At Jihad Youssef: të krishterët e Lindjes së Mesme, në rrezik zhdukjeje
R.SH. / Vatikan
Nëse vazhdon kështu, në Lindjen e Mesme, në Siri, Liban, Palestinë, Jordani, do të mbeten "pak të krishterë muzeu". Të duket sikur Atë Xhihad Jusufi gjuan me gurë, jo me fjalë! Ndonëse murgu i shqipton ngadalë, qetësisht. Vjen nga Siria ku që nga viti 1999 jeton në gjirin e bashkësisë monastike të Khalilit, në Manastirin Mar Musa të Nebekut, themeluar nga jezuiti Paolo Dall'Oglio, për të cilin nuk ka asnjë lajm që nga viti 2013.
Abuna Xhihad Jusufi është ndër pjesëmarrësit e Simpoziumit “Rrënjë në shpresë” organizuar nga ROACO (Bashkimi i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore), me rastin e dhjetëvjetorit të nxitjes apostolike “Ecclesia in Medio Oriente”. Në Nikosia, ku u zhvilluan takimet, në tryezën e referuesve dhe të pjesëmarrësve, ishte vetë ekzistenca e krishterimit në Lindjen e Mesme që, për Abuna Xhihadin, pavarësisht nga pohimi se nuk është pesimist, realisht është në rrezik të “zhdukjes”. .
Rëndësia e pranisë së krishterë në Lindjen e Mesme
Për të krishterët e sotëm qëndrimi në Lindjen e Mesme është dënim - vazhdon murgu - "ndaj askush nuk dëshiron të qëndrojë. Shumica dërrmuese dëshiron të emigrojë në parajsën evropiane, amerikane a australiane. Pyetja që Xhihadi, dhe si ai, ndoshta, të gjithë të krishterët e Lindjes së Mesme i bëjnë sot vetes, është se si është e mundur të mbeten "pa vizion dhe pa strategji ungjillore", që nuk është diplomatike, e megjithatë, nuk shërben vetëm për të mbijetuar, “por për të jetuar mirë për të qenë bij të kësaj toke, siç kemi qenë gjithmonë”. Prej këndej vjen edhe pyetja e vështirë për marrëdhëniet ekumenike ndërmjet katolikëve, ortodoksëve dhe protestantëve, por edhe të krishterëve e myslimanëve.
Shembulli dhe profecia e Atë Dall'Oglios
Sot ne nuk besojmë më në profetë, në profeci - pohon idhshëm At Xhihadit - por ato ekzistojnë, ekzistojnë, edhe nëse mbeten të panjohur, të padëgjuar. E si profet ishte edhe Atë Paolo Dall'Oglio "për të cilin nuk e dimë është i gjallë apo i vdekur, por sido që të jetë, për ne është gjallë, nuk vdes për ne", madje vijon të japë shembull. "Askush nuk është i pagabueshëm, askush nuk është i përsosur, por ka profetë dhe profetesha kudo, e ne duhet t'i kërkojmë, t’i dëgjojmë lajmet e dëshmisë së tyre dhe të mos kemi frikë prej tyre" - shton - Ato risi që nuk janë gjë të re, "janë gjithmonë gjëra të vjetra, por që duhen aktualizuar e duhen respektuar".
Bashkësia Ndërkombëtare duhet ta ndihmojë Sirinë të rilindë
Sapo u kremtuan Pashkët, edhe në Siri. “Krishti u ngjall me fuqinë e Shpirit Shenjt”, ndërsa për këtë vend, mund të rilindë “vetëm në se bashkësia ndërkombëtare jep ndihmesën e saj, përndryshe jemi nën zero”. Sot siriani nuk ka asnjë horizont para vetes. Çdo ditë i duhet të mendojë për gazin, bukën, zjarrin për t’u ngrohur, ilaçet… Jemi popull që mendojmë vetëm për stomakun, për mbijetesen! Na duhet një politikë ndërkombëtare e ndershme, që bazohet mbi etikën e jo mbi kompromiset dhe llogaritë në tavolinë, sepse të vetëm, nëse bota nuk na ndihmon e në se vijon të shikojë vetëm interesat e veta - përfundon murgu - kjo është e pamundur. Po ne e duam edhe të pamundurën e mendojmë se e pamundura nuk është vërtet e pamundur”.