Kërko

Sudani i Jugut: Christian Carlassare, Ipeshkëv i Rumbeck Sudani i Jugut: Christian Carlassare, Ipeshkëv i Rumbeck 

Carlassare: Papa e bekoi Sudanin e Jugut, vend me zemër të çarmatosur nga zemërimi

Ipeshkvi i Rumbekut eci përkrah besimtarëve të tij dhe të konfesioneve të tjera, për të pritur Françeskun. "Kisha duhet të jetë solidare me të fundmit”.

R. SH. - Vatikan

Papa në Sudanin e Jugut bekoi një tokë me paqe, e cila në këto vise lind prej zemrash të çarmatosura nga zemërimi dhe dhuna.  Foli me një popull, që nuk ka aq nevojë për fjalë, sa për fakte, ku nga vuajtja e të varfërve po nis procesi i rilindjes. Christian Carlassare, ipeshkëv i Rumbekut, përshkruan ditët e vizitës së Françeskut, të cilat i jetoi nga afër shumë intensivisht. Duke nisur nga udha drejt kryeqytetit në këtë shtegtim  paqeje - Walking for peace  - ecja për paqen, në këmbë, me një grup prej 60 të rinjsh nga klane dhe besime të ndryshme, katolikë dhe protestantë. Duke u nisur nga kryeqyteti i Shtetit të Liqeneve, më 25 janar - vijon të kujtojë -  ecëm për rreth njëzet kilometra në ditë, për nëntë ditë, me ndalesa në bashkësi të ndryshme të krishtera gjatë rrugës, me çaste lutjeje dhe bashkëjtese, që prekën njërin nga kulmet me mbërritjen në Giuba, më 2 shkurt, dhe takimin me Françeskun.

Imzot Carlassare, a mund të na tregoni për ditët e Papës në Sudanin e Jugut? Cilat çaste ju prekën më shumë?

“Arritja ishte një çast shumë emocionues për mua. Isha në radhë me ipeshkvijtë e tjerë. Të gjithë në pritje! Kur karroca me rrota e Papës preku  tokën, dëgjova brohoritjet e njerëzve, që e kishin parë tashmë dhe u preka thellë duke menduar se Ati i Shenjtë, pasi kishte dëshiruar prej kohe të vinte në këtë vend, pasi ishte lutur për ne e si e kishte kujtuar aq shpesh Sudanin e Jugut në fjalimet e tij, më në fund ishte këtu, me ne. Kur vjen një vizitor, e nis vizitën me një bekim, kjo është kultura afrikane, ndaj mendova: "Eh, Papa Françesku, tani je këtu për të bekuar këtë tokë, që do të jetë e bekuar me paqe"; jo  paqe, që vjen nga retë, por  paqe që gufon nga zemra e njerëzve të shndërruar; njerëzve të ndryshuar përbrenda, me një zemër të çarmatosur përfundimisht nga çdo zemërim, çdo dhunë, të gatshëm për dialog, lutje, ndërmjetësim, bashkim, vëllazëri, madje edhe falje. Një çast tjetër prekës, ishte ai i mesazhit të Papës drejtuar trupit diplomatik, shumë, shumë i fortë dhe shumë i drejtpërdrejtë: jo më fjalë, por vepra!  Në mesazh theksoheshin nevojat më të ngutshme të Sudanit të Jugut, duke kujtuar, më pas figurativisht Nilin, figurë shumë afrikane për të kuptuar realitetin e duke kujtuar edhe se çlirimi nuk u krye me revolucionin e lëvizjeve ushtarake ose politike, por se ka edhe një çlirim tjetër, i vërteti, ai që vjen si dhuratë nga një burim, burim uji, burim që sjell edhe transformimin e që është Zoti, fjala e Zotit, e cila na bën të gjithë të bashkohemi rreth këtij lumi që na bën të jetojmë, na bën popull, na bën të kapërcejmë ndarjet,  na bën të jemi solidarë me njëri-tjetrin. Më pas, për mua ishte shumë prekës takimi me Papën në katedrale, ku ai foli me ipeshkvijtë, priftërinjtë dhe seminaristët. Thellësisht prekës, sidomos, çasti që jetuam në fund të asaj feste, kur Papa kujtoi të rinjtë e Rumbekut, që ecën 9 ditë, për ta  takuar. E  ai erdhi, i përshëndeti djemtë dhe i 'falënderoi për dëshminë e tyre', për ecjen bashkë, pavarësisht se i përkasin fiseve të ndryshme, klaneve të ndryshme, territoreve të ndryshme dhe se nuk e njihnin akoma njëri-tjetrin. Ecën së bashku për 9 ditë dhe krijuan vëllazërim. Ditët e para pashë se nuk folën me njëri-tjetrin, se formuan grupet e tyre të vogla, në fund arritëm në Juba me qetësi, gjithë gëzim, në bashkësi: grupi më në fund u bë një gjë e vetme! Kjo është dëshmia që mund t'i japin të rinjtë këtij vendi: për një kohë të gjatë marshuan me pushkë mbi supe, ndërsa tani, përkundrazi, kemi të rinj që po t'u jepet shtytja e duhur, dinë edhe të ecin në një rrugë që quhet paqe! Më pas pati edhe çaste shumë të bukura si takimi me të shpërngulurit, në Sallën e Lirisë. Unë qava atje. Qava, sepse kemi kaq shumë njerëz që humbën shtëpitë e tyre, sigurinë e tyre, besimin se mund të jetojnë në vendin e tyre si qytetarë të lirë. Videoja e prodhuar nga CUAMM (e shfaqur gjatë ngjarjes dhe e filmuar në kampet e të shpërngulurve në Sudanin e Jugut) ishte shumë prekëse dhe ashtu ishte edhe mesazhi i fëmijëve që folën me Papën. Pashë në të një proces lindjeje. Ndryshimi në Sudanin e Jugut nuk do të vijë nga elitat, por nga këta njerëz, që vuajtën kaq shumë dhe që do të jenë në gjendje t'i japin një pamje të re vendit. Së fundi, kujtoj kremtimin e Meshës (të diel, 5 shkurt, në mauzoleun John Garang). Shumë e gjallë, shumë e gjallë, me fjalët e Papës mbi dritën e botës dhe kripën e tokës, që na mëson se këtë hir e marrim nga Perëndia, se ai është një hir, në të cilin ne duhet të marrim pjesë, hir që na nxit të bëhemi kripë dhe dritë për të tjerët”.

