Kërko

Cookie Policy
The portal Vatican News uses technical or similar cookies to make navigation easier and guarantee the use of the services. Furthermore, technical and analysis cookies from third parties may be used. If you want to know more click here. By closing this banner you consent to the use of cookies.
I AGREE
PROGRAMI SHQIP
Programe Podcast
Heart shaped lake in Poland Heart shaped lake in Poland

Himni i dashurisë shkruar nga Shën Pali Apostull

Himni i dashurisë shkruar nga Shën Pali, në Letrën e Korintianëve, na mëson se kjo ndjenjë fisnike, dashuria pra, është më e fuqishme nga të gjitha e se u jep vlerë të gjitha virtyteve. Njeriu mund t’i njohë të gjitha shkencat e të gjitha misteret, mund të ketë fe sa të luajë nga vendi malet, po ç’vlerë ka, në se i mungon dashuria? Kësaj pyetjeje i jep përgjigje ‘Himni i dashurisë” i shën Palit

R.SH. - Vatikan

Më 14 shkurt, kalendari kishtar përkujton Shën Valentinin, ipeshkëv i Ternit të Italisë, pajtori i të fejuarve dhe i njerëzve të dashuruar. Himni i dashurisë shkruar nga Shën Pali Apostull, në Letrën e Parë drejtuar Korintianëve (1 Kor 13, 1-13), na mëson se kjo ndjenjë fisnike, dashuria pra, është më e fuqishme nga të gjitha e se u jep vlerë të gjitha virtyteve.

“Himni i Dashurisë”,  i numëron virtytet e veçanta, që ka një zemër, e cila rreh me ritmin e dashurisë. Dashuria e krishterë është tepër kërkuese, sepse buron nga dashuria e plotë e Krishtit për ne: është dashuri që ngulmon, që na pret, na përqafon, na mbështet deri në tronditje, pse e detyron secilin nga ne të mos jetojë më për vetveten, i mbyllur në egoizmin e tij, por për ‘Atë që vdiq e u ngjall për ne”(cfr 2 Kor 5,15). Prej këtij Himni, sidomos, njeriu mëson si duhet të jetë, plot dashuri.

Udha e përkryer e krishterë është dashuria, sepse esenca e vet Zotit është dashuria. Këtë na kujton himni i dashurisë nga Letra e Parë e Shën Palit drejtuar Korintianëve. Ky himn, është një ndër faqet më të bukura të Besëlidhjes së Re e të tërë Biblës, në cilën na tregohet “udha” e përkryer e jetës së krishterë. Kjo udhë nuk qëndron në posedimin e cilësive të jashtëzakonshme si: të flasësh gjuhë të reja, të njohësh të gjitha misteret; të kesh fe që bën mrekulli apo të bësh gjeste heroike. Këtë udhë e gjejmë në dashuri - agape - që do të thotë në dashurinë autentike, atë që Zoti na ka dëftuar në Jezu Krishtin.

Dashuria është dhurata ‘më e madhe’, që i jep vlerë të gjitha dhuratave tjera, e megjithëkëtë ajo ‘nuk krenohet, nuk mbahet me të madh, por i ‘gëzohet të vërtetës’ e të mirës së tjerëve. Kush don më të vërtet ‘nuk e kërkon interesin e vet’, ‘nuk e mban mend të keqen’, ‘arsyeton gjithçka’, ‘beson gjithçka’, ‘shpreson gjithçka’, ‘duron gjithçka’ (krh. 1Kor 13,4-7). Në fund, kur do të takohemi sy më sy me Zotin, të gjitha dhuratat tjera nuk do të kenë vlerë; e vetmja që do të mbetet në amshim do të jetë dashuria, sepse Zoti është dashuri e ne do të jemi të ngjashëm me Të, në bashkim të përsosur me Të. Dashuria është shenja dalluese e të krishterit. Është sintezë e tërë jetës së tij: e asaj që beson dhe e asaj që bën.

Dashuria është thelbi i vet Zotit, është kuptimi i krijimit dhe i historisë, është dritë që i jep mirësi e bukuri ekzistencës së çdo njeriu. Në të njëjtën kohë, dashuri është, për tu shpreh kështu, ‘stil’ i Hyjit dhe i njeriut besimtar, është sjellje e atij që, duke iu përgjigjur dashurisë së Zotit, jetën personale e organizon dhe e jeton si dhuratë e vetes për Hyjin e për të afërmin. Në Jezu Krishtin këto dy elemente formojnë njësinë e përsosur: Ai është Dashuri e mishëruar.

Njeriu mund t’i njohë të gjitha shkencat e të gjitha misteret, mund të ketë fe sa të luajë nga vendi malet, po ç’vlerë ka, në se i mungon dashuria?  Kësaj pyetjeje i jep përgjigje ‘Himni i dashurisë” shkruar nga shën Palit në Letrën e Parë drejtuar Korintasëve (1Kor 13, 1-13):

1 Po t’i flisja gjuhët e njerëzve e të engjëjve,

por po të mos kisha dashurinë,

do të isha porsi bronzi që kumbon

e porsi cimbali që tingëllon.

2 Po ta kisha dhuratën e profecisë

e t’i dija të gjitha misteret

e të gjitha dituritë;

po ta kisha edhe fenë e plotë,

me të cilën të mund t’u ndërroja vend maleve,

por po të më mungonte dashuria,

s’do të isha asgjë!

3 Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time

dhe po ta jepja trupin tim të digjej,

por, po të më mungonte dashuria,

nuk do të më vlente asgjë!

4 Dashuria është zemërgjerë,

është e dhimbshme, dashuria,

nuk ka smirë,

nuk mbahet me të madh,

nuk krenohet

5 nuk është e panjerëzishme,

nuk kërkon interesin e vet,

nuk hidhërohet,

nuk e mban mend të keqen,

6 nuk i kënaqet padrejtësisë,

por i gëzohet të vërtetës.

7 Arsyeton gjithçka,

beson gjithçka

shpreson gjithçka,

duron gjithçka.

8 Dashuria nuk mbaron kurrë.

Profecitë mbarojnë,

gjuhët shuhen,

njohuritë marrin fund.

9 Sepse njohuria jonë është e kufizuar

dhe e kufizuar është profecia jonë.

10 Por, kur të arrijë përsosmëria,

çka është e kufizuar do të marrë fund.

11 Kur isha fëmijë

flisja si fëmijë,

mendoja si fëmijë,

arsyetoja si fëmijë.

Kur u bëra njeri i pjekur,

flaka çka i përket fëmijërisë.

12 Vërtet, tani shikojmë si në pasqyrë

e në mënyrë të errët,

por atëherë do të shohim faqe-faqas!

Tani njohuria ime është e kufizuar,

atëherë do të njoh plotësisht,

siç jam i njohur.

13 Tani, veç, mbetet

feja,

shpresa

e dashuria

-këto të trija-

Porse më e madhja ndër to është dashuria.

 

14 shkurt 2023, 17:37
Prev
February 2025
SuMoTuWeThFrSa
      1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728 
Next
March 2025
SuMoTuWeThFrSa
      1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
3031