Kërko

DBR 2027 në Seul, Imzot Chung: të rinjtë tanë, prijës

Pasi Papa njoftoi se Koreja e Jugut do të presë pas katër vjetësh Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë, e dyta në Azi pas Manilës në 1995, kryeipeshkvi i kryeqytetit nënvizon: "Do të jetë çast hiri dhe mundësi për gjallërimin e baritorisë rinore në Kishën tonë. Do të kërkojmë ndihmesën e të gjithë shoqërisë, e edhe të vendeve fqinje”

R. SH. - Vatikan

Dita Botërore e Rinisë rikthehet në Azi, në vitin 2027, 32 vjet pas asaj që u organizua në Filipine, në Manila, me pjesëmarrje rekord, rreth 4 milionë të rinj në Meshën e fundit, në Rizal Park. Papës Gjon Pali II iu desh të arrinte me helikopter në altar. Papa Françesku njoftoi se Seuli, kryeqyteti i Koresë së Jugut, do të presë takimin e ardhshëm botëror të të rinjve,  ashtu si e pati menduar dhe përuruar Shën Gjon Pali II në vitin 1985. Kështu e komentoi këtë lajm, kryeipeshkvi i Seulit, Peter Chung Soon-taick, i cili në një intervistë të mëparshme pati kujtuar se numri i katolikëve në vend është rritur nga 8,3 për qind në 11,1 për qind në 20 vitet e fundit, gjë që nuk mund të thuhet për atë të të rinjve të pranishëm nëpër kisha, nga që Koreja e Jugut zë vendin e parë për numrin e paktë të lindjeve në botë, vetëm 0.8 fëmijë për çift. Për këtë arsye - u tha gazetarëve në konferencën për shtyp pas njoftimit të Papës – DBR-ja "mund të jetë mundësi e shkëlqyer për të mbledhur të rinjtë rreth një projekti, që do t'i bënte ata protagonistë. Do të fillonte një proces dhe, pasi të përfundonte, do të ishte mirë të ndanim me të gjithë çka përjetuam.

Njoftimi i Papës: DBR 2027 në Seul, Jubileu Rinor në Romë, 2025

Vendi aziatik sot ka më shumë se 6 milionë katolikë - kujtoi prelati korean - falë përhapjes së parë të Ungjillit, rreth 230 vjet më parë dhe ungjillëzimit të mëtejshëm me nismën e popullit, të njerëzve të thjeshtë dhe jo të meshtarëve, as të misionarëve. Studiuesit laikë, duke  studiuar librat fetarë nga perëndimi, e kuptuan dhe e pranuan katolicizmin si fe, jo si studim apo letërsi, duke kuptuar se sakramentet mund të mbarështoheshin vetëm nga priftërinjtë. Kështu, bashkësia katolike filloi t’i kalonte kufijtë me Kinën për të sjellë priftërinj në Kore, duke vënë në rrezik edhe jetën, për shkak të persekutimit të qeverisë së asaj kohe të vështirë.

Shkëlqesi, si e përjetuat përvojën e Ditës Botërore të Rinisë në Lisbonë, duke ditur që në vitin 2027 Dita e ardhshme Botërore e Rinisë do të jetë në Seul?

Në të vërtetë, kjo Ditë Botërore e Rinisë është mundësi e madhe për të gjithë ne, ngaqë edhe nëse kultura dhe gjuha janë të ndryshme, ne mund ta ndjejmë veten i njëjti popull i Zotit, një gjë e vetme në Krishtin. Herën tjetër në Kore, ata që vijnë në vendin tonë, do të mund ta jetojë kulturën koreane, me shije të ndryshme, por edhe ta ndjejnë fort unitetin në Krishtin. Do të jetë mundësi e shkëlqyer dhe çast hiri.

Edhe nëse po flasim për vitin 2027, besoj se përgatitjet do të nisin shumë shpejt. Çfarë do të sjellin? Dhe si planifikoni ta krijoni në Kore këtë unitet që përshkruat këtu, në Lisbonë?

