DBR, Festivali i parë i Influencuesve Katolikë, Ungjill, që kalon nëpër rrjetet sociale
R. SH. - Vatikan
Duhet së pari ta shpjegojmë fjalën influencer - ndikues - që nuk ka zënë ende mirë vend në fjalorin e shqipes. Influencer, pra, është kushdo që ka fuqinë të ndikojë në vendimet e të të tjerëve për shkak të autoritetit, njohurive, pozicionit ose marrëdhënies me ta. E më pas, edhe festivalin e parë tyre!
Këngë, vallëzime, dëshmi të premten pasdite: Festivali i parë i influencuesve dixhitalë katolikë në skenën e Ditës Botërore të Rinisë, në Lisbonë, ishte vitrinë e talentit dhe e besimit. Emocion, ende i madh pas takimit në parkun Edoardo VII, ku qindra mijëra shtegtarë sapo ishin lutur në Via Crucis (Udhën e Kryqit) me Papën Françesku. Në Cristonauti Park - park interaktiv për DBR-në – ndikuesit e rinj dixhitalë katolikë u mblodhën për të diskutuar të ardhmen e komunikimit katolik, nevojën për të "ecur me kohën" dhe për të shfrytëzuar mediat dixhitale në përhapjen e gëzimit të Ungjillit. Bashkë me ta, Kardinali Oscar Rodriguez Maradiaga, kryeipeshkëv nderi i Tegucigalpës.
Atmosfera e gëzueshme e DBR-së
Himni që hapi takimin e mbushi atmosferën me të njëjtin gëzim që po karakterizon Ditën Botërore të Rinisë 2023. Është himni zyrtar i festivalit, i titulluar "Vamos por todo el Mundo", muzikën dhe tekstin e të cilit e krijuan artistë nga vende të ndryshme: Aldana Canale (Argjentinë), Tomas Romero (Kolumbi), P. José Pablo (Kili), Pablo Martínez (Argjentinë) dhe Felipe Contreras (Shtetet e Bashkuara). Interpretimi shumëgjuhësh u realizua jo vetëm nga njëri prej autorëve (Pablo Martínez në spanjisht) por edhe nga këngëtarët katolikë: Pitter Di Laura (portugeze), Gen Verde (italisht), Juan Delgado (anglisht) dhe DJ. Halver ( frëngjisht).
Dhurata e Papës
Imzot Lucio Adrian Ruiz, sekretar i Dikasterit për Komunikim, u uroi mirëseardhjen të gjithë të pranishmëve, duke i ftuar të ecin përpara me guxim e frymë krijuese: “Bashkohuni - i ftoi - ashtu si apostujt, që shkonin çift”, e më pas i nxiti të jenë gjithmonë pranë ipeshkvijve, gjithmonë të bashkuar “Kishë, ashtu si e dëshiron Jezusi". Me të njëjtën shpresë, Papa u kushtoi një dhuratë ndikuesve katolikë: një pemë të vogël ulliri, bekuar një ditë më parë.
Dëshmitë
Tre ndikues të rinj, më pas, dhanë dëshminë e tyre. Jonathan Romie, aktori që luajti rolin e Jezusit në filmin "The Chosen One", foli për besimin e tij, duke theksuar sa dhe si e ndihmoi të luante në film. Ndërsa Pitter di Laura shpjegoi si të jesh ndikues i Zotit në jetë, duke u kujtuar të rinjve se nuk duhet të jesh i tillë vetëm për veten, por për të gjithë. Së fundi, Atë Rob Galea kujtoi thirrjen për ungjillëzimin dhe përgjigjen, që i jepet. Muzikant e prift, i argëtoi të rinjtë edhe me një këngë të tij, të frymëzuar lirisht nga muzika e "Amazing Grace".
Bekimi i mediave dixhitale
Folësi i fundit i takimit ishte kardinali Oscar Rodriguez Maradiaga, i cili drejtoi një çast lutjeje. "Çfarë gëzimi që më në fund mund të bashkohemi në mediat dixhitale për të këmbëngulur në misionin tonë" - tha ai. Më në fund, imzot Ruiz i kërkoi kardinalit të bekonte median dixhitale dhe ungjillëzuesit e saj e, më pas, u kërkoi të pranishmëve të ndezin dritat e celularëve të tyre për të përfaqësuar dritën e mediave dixhitale. Kështu, të ndriçuar nga dritat e shumta që vezullonin në errësirë, ndikuesit morën në heshtje bekimin. Më në fund, muzikë, këngë dhe valle. Muzika e Hakuna-s dhe Missionarios Shalom mbylli festivalin, pas së cilës të rinjtë influencues u larguan nga Parque de los Cristonautas, duke kënduar dhe duke kërcyer, siç kanë bërë çdo mbrëmje këto ditë dhe si ka shumë mundësi të vazhdojnë ta bëjnë deri në vigjilje, sonte!