Visitazione della Beata Vergine Maria Visitazione della Beata Vergine Maria

Feja e Shën Marisë, model për çdo të krishterë

Muaji maj kushtuar nderimit të Zojës Bekuar po i afrohet fundit. Por akoma mbeten ditë për të përjetuar, sëbashku me Virgjrën Shenjte Mari, afërsinë e Zotit. Virgjëra Mari sheh me sytë e fesë veprën e Zotit në histori, prandaj, himni i Madhërimit (Magnificat-i) të saj mbetet interpretimi më i vërtetë e më i thellë i historisë.

R.SH. - Vatikan

Muaji maj kushtuar nderimit të Zojës Bekuar po i afrohet fundit. Por akoma mbeten ditë për të përjetuar, sëbashku me Virgjrën Shenjte Mari, afërsinë e Zotit. Takimi me Zojën Bekuar për besimtarët është një përvojë hiri, që i bënë të dashurohen me Jezusin. Si Mësuese e ëmbël dhe e mirë, Maria i udhëheq të devotshmit drejt njohjes së Dashurisë së Zotit.

Zoti, mbi të gjitha gratë, zgjodhi Marinë për të përmbushur planin e tij hyjnor. E zgjodhi për një mision të pashembullt: për të qenë Nënë e Birit të tij, të bërë njeri e, si pasojë, e ruajti nga çdo mëkat i rrjedhshëm. Burim drite shpirtërore, shprese e ngushëllimi, ky mister. Zotin e tërhoqi pikërisht përvujtëria e Marisë, që gjeti hir para syve të tij. U bë, kështu, Nëna e Hyjit, figurë e model i Kishës, e zgjedhur ndër popuj për të marrë bekimin e Zotit e për ta përhapur mbi gjithë familjen njerëzore.

Virgjëra na fton ta shohim Jezusin me sytë e fesë. Në shkollën e Marisë mësojmë ta njohim praninë e Shpirtit Shenjt Zot në jetën tonë, pati thënë Benedikti XVI në mbylljen e muajit të majit, në vitin 2008. Virgjëra Mari sheh me sytë e fesë veprën e Zotit në histori, prandaj, himni i Madhërimit (Magnificat-i) të saj mbetet interpretimi më i vërtetë e më i thellë i historisë. Shën Maria sheh qartë se fronet e të pushtetshmëve të kësaj bote janë të gjithë të përkohshëm, ndërsa froni i Hyjit është i vetmi shkëmb, që nuk ndryshon e nuk bie.

Kisha i fton të krishterët ta imitojnë Zojën e Bekuar. Kështu “të mbajmë me vete të njëjtat ndjenja lavdërimi e falënderimi që Maria i drejton Zotit, të njëjtën fe e shpresë, të njëjtin lëshim të butë në duart e Provanisë Hyjnore. Ta imitojmë shembullin e saj të gatishmërisë dhe të bujarisë në shërbim të vëllezërve. Me të vërtetë, vetëm duke e pranuar dashurinë e Zotit e duke e kthyer jetën tonë në një shërbim bujar e pa interes ndaj të afërmit, do të mund t’i thurim këngë lavdi Hyjit” (Benedikti XVI, mbyllja e muajit marian, 31 maj 2008).

Shën Maria, “model bamirësie për Kishën”. Është vetë Jezu Krishti, Ai që e shtyn Shën Marinë të shkojë me bujari drejt të afërmit në nevojë. Ai e ndihmon të kapërcejë gjithçka.
“Zemra e Marisë, në pajtim të përkryer me Birin hyjnor Jezus, është tempull i Shpirtit të së vërtetës, ku çdo fjalë e çdo ngjarje ruhet në fe, në shpresë e në dashuri” ( Benedikti XVI, mbyllja e muajit marian, 31 maj 2009).

Ne mund t’i drejtohemi Shën Marisë me anë të lutjes. Në veçanti, me Rruzaren, e cila na bën t’i përshkojmë etapat e jetës së Krishtit, në praninë e Zojës së Bekuar.
Virgjëra Mari është e para që e ka pranuar Krishtin e prandaj është e mbushur me gëzim nga Shpirti Shenjt. Duke e ndjekur e duke e imituar atë, jemi të gjithë të thirrur ta jetojmë këtë gjendje hiri të Tënzot. “Të pranojë Jezusin e t’ua çojë Atë të tjerëve është gëzim i vërtetë për të krishterin! Të dashur vëllezër e motra, ta ndjekim e ta imitojmë Marinë, këtë shpirt thellësisht eukaristik, e krejt jeta jonë do të bëhet himn Madhërimi ” (Benedikti XVI, mbyllja e muajit marian, 31 maj 2005).

22 maj 2023, 22:12