Jezus, s’do vetëm fjalë të bukura,
vetëm citime të urta.
Prandaj i fton të gjithë
t’i sjellin sytë përreth
e të presin të renë,
që mungullon;
ta kapin në fluturim gëzimin:
gëzim të sëmurësh,
që shërohen;
gëzim të përulurish,
që ngrenë kokën lart;
të pashpresësh,
që nisin të shpresojnë
e të besojnë në kumtin e madh.
Por s’mund të mos e vlerësosh
atë që bëri Profeti për ty.
për Mbretërinë.
Sepse është ai, që udhën ty ta hapi…
Ai, që në dritën ngultas besoi
edhe kur shihej
vetëm një rreze e mekur.
Ai, që guxoi të bërtiste,
të qortonte,
ta padiste të keqen.
E pra e dinte çka e priste:
e priste vdekja.
E prap se prap
pa frikë e kumtoi të renë
para se të mbërrinte,
duke vënë në lojë vetë jetën
për një mision,
që dukej i pamundur!