Imzot Massafra: Takimet Mesdhetare, ipeshkvijtë e Shqipërisë dhe emigracioni
R.SH. - Vatikan
Dialogu ndërmjet pesë brigjeve të Mesdheut për të kuptuar së bashku sfidat e mëdha që duhen përballuar, për të vlerësuar burimet në dispozicion dhe për të gjetur "shtigje të reja paqeje dhe pajtimi, në të cilat Kishat duhet të luajnë një rol thelbësor, në shërbim të së mirës së përbashkët”. Ky është qëllimi i nismës së kryedioqezës së Marsejës, me titull Rencontres Méditerranéennes (Takimet Mesdhetare), mbajtur nga 18 deri më 24 shtator në qytetin bregdetar francez, në prani të rreth gjashtëdhjetë ipeshkvijve dhe po aq të rinjve nga Afrika e Veriut, Ballkani, Evropa Latine, Deti i Zi dhe Lindja e Mesme.
Ngjarja është vijim i dy takimeve të mëparshme, me temë “Mesdheu, kufi i Paqes", mbajtur në Bari më 2020 dhe në Firence më 2022. MED 23, siç quhet tashmë ky takim, ishte një shkëmbim përvoje dhe dëshmish ndërmjet ipeshkvijve dhe të rinjve, edhe përmes punimeve të përbashkëta. Paralelisht me takimet, gjatë javës, u organizua edhe Festivali i Mesdheut, në pika të ndryshme të qytetit, duke u dhënë mundësinë pjesëmarrësve të ndiqnin ekspozita, koncerte, dëshmi dhe mbrëmje lutjesh.
Sot, seanca e mbylljes, në prani të Papës Françesku, që dëgjoi dëshminë e kryeipeshkvit metropolit të Tiranë- Durrësit, imzot Arjan Dodaj. Përveç tij, në Takimet Mesdhetare ishin të pranishëm edhe ipeshkvij të tjerë nga Shqipëria.
Në emër të tyre, kreu i Konferencës Ipeshkvnore, imzot Angelo Massafra, kryeipeshkëv metropolit i Shkodër-Pultit bën një përmbledhje të Rencontres Méditerranéennes dhe të argumenteve, që u diskutuan në to. Ta dëgjojmë...