Kërko

Sant'Anastasio, Basilica di san Paolo fuori le mura Sant'Anastasio, Basilica di san Paolo fuori le mura

Më 19 dhjetor kalendari kujton Shën Anastasin I, Papë

Anastasi I pati shpirtin e mbrojtësit të madh e guximtar të Kishës kundër të gjithë armiqve të saj. Kështu kujtojmë se luftoi edhe kundër arianizmit dhe mbrojti me guxim të drejtat e Ilirikut për të mbetur i lidhur me Kishën perëndimore

R.SH. - Vatikan

Anastasi I u ul në katedrën e Shën Pjetrit më 27 nëntor 399. Libri i Papëve e paraqet me origjinë romake. Dimë se i ati quhej Maksim, se luftoi me energji donatizmin në provincat veriore të Afrikës e se ratifikoi vendimet e Koncilit Kishtar të Toledos mbajtur në vitin 400, gjatë të cilit disa ipeshkvij galicianë, që kishin dënuar Prishilianin, mbetën në detyrën e tyre, të mbrojtur nga Papa Anastasi.

Ky Papë pati shpirtin e mbrojtësit të madh e guximtar të Kishës kundër të gjithë armiqve të saj. Kështu kujtojmë se luftoi edhe kundër arianizmit dhe mbrojti me guxim të drejtat e Ilirikut për të mbetur i lidhur me Kishën perëndimore. Duhet, pra, t’ia dijmë për nder, në se feja katolike romake mbeti gjallë në ato vise, që shumë më vonë do të quheshin Shqipëri veriore.

Anastasi I njihet edhe për masat që mori kundër pranisë së manikejve në Romë si dhe për ndërtimin e Bazilikës romake Kreshenciana (aktualisht e Shën Sikstit). Bashkëpunoi ngushtësisht me Shenjtin ilir, Jeronimin si dhe me Shën Paolinin nga Nola. Pati letërkëmbim të dendur me të gjitha personalitetet e kohës, por nga letrat e tij fatkeqësisht shumë pak kanë arritur deri në ditët tona.

Vdiq pas një papnie të shkurtër, por shumë aktive, më 19 dhjetor të vitit 401. U varros në një varr monumental pranë bazilikës së Shën Kandidës. Shën Jeronimi, që pati një nderim të jashtëzakonshëm për Shën Anastasin, shkroi se ai vdiq tepër shpejt, sepse provania Hyjnore nuk deshi që një ipeshkëv kaq i madh, të ishte dëshmitar i rënies së Romës. Kujtojmë se Roma ra në duart e mbretit barbar, Alarikut, në vitin 410.

19 dhjetor 2023, 15:42