Ipeshkvi i Rumbekut, që ecën me besimtarët e tij, që shtegton në këmbë drejt Jubës, është lajm që qarkulloi shumë në vend. Si hyri kaq shumë në zemrat e njerëzve dhe i tronditi kaq fort?

“Sudani i Jugut ka një histori të tërë njerëzish të shpërngulur, në lëvizje, duke i rënë kryq e tërthor vendit, në kërkim të sigurisë. Mjafton të mendojmë se gjatë konfliktit shumë njerëzve iu desh të linin shtëpitë e tyre dhe të ecnin ditë e ditë me kilometra për të arritur kush e di sesi  e kush e di seku, për siguri. Pra, duke parë këtë grup në ecje, në një drejtim, drejt Jubës, ku shumë njerëz do të mbërrinin gjithsesi për një arsye të përbashkët, për vizitën e Papës, mendoj se kjo krijoi pamjen e një Sudani të ri Jugor, të formuar nga njerëz të përtërirë, të pajtuar me të kaluarën, me historinë e dhunës e cila fatkeqësisht nuk duhet harruar, por duhet shndërruar. Duhet të rihapen shtigje të reja për t'i dhënë shpresë popullatës, e këta të rinj, që ecin, ishin shpresë për të gjithë Sudanin e Jugut. E besoj vërtet!”.

Të shpërngulurit, ata që nuk kanë absolutisht asgjë, ata që, paradoksalisht, vështirë se kanë të drejtë të shpresojnë, duke takuar Françeskun në Sallën e Lirisë, në vend të humbjes së shpresës, treguan se besojnë fort në të, se duan të fillojnë ndërtimin, jo vetëm për të ndryshuar gjendjen e tyre, por të gjithë vendit. Për krijimin e unitetit të popullit. Diçka pothuajse e pakuptueshme, por që Papa e konfirmoi…

“Po, është po aq e pakuptueshme, sa feja, prandaj mendoj se ajo që u tha në fund të Sinodit Afrikan është plotësisht e vërtetë, domethënë se Afrika është mushkëria shpirtërore e botës. Këtë e dëshmon besimi i madh i të varfërve, atyre që janë më të braktisurit, që i mbështesin të gjitha shpresat tek Zoti, tek humanizmi i mundshëm dhe  tek solidariteti, e vetmja mënyrë që u krijon ende të shpërngulurve, refugjatëve dhe njerëzve, të cilët humbën gjithçka, mundësinë të mbijetojnë: solidaritet ende i mundur: solidariteti i të fundmëve, me të cilët si Kishë duhet të jemi veçanërisht pranë”.

06 shkurt 2023, 11:44