Kërko

 Vangelo della 3.a domenica del tempo ordinario anno 'A' - Gesù chiama i primi discepoli Vangelo della 3.a domenica del tempo ordinario anno 'A' - Gesù chiama i primi discepoli

Të meditojmë me Ungjillin: “do t’ju bëj peshkatarë njerëzish”

Në Ungjillin sipas Mateut të së dielës III të vitit kishtar dhe në të Dielën IV të Fjalës së Zotit, themeluar nga Papa Françesku, tregohet se Jezusi shkoi në Kafarnaum, që të përmbushej ç’kishte thënë profeti Isaia

R.SH. – Vatikan

Me Letrën Apostolike në formën e Motu proprio-s “Aperuit illis”, Papa Françesku pati vendosur që e diela III e kohës së zakonshme të vitit liturgjik - pra, e diela e sotme, 22 janar - t’i kushtohej në mënyrë të veçantë kremtimit, reflektimit dhe përhapjes së Fjalës së Zotit. Shën Mateu ungjilltar, në kreun e katërt, duke marrë një imazh nga libri i Isaisë profet, na thotë ç’është Jezu Krishti për ne: dritë. Ndër vështirësitë e jetës, na arrin një fjalë e mirë: mos shihni vetëm errësirë, shikoni edhe dritën me të cilën Hyji na e shndrit jetën, sepse na ka dërguar Birin e Tij për të ndarë me ne mundimet e për t’i bërë dishepujt e vet “peshkatarë njerëzish”. Të ndjekim pjesën ungjillore…

Kur Jezusi e mori vesh se e kishin burgosur Gjonin, u tërhoq në Galile. E la Nazaretin e shkoi e u vendos me banesë në Kafarnaum, qytet bregdetar në krahinën e fisit të Zabulonit e të Neftalit,  që të shkonte në vend fjala që tha Isaia profet: “Tokë e Zabulonit e tokë e Neftalit, në drejtim të detit, përtej Jordanit,  Galileja pagane,  populli që gjendej në errësirë, pa një dritë të madhe; atyre që banonin në krahinën e hijes së vdekjes u lindi drita.” Që atëherë Jezusi filloi të predikojë: “Kthehuni, se Mbretëria e qiejve është afër!  Ndërsa Jezusi po ecte afër Detit të Galilesë, pa dy vëllezër ‑ Simonin që quhet Pjetër dhe Andreun, të vëllanë e tij, duke hedhur rrjetën në det: ishin peshkatarë. E u tha: “Ejani pas meje e unë do t’ju bëj peshkatarë njerëzish! Ata menjëherë lanë rrjetat e shkuan pas tij. Duke vazhduar rrugën më tej, pa dy vëllëzër të tjerë, Jakobin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllain e tij, në lundër bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke rregulluar rrjetat dhe i thirri. Ata aty për aty lanë lundrën dhe babain e shkuan pas tij. Jezusi shkonte prej një vendi në një vend tjetër nëpër mbarë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar Ungjillin e Mbretërisë e duke shëruar në popull çdo sëmundje e çdo lëngatë.

Të lutemi së bashku

Misioni yt, o Jezu Krisht, fillon

nga periferitë e historisë,

nga ajo Galile, që pa çdo të mirë e çdo të keqe:

tokë tranziti e konflikti,

tokë migracionesh e përzierje racash.

Pikërisht aty, në atë rajon të torturuar

Ti merr fjalën për të shpallur

një epokë të re

ngushëllimi e shprese.

 

Sjell një Ungjill, një lajm të mirë,

për të gjithë ata, që jetojnë

të dëshpëruar e të humbur,

nën kupolën e rëndë të shtypjes,

të poshtëruar, të robëruar e pa të ardhme.

 

Nuk kufizohesh me fjalë,

por i shkëput nga pushteti i së keqes,

nga sëmundja, nga vuajtjet e dhimbshme, nga mëkati.

Veçse u kërkon të jenë gati

për të pranuar një plan të ri, Mbretërinë e Zotit,

dhe për t’ia kushtuar realizimit të tij

të gjitha energjitë

e mendjes e të zemrës, gjithë vullnetin.

 

Vërtet, përmes Teje, Hyji bëhet i pranishëm

e vepron për të na çliruar e për të na shpëtuar.

Kush nuk kënaqet me të tashmen,

kush vazhdon të besojë në premtimet

që na bënë profetët,

kush lëshohet në dorën e Atij, që qysh në fillim,

e mori për zemër fatin e të mjerëve,

mund të ta besojë jetën e vet,

i vetëdijshëm se e ka vendosur në duar të sigurta.

Vërtet, o Jezus, duart e tua

janë plot me dhembshuri e mëshirë.

21 janar 2023, 08:27