Kërko

Imzot Arjan Dodaj flet para Papës në Marsejë Imzot Arjan Dodaj flet para Papës në Marsejë

Imzot Arjan Dodaj para Papës. Shqipëria, emigrimi e përvoja e fesë, në Takimet Mesdhetare të Marsejës

Në praninë e Papës Françesku e të presidentit francez, Emmanuel Macron, në seancën e fundit të Takimeve Mesdhetare (Rencontres Méditerranéennes), dha dëshminë e tij edhe kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj. “Freskia e intuitave të të rinjve u dha mundësinë ipeshkvijve të shprehin ëndrrat e tyre dhe fjalët e ipeshkvijve i bënë më konkrete vizionet e të rinjve”, nënvizoi ai, duke kërkuar vazhdimin e Takimeve Mesdhetare

R.SH. - Vatikan

Komunizmi në Shqipëri dhe mbyllja e vendeve të kultit, por edhe ringjallja e fesë, përvoja e emigrantit dhe zbulimi i besimit në Zotin deri tek shugurimi ipeshkvnor. Në praninë e Papës Françesku e të presidentit francez, Emmanuel Macron, në seancën e fundit të Takimeve Mesdhetare (Rencontres Méditerranéennes), dha dëshminë e tij kryeipeshkvi metropolit i Tiranë-Durrësit, imzot Arjan Dodaj, i cili reflektoi edhe mbi jetën e mikpritjen e emigrantëve të sotëm, duke kërkuar vazhdimin e Takimeve Mesdhetare (Rencontres Méditerranéennes).

Dëgjo imzot Arjan Dodajn, që jep dëshminë e tij para Papës Françesku, në italisht...

“I dashur Atë i Shenjtë, - e nisi fjalën imzot Arjan Dodaj, i cili foli në italisht - nga humnera më e thellë e Mesdheut në kohën e diktaturës komuniste, kur isha fëmijë, unë, Arjan Dodaj, ipeshkëv i Tiranë-Durrësit, përjetova në lëkurën time si del në dritë shpresa. Jam lindur në vitin 1977, në Shqipëri. Dhjetë vjet para se të lindja, vendi im u shpall ateist me kushtetutë dhe kishat u shkatërruan, po, Zoti u fshi në të gjitha shenjat e Tij të dukshme. Për këtë arsye, u rrita pa asnjë pikë referimi fetare. Shikoja vetëm gjyshen që thoshte Rruzaren para një stalle, e cila, më parë, zbulova se kishte qenë kishë. Edhe gjyshi lutej gjithmonë fshehurazi. Fëmijëria ime u karakterizua nga shumë varfëri, mjerim dhe ideologji.

 Përveç kësaj, për familjet tona, ishte edhe frika se mos arrestoheshin dhe dërgoheshin në kampet e përqendrimit, ose në burgjet e regjimit. Daja, vëllai i nënës, u fut në burg. Por, ndërsa e gjithë Shqipëria u kthye në kamp përqendrimi në qiell të hapur, ne si katolikë, myslimanë dhe ortodoksë jetuam sinodalitetin e vuajtjes dhe të solidaritetit, që sot na sjell frytin e vëllazërimit dhe të harmonisë ndërfetare. E, një grua e vogël e popullit tonë, shenjtja Nënë Terezë, sillte në botë sinodalitetin e dashurisë së Zotit, të Ungjillit të Tij. Pas rënies së komunizmit, edhe unë aso kohe 16 vjeçar, si shumë të tjerë sot, kalova detin dhe emigrova në Itali, ku kam jetuar me vite.

 Në përvojën time si "migrant" Zoti më mbushi me bujarinë e tij, me takimet providenciale më bëri të zbuloj fenë përmes Pagëzimit. E, përmes udhës së fesë jetuar me të rinjtë e Zojës së Papërlyer, zbulova thirrjen për meshtari. I jam mirënjohës Zotit dhe Zojës për praninë dhe për mbështetjen e tyre në të gjitha rrethanat e jetës, edhe tani si ipeshkëv. Po, Maria është gjithmonë Stella Maris (Ylli i detit) për të gjithë, edhe sot, si për ata që lundrojnë në dete të stuhishme, ashtu edhe për ata që aktualisht, e kanë detin të qetë, sepse Ajo është Mbretëresha e Paqes, me Të ka Paqe!

Edhe sot, në Mesdhe, ka shumë njerëz, që jetojnë në situata të vështira. Ka edhe shumë distanca: ato me të cilat përballen vëllezërit tanë emigrantë, ato që rëndojnë mbi jetën e popujve nga pikëpamja shoqërore dhe ekonomike. Emigrantët bartin mbi vete jo vetëm shumë sprova, vuajtje e dhunën e pësuar, por, sidomos, janë bartës të shpresës së madhe të zemrave të tyre, që u jep guxim për të përballuar shumë sakrifica dhe barriera! Ka edhe distanca pozitive të lidhura me pasurinë e larmisë kulturore dhe shpirtërore të popujve tanë. Këto ditë në Marsejë, si Kisha dhe besimtarë të Mesdheut, e kemi përjetuar këtë. Këtu, e provuam se larmia, si pasuri, prodhon pasuri, i shkurton distancat negative dhe e ushqen vëllazërimin. Prej këtyre ditëve marr me vete sigurinë se një këndvështrim pozitiv, i gëzueshëm dhe shpresëdhënës ndaj realitetit na bën dëshmitarë të besueshëm të stilit të Zotit, që është afërsia vëllazërore, dhembshuria njerëzore dhe butësia profetike.

Përvoja e takimeve mesdhetare është profetike, sepse duke mundësuar takimin ndërmjet ipeshkvijve dhe të rinjve, lind shpresa: "të moshuarit do të kenë ëndrra dhe të rinjtë do të kenë vegime" (Joeli 3,1b). Freskia e intuitave të të rinjve u dha mundësinë ipeshkvijve të shprehin ëndrrat e tyre dhe fjalët e ipeshkvijve i bënë më konkrete vizionet e të rinjve. Në këtë kuptim, mendojmë se do të ishte me vend të vazhdohen Takimet Mesdhetare, duke u hapur gjithnjë e më shumë ndaj tjetrit dhe larmisë, duke ndjekur atë perspektivë sinodale që ju, Atë i Shenjtë, na e keni treguar si stil për jetën e Kishës së kohës sonë: "Ç’pret Zoti nga Kisha e mijëvjeçarit të tretë" (Papa Françesku 15.10.2015)

I dashur Papa Françesku, Notre Dame de La Garde, Bonne Mere, vigjëloftë mbi Ju e ju ruajtë dhe e shoqëroftë Kishën tonë!”

23 shtator 2023, 18:25