Kërko

Lufta izraelito-palestineze Lufta izraelito-palestineze

Patriarkët katolikë të Lindjes së Mesme: të lutemi dhe të zbatojmë rezolutat e OKB-së për paqen në tokën e Krishtit

Krerët e pesë Kishave Katolike Lindore të pranishme në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, të cilët mbërritën në Romë në fillim të tetorit për të marrë pjesë në Asamblenë e Sinodit të Ipeshkvijve, u takuan për t'u kërkuar bashkësive të tyre të mos dëshpërohen në këtë kohë konflikti izraelito-palestinez, por të "intensifikojnë lutjen drejtuar Jezu Krishtit, Princit të Paqes, në mënyrë që paqja të kthehet në tokën ku ai vetë deshi të lindë". Theksohet nevoja e zbatimit të rezolutave të OKB-së

R.SH. – Vatikan

Patriarkët katolikë të Lindjes së Mesme u kërkojnë bijve dhe bijave të Kishave të tyre që t’i "shtojnë lutjet" për t'i kërkuar Zotit tonë Jezu Krisht të rivendosë paqen në tokën ku është lindur. Gjithashtu, ata e ftojnë bashkësinë ndërkombëtare të punojë për t'i dhënë fund luftës në Tokën Shenjte, duke "zbatuar rezolutat e miratuara nga OKB-ja" dhe duke u njohur popujve "të drejtën për vetëvendosje".

Takimi i 11 tetorit

Krerët e pesë Kishave Katolike Lindore të pranishme në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën e Veriut, të cilët mbërritën në Romë në fillim të tetorit për të marrë pjesë në Asamblenë e Sinodit të Ipeshkvijve, u takuan për të shkëmbyer informacione, reflektime dhe ide baritore për bashkësitë e tyre, në kuadrin e luftës së re, që shpërtheu në Tokën Shenjte, pas masakrave të militantëve të Hamasit dhe të fraksioneve të tjera islamike, që veprojnë në Rripin e Gazës. Takimi i Patriarkëve u mbajt të mërkurën, më 11 tetor, në selinë e Kolegjit Papnor Maronit. Në të morën pjesë Patriarku siro-katolik Ignace Youssif III Younan; Patriarku maronit, kardinali Béchara Boutros Raï; Patriarku kaldeas, kardinali Luis Raphael Sako; Patriarku kopto-katolik Ibrahim Isaac Sidrak dhe Patriarku i Cilicës së armenëve, Katolikosi Raphael Bedros XXI Minassian.

Afërsi me “të gjithë ata, që po jetojnë orë tmerri dhe dhimbjeje”

Pesë krerët e Kishave Katolike Lindore – lexohet në një notë të publikuar në internet, pas takimit – i kanë bërë të tyret fjalët dhe thirrjet e Papës Françesku që nga shpërthimi i ri i dhunës në Tokën Shenjte e, ashtu si ai, përmes lutjes, shprehin afërsinë e tyre me familjet e viktimave dhe me “të gjithë ata, që po jetojnë orë tmerri dhe dhimbjeje”. Patriarkët u kërkojnë anëtarëve të bashkësive të tyre të mos dëshpërohen dhe të "intensifikojnë lutjen drejtuar Jezu Krishtit, Princit të Paqes, nëpërmjet ndërmjetësimit të Nënës së tij Virgjërës Mari, Mbretëreshës së Paqes, në mënyrë që paqja të kthehet në tokën ku ai vetë deshi të lindë". Gjithashtu, ata u bëjnë thirrje “fuqive të mëdha” dhe bashkësisë ndërkombëtare, duke i ftuar të gjithë të “punojnë së bashku për t'i dhënë fund kësaj lufte shkatërruese dhe për të vendosur paqen e drejtë dhe të qëndrueshme, që populli e kërkon prej kohësh”. Nënvizohet nevoja e zbatimit të “rezolutave ndërkombëtare të miratuara nga Kombet e Bashkuara, si edhe e njohjes së dinjitetit të popujve dhe të së drejtës së tyre për vetëvendosje”.

17 tetori, ditë lutjeje dhe agjërimi

Ndërkaq, Patriarku Latin i Jeruzalemit, kardinali Pierbattista Pizzaballa, në emër të gjithë ipeshkvijve katolikë të Tokës Shenjte, i ftoi famullitë dhe bashkësitë fetare në një ditë agjërimi dhe lutjeje për paqen e pajtimin. “Kërkojmë - shkruan kardinali Pizzaballa në letrën, që mban firmën e tij si kryetar i Asamblesë së Ipeshkvijve Katolikë të Tokës Shenjte - që të martën, më 17 tetor, të gjithë të bëjnë një ditë agjërimi, abstenimi dhe lutjeje. Lutja të organizohet me adhurimin eukaristik dhe me rruzaren për Zojën e Bekuar. Ndoshta, në shumë vende të dioqezave tona, rrethanat nuk do t’u japin mundësi njerëzve të mblidhen me shumicë. Megjithatë, do të jetë e mundur të organizohemi në famulli, në bashkësitë fetare, në familje e kështu, të kemi çaste të përbashkëta e të thjeshta lutjeje”.

13 tetor 2023, 11:54