Gjergj Kastrioti Skënderbeu Gjergj Kastrioti Skënderbeu

Lezha përkujton Kuvendin e 579 viteve më parë, besëlidhjen e shqiptarëve kundër otomanëve

Si sot, 579 vite më parë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu mblodhi në Lezhë Kuvendin historik të princave shqiptarë, të cilët u bashkuan rreth tij për t’u bërë ballë pushtuesve otomanë. Për 25 vite me radhë, shqiptarët me në krye atë, që u quajt “Athleta Christi”, i ndaluan otomanët në portat e Evropës

R.SH. – Vatikan

Lezha kremtoi sot ngjarjen historike më të shënuar, për të cilën njihet ky qytet i Shqipërisë. Si sot, 579 vite më parë, pikërisht këtu, Gjergj Kastrioti Skënderbeu i mblodhi në Kuvend të gjithë princat arbërorë, duke krijuar Lidhjen e Lezhës, e cila u bëri ballë pushtuesve otomanë për 25 vite me radhë, duke i ndalur në portat e Evropës. Të dëgjojmë një meditim mbi këtë ngjarje nga meshtari i dioqezës së Lezhës, dom Pashk Ndoj…

Dëgjo don Pashk Ndojin...

Sot në qytetin e Lezhës u bë përkujtimi 579-vjetorit të Beslidhjes së Lezhës, ku na sjell në kohë në atë ngjarje që sjelli lindjen dhe ngritjen e shtetit e parë shqiptar. Qëllimi i kësaj beslidhje ishte qëndresa ndaj pushtuesit turk, në të cilën rrezikohej etniciteti dhe nënshtrimi i popullit shqiptar. Po qëllimi i kësaj Beslidhje nuk ishte vetëm përpjekje e tërësishme për të mbrojtur vendin ndaj pushtimit, por ishte edhe një përpjekje për të mbrojtur identitetin dhe kulturën e vendit. Dhe vërtet është shumë i rëndësishëm edhe fakti tjetër, se kjo Beslidhje është mbajtur në një Katedrale, kështu mund të themi se në prehrin e Kishës është formuar dhe farkëtuar shteti shqiptar.

Prandaj fakti është se mbrojtja e këtij identiteti, ka ndodhur në si një shprehje e fesë së Shqiptarëve, të cilët për të ruajtur historinë dhe identitetin e tyre, nuk mund të zgjidhnin një vend tjetër më të përshtatshëm se sa prehri i një Kishe.

Por kjo ngjarje nuk duhet kujtuar vetëm sepse ka ndodhur shumë kohë më parë, dhe që sigurishtë për ne ka një rëndësi të madhe. Por duhet kujtuar edhe për vlerat e saj dhe për atë çfarë mund të thotë për kohën që po jetojmë. Po ashtu mbledhja e princërve shqiptar kishte për qëllim mbrojtjen e Shqipërisë prej frikës së asimilimit, e kështu kjo ngjarje bën pyetjen, se sot a është Shqipëria, për arsye të ndryshmë, në një krizë identitare, ndoshta sepse ka harruar të kaluarën e priret të harrojë edhe identitetin e saj, e ndoshta po ashtu edhe rrënjët e saj.

Prandaj përkujtimi i kësaj ngjarje na fton të reflektojmë mbi situatën me të cilën shoqëria e sotme është duke u përballur në një lloj krize identiteti dhe mbi vlerat të cilat, Beslidhja e Lezhës ka dashur t'i mbrojë e transmetojë.

02 mars 2023, 16:10