Të krishterët persekutohen Të krishterët persekutohen

Më 2022 janë rrëmbyer, arrestuar, ose vrarë, më se 100 rregulltarë

Sipas të dhënave të Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”, këtë vit, në vende të ndryshme, janë vrarë 12 meshtarë dhe 5 murgesha, ndërsa 42 meshtarë dhe 9 murgesha të tjera janë rrëmbyer vetëm në Afrikë. Vendi, që shqetëson më shumë është Nigeria, por edhe Nikaragua

R.SH. – Vatikan

Nigeria është vendi në të cilin janë vrarë dhe rrëmbyer më shumë meshtarë dhe rregulltarë gjatë këtij viti. Njoftimin e jep Fondacioni Papnor “Ndihmë për Kishën që vuan”, i cili, në "Raportin për të krishterët e persekutuar, për shkak të fesë, 2020-2022", publikuar ditët e fundit, vë në dukje se gjatë këtij viti, ky numër në të gjithë botën, e kalon 100-shin. Fondacioni i fton të gjitha vendet e përfshira në listën e tij të garantojnë sigurinë dhe lirinë e meshtarëve, rregulltarëve, murgeshave dhe të punonjësve të tjerë baritorë, që punojnë për t'u shërbyer nevojtarëve. Gjithashtu, kërkon lutje për ata, që ende mbahen peng, për familjet e për bashkësitë e atyre, që kanë humbur jetën. Gjatë vitit kanë humbur jetën 12 priftërinj, prej të cilëve katër në Nigeri, tre në Meksikë, vrarë nga narkotrafikantët dhe, dy në Republikën Demokratike të Kongos. Ndërsa pesë murgesha janë vrarë në Sudanin e Jugut, në Haiti, Mozambik dhe në Republikën Demokratike të Kongos.

Meshtarët e rrëmbyer

Ndërkaq, meshtarët e rrëmbyer gjatë vitit arrijnë në 42 vetë, 36 prej të cilëve janë liruar. Në Nigeri, gjatë 2022-shit, u rrëmbyen 28 meshtarë, shtatë vetëm në korrik. Tre nga të rrëmbyerit janë vrarë, ndërsa për dy të tjerë nuk ka asnjë lajm. Gjithashtu nuk dihet asgjë për fatin e një misionari gjerman, rrëmbyer në nëntor në Mali, si edhe pwr dy meshtarë të tjerë nga Burkina Faso e nga Nigeria, rrëmbyer që në vitin 2019. Pas Nigerisë, Kameruni është vendi ku ka pasur më shumë rrëmbime, gjithsej gjashtë. Pesë meshtarë, që u rrëmbyen në shtator, u liruan pesë javë më vonë. Në Amerikën Qendrore, Haiti është kthyer në një nga vendet më të dhunshme: 5 priftërinj janë rrëmbyer nga banditët, pavarësisht se u liruan më vonë. Po kështu, edhe në Etiopi e Filipine, u rrëmbye një meshtar për çdo vend, por më vonë u lirua.

Vitin e fundit janë shtuar persekutimet fetare

Drejtori i degës italiane të Fondacionit “Ndihmë për Kishën që vuan”, Alessandro Monteduro, shpjegon për Radio Vatikanin/Vatican News se zonat ku të krishterët vuajnë më shumë nga diskriminimi e, nganjëherë, edhe nga persekutimi, ndodhen në Afrikë. Është fjala veçanërisht për Sahelin, Çadin, Nigerin, Malin, Burkina Fason dhe Nigerinë. Ndërkaq, gjendja nuk është më e mirë në Azinë jugore - Indi, Pakistan, Mianmar - në Korenë e Veriut dhe në Kinë, ku ka burgime të pajustifikuara. Në 75% të 24 vendeve ku ka persekutime fetare, shton Monteduro, është rritur presioni jo vetëm mbi të krishterët, por edhe mbi të gjitha pakicat fetare. "Në Burkina Faso, për shembull - vazhdon drejtori italian i Fondacionit - 60% e vendit nuk mund të arrihet nga organizatat humanitare, sepse ndodhet nën kontrollin e terroristëve. Bashkësitë e krishtera detyrohen të largohen nga shtëpitë e tyre, ose të shpërngulen në vendet fqinje”.

Në peridhën 2021-2022, janë vrarë rreth 8.000 të krishterë

Monteduro specifikon se rreth 400 milionë të krishterë jetojnë në zona ku persekutohen dhe se në Nigeri, sulmet kundër tyre bëhen nga organizata terroriste xhihadiste - anëtarë të Shtetit Islamik dhe të Boko Haramit – ekstremistë, që u përkasin bashkësive Fulani, barinj që përpiqen të marrin në zotërim tokat e kultivuara më së shumti nga të krishterët. Drejtori i Fondacionit për Italinë nënvizon se ndërmjet viteve 2021 dhe 2022, janë vrarë rreth 8 mijë të krishterë, për shkak të urrejtjes kundër fesë. Ata persekutohen, sepse krishterimi ka në vetvete bërthamën e drejtësisë shoqërore, që natyrisht, nuk u pëlqen xhihadistëve. Veprimtaria e misionarëve, përfundon Monteduro, shkakton frikë, sepse predikon dashurinë, ndihmon në përhapjen e asaj klime harmonie, e cila bie ndesh me idenë e shoqërisë, që duan xhihadistët për vete dhe për të tjerët. Misionarët perceptohen si paqtues, si njerëz të dialogut, afër Perëndimit dhe vlerave të tij.

Murgeshat e rrëmbyera

Gjithnjë në Nigeri, ndodhet edhe numri më i madh i murgeshave të rrëmbyera në vitin 2022, shtatë raste. Një rregulltare është rrëmbyer në Burkina Faso, ndërsa një murgeshë tjetër në Kamerun, së bashku me pesë meshtarë. Të gjitha murgeshat, fatmirësisht, janë liruar më vonë.

Klerikët e burgosur

Gjatë këtij viti, janë arrestuar edhe 32 klerikë. Rastet më të fundit kanë të bëjnë me katër priftërinj të Kishës Katolike Greke të Ukrainës, të cilët u arrestuan ndërsa kryenin veprimtari baritore. Dy prej tyre më vonë u liruan dhe u dërguan në zonën ukrainase të papushtuar nga rusët, ndërsa dy të tjerët mbeten në paraburgim dhe mund të akuzohen për terrorizëm. Monteduro denoncon gjendjen në Nikaragua, ku janë arrestuar 11 anëtarë të klerit, ndërmjet të cilëve dy seminaristë, një diakon, shtatë meshtarë dhe ipeshkvi i Matagalpës. Më 10 janar 2023, imzot Rolando Alvarez, aktualisht në arrest shtëpiak, do të dalë në gjyq me akuzën e "kërcënimit të integritetit kombëtar". Dy muaj më parë, janë burgosur një ipeshkëv dhe dy meshtarë në Eritre, pa asnjë shpjegim nga ana e autoriteteve. Së fundi, një meshtar është arrestuar në Mianmar gjatë protestave kundër regjimit dhe disa murgesha e dy diakonë janë arrestuar në Etiopi gjatë konfliktit në Tigray, në fund të vitit 2021, por janë liruar më 2022.

29 dhjetor 2022, 12:05