Nuk është e lehtë të përgjigjemi tani: duhet të diskutojmë dhe të lutemi, e ndoshta të përpiqemi të gjejmë edhe një mënyrë të re, për ta sjellë këtë unitet në Kore.

Thënë me terma praktike, cilat janë aspektet që funksionuan më mirë me këtë rast në Lisbonë, që dëshironi t'i përsërisni?

Në DBR-në Lisbonë 2023 pashë shumë vullnetarë. Ata punuan shumë dhe me përkushtim të plotë. Kjo është një ndihmë e madhe për Ditën Botërore të Rinisë. Kështu edhe në Kore do të dëshironim të ftonim shumë koreanë, jo vetëm të rinj, por edhe njerëz të të gjitha moshave që të punojnë së bashku, të bashkëpunojnë si vullnetarë. Ata do të jenë ndihmë e madhe për suksesin e kësaj Dite Botërore të Rinisë.

Përsa i përket fesë në Korenë e Jugut, katolicizmi është pakicë. Çfarë kuptimi ka, atëhere, që Kisha Koreane të presë Ditën Botërore të Rinisë?

Kjo Ditë Botërore e Rinisë mund të ofrojë një mundësi të mirë përmirësimi të shërbimit tonë për rininë në Kore. Siç thashë më parë, pas pandemisë së koronavirusit, që zgjati gati tre vjet, baritoria e rinisë u bë shumë e vështirë në Kore. Prandaj, në përgatitjen e Ditës së ardhshme Botërore të Rinisë, dëshirojmë të përfitojmë nga një lloj freskimi i ministrisë së rinisë në Kore, duke ftuar të rinjtë, por jo vetëm ata, të riorganizojnë të gjithë ministrinë. Kjo do të thotë se në përgatitje për Ditën Botërore të Rinisë së ardhshme, të rinjtë koreanë do të bëhen udhëheqës të rinj në Kishë dhe në shoqëri. Ne do t'i shoqërojmë të bëhen liderë të rinj.

Si mund t’i forcojë kjo ngjarje marrëdhëniet me besimtarët e feve të tjera, qoftë edhe në vendet fqinje?

Duke pritur këtë Ditë Botërore të Rinisë në Kore, jam i bindur se jo vetëm koreanët, por edhe të gjithë popujt aziatikë do të jenë shumë të lumtur për këtë. Pra, ne ipeshkvijtë koreanë dhe Kisha Koreane do ta shfrytëzojmë këtë mundësi e do ta diskutojmë edhe me vendet e tjera. Dëshirojmë t'i ftojmë edhe ata të bashkëpunojnë me ne.

Në vitin 2014, Koreja e Jugut priti Ditën e Rinisë Aziatike në Daejeon, me pjesëmarrjen e Papës Françesku. A mund të jetë kjo baza, mbi të cilën do të ndërtoni Ditën tuaj Botërore të Rinisë?

Në vitin 2014, Papa Françesku erdhi në Kore. Tani, në vitin 2027, Ati i Shenjtë do ta vizitojë përsëri Korenë. Dita e kaluar e Rinisë Aziatike mund të jetë një bazë e mirë për t'u përgatitur për Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë, besoj.

A mund t'u dërgoni një mesazh të rinjve koreanë, që sapo e morën këtë lajm, veçanërisht atyre që janë këtu?

Dita Botërore e Rinisë është mundësi e shkëlqyer për të rinjtë, sidomos, për të rinjtë koreanë, ashtu si për të rinjtë nga e gjithë bota. Në përgatitje për Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë, të rinjtë do të bëhen udhëheqës të rinj në Kishë, prijës të rinj në shoqëri. Ndaj ju mirëpresim: jeni të ftuar. Ejani dhe provoni punën e përbashkët. Ta  bëjmë gati së bashku Ditën e ardhshme Botërore të Rinisë.

07 gusht 2023, 11:30