Kërko

Dita XXXVII Botërore e Rinisë: Ceremonia e pritjes Dita XXXVII Botërore e Rinisë: Ceremonia e pritjes  (VATICAN MEDIA Divisione Foto)

Pas DBR-së, Josipa shpreson: me Ukrainën Evropa do të na ndihmojë edhe ne!

Thua do të na ndihmojë edhe ne Evropa? Dëshmia e një studenteje të re nga Sarajeva, delegate e vendit të saj për Rininë Françeskane, në skenën e Papës, gjatë ceremonisë së mirëseardhjes: "Solla në këtë tubim madhështor, qëndresën e Bosnje-Hercegovinës". E përshëndes thirrjen e Françeskut drejtuar Evropës: "Nëse siguron paqen në Ukrainë, duhet ta ndihmojë edhe Ballkanin për të kapërcyer përçarjet, që vijojnë".

R. SH. - Vatikan

Ndërmjet më se 200 flamurtarëve nga e gjithë bota në ceremoninë e mirëseardhjes së Papës, në Ditën Botërore të Rinisë në Lisbonë, ishte edhe 21-vjeçarja Josipa Bošnjak, nga Kiseljaku. Mbante krenarisht lart flamurin e Bosnje-Hercegovinës. Studentja e Teknologjisë së Informacionit në Universitetin e Sarajevës, Josipa, shkoi në DBR-në 2023 me grupin e të rinjve françeskanë, si delegate ndërkombëtare nga vendi i saj. Ishte përvoja e parë në një DBR,  prandaj pohon se duke e shpalsour flamurin boshnjak në skenën e gjelbër të Colina do Encontro, donte t'i tregonte botës "forcën dhe qëndrueshmërinë e vendit të saj, edhe përballë sfidave që  burojnë nga e kaluara”.

E e ftojmë të na flasë e ajo na kujton: bashkë me Flamurin, solla në skenë qëndresën e vendit tim

Duke kujtuar thirrjen e Papës drejtuar Evropës që të gjejë “mënyra krijuese për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë”, vajza beson se në këtë mënyrë Kontinenti i Vjetër mund t’i hapë rrugën për një të ardhme më të mirë jo vetëm Ukrainës, por edhe Bosnje-Hercegovinës, e cila vazhdon të përballojë  problemin e përçarjeve! E edhe viseve të tjera të Ballkanit!

Vijomë ta pyesim: pse  morët pjesë në DBR-në e Lisbonës?

Ishte dita ime e parë botërore - gjegjet - dhe  vendosa të marr pjesë për arsye të ndryshme: para së gjithash doja të thelloja njohuritë për fenë time. Doja edhe të rritesha shpirtërisht; më pas doja të takoja shumë të rinj sepse kjo ngjarje më mundësoi të shkëmbej një mori mendimesh lidhur me perspektivat kulturore dhe fetare. E, sigurisht, takimi me Papën ishte arsyeja më domethënëse që më nxiti të marr pjesë.

Në fjalimin e tij drejtuar autoriteteve të mërkurën, Papa i kërkoi Evropës të ofrojë shtigje paqeje, mënyra krijuese për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe konflikteve të shumta në botë. Ju, që në Bosnje 30 vjet më parë vuajtët nga heshtja e Evropës, a shpresoni tani se Bashkimi Evropian do t'ju mirëpresë? A mund të sjellë kjo një të ardhme më të mirë për një Bosnjë dhe Hercegovinë, që është ende kaq e ndarë?

Epo, unë jam shumë e re për të thënë se e kam ndjerë heshtjen e Evropës në kohë të vështira, por mund të them se jam dikush, që çdo ditë i dëshmon pasojat e asaj heshtjeje. Shpresoj që Evropa t'i përgjigjet thirrjes së Papës për paqe dhe për zgjidhje krijuese, që t’i japë fund luftës në Ukrainë. Duke mirëpritur dialogun dhe duke kërkuar në mënyrë aktive shtigjet drejt paqes, Evropa mund të hapë rrugën për një të ardhme më të mirë, jo vetëm për Ukrainën, por edhe për Bosnjën dhe Hercegovinën, shoqëria e së cilës është ende e ndarë. Mund të ndihmojë në shërimin e plagëve të së kaluarës, të bashkojë grupe të ndryshme etnike dhe t’i sheshojë ndarjet që ekzistojnë ende sot. Besoj se së bashku, përmes komunikimit të hapur dhe solidaritetit, mund të shkojmë drejt një ardhmërie më të bashkuar dhe harmonike.

Përvoja juaj me të rinjtë nga bashkësia myslimane dhe ortodokse në Bosnje? A keni miqësi me ta?

Unë studioj në Sarajevë, ku ka kryesisht myslimanë, kështu që kam përvojë të mirë me ta. Kemi disa mundësi për dialog e nuk na mungon respekti për njëri-tjetrin. Jemi miq. E edhe kisha e bashkësia katolike,  si edhe miqtë e mi, do të përpiqemi gjithmonë të dialogojmë me ta. Kemi pasur disa takime të përbashkëta, por mendoj se problemi është më shumë në nivel politik, sesa në shoqërinë civile.

07 gusht 2023, 09:16