Mё 7 dhjetor kujtojmë imzot Rrok Mirditёn nё pёrvjetorin e vdekjes
R.SH. - Vatikan
Mё 7 dhjetor kujtojmё imzot Rrok Mirditёn, nё pёrvjetorin e vdekjes, shërbëtorin e Zotit e të popullit shqiptar në Kishën e Tiranë-Durrësit. Koha që ka kaluar nga vdekja e Imzot Rrok Mirditës, 7 dhjetor 2015, nuk e zbehë figurën dhe nuk e dobëson kujtesën mirënjohëse të Kishës së Tiranë Durrësit së cilës i shërbeu nga 25 prilli 1993 deri më 7 dhjetor 2016 me një përkushtim bujar, urtësi e dashuri. Imzot Rrok Mirdita jetoi e punoi për popullin e Zotit, Kishën, Atdheun, pёr mbarё shoqërinë shqiptare. Po e kujtojmë me dashuri ndaj Zotit dhe në Zotin në përvjetorin e vdekjes, që bie sot më 7 dhjetor.
E në këtë përvjetor të kalimit të tij në amshim, po e kujtiojmë këtë Bari të Kishës së Tiranë-Durrësit me fjalët e Papës Françesku, drejtuar kryeipeshkvit të ndjerë, imzot Rrokut, me rastin e 50-të vjetorit të meshtarisë së tij, kremtuar pak muaj para vdekjes, më 4 korrik 2015.
“Një jetë e shpenzuar në shërbim të Ungjillit, të Kishës e të Popullit”: kështu, Papa Bergoglio e paraqiti angazhimin e kryeipeshkvit imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv metropolit i Tiranës-Durrësit, me rastin e jubileut të hareshëm të 50-të vjetorit të meshtarisë së tij, kremtuar më 4 korrik 2015 në Kishën Katedrale të Shën Palit Apostull, në Tiranë.
Papa Françesku, në letrën e urimit drejtuar imzot Rrok Mirditës me atë rast, përshkoi etapat e jetës së prelatit shqiptar qysh nga periudha e misionit të tij si prift në kryedioqezën e Nju Jorkut e deri në Jubileun e 50-të vjetorit të meshtarisë, më 4 korrik 2015.
Papa Bergoglio kujtoi shërbimet, misionet dhe detyrat e rëndësishme që Imzot Rrok Mirdita bëri dhe pati gjatë 50-të vjetëve të meshtarisë së tij, duke shërbyer me entuziazëm, përkushtim të pakursyer e duke dëftuar cilësitë e gjenisë së shpirtit e të urtisë, në situata të ndryshme, jo pa vështirësi, por përherë plot besim në Provaninë e Hyjit.
Ati i Shenjtë Bergoglio përmendi edhe shumë nisma e vepra, siç është ndërtimi i Katedrales së Shën Palit në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, që është qendra e gjithë jetës shpirtërore të kryedioqezës.
Imzot Rrok Mirdita ishte e mbetet një protagonist dhe dëshmitar i një periudhe të veçantë për kombin e Kishën shqiptare, atë menjëherë pas rënies së regjimit të diktaturës komuniste, fillimit të rindërtimit të indit shoqëror, njerëzor, shpirtëror, kishtar e kombëtar nga viti 1993 deri më 2015.
Imzot Rrok Mirdita ishte atdhedashës, lajmëtar i fesë së krishterë, për çka jetoi e veproi me një vetëmohim, përherë në shërbim të Zotit e popullit, për Fe e Atdhe, për të mirën dhe përparimin e besimtarëve, të Kishës, të shoqërisë e të mbarë popullit shqiptar.
Imzot Mirdita njihet për misionin e tij ipeshkёvnor, në krye të Kishës dioqezane të Tiranë-Durrësit, që nga viti 1993 deri në ditën e kalimit në Amshim, më 7 dhjetor 2015, por ekziston edhe periudha po aq e frytshme, si meshtar, në mesin e diasporës shqiptare në Nju Jork të SHBA-së.
Imzot Rrok Mirdita kudo punoi në vreshtin e Zotit, në mesin e popullit të tij dashur shqiptar, me entuziazëm e përkushtim në një shërbim të pareshtur, si bari i mirë shpirtëror që ishte, për popull dhe me popull.
Duhet nënvizuar edhe vizionin e pasionin që kishte Imzot Rroku gjatë shërbimit të tij meshtarak për Kishën dhe popullin shqiptar. Ai e njihte mirë jo vetëm historinë, por edhe shpirtin e popullit shqiptar, ia dinte ëndrrat, dhimbjet, vuajtjet, synimet, dredhitë, të mirat e të këqijat, prandaj si bari e prijës shpirtëror, bëri gjithçka mundi për t’i prijë popullit në udhën e Zotit e të atyre vlerave që janë shpirtërore, kulturore, kombëtare e shoqërore, duke theksuar sfidat e propozuar udhën për t’i bërë ballë atyre, gjithmonë duke pas si qëllim e synim, të mirën e popullit dhe të Kishës.
Imzot Mirdita kujtohet si kryeipeshkëv i vendosur, i qëndrueshëm, i durueshëm, largpamës, i urtë, i përzemërt, i afërt dhe i matur. Ai vuri themelet e rilindjes së Kishës katolike dioqezane të Tiranë-Durrësit e jo vetëm, në një periudhë jashtëzakonisht të veçantë e të vështirës për shumë arsye e rrethana, duke orientuar popullin udhës së Zotit, shoqërinë e re demokratike shqiptare drejt atyre vlerave që janë të domosdoshme për një demokraci të mirëfilltë. Dinte çka thoshte, kujt ia thoshte, pse ia thoshte e ku donte të dilte me fjalën, mesazhin, udhëzimin e orientimin që jepte kujtdo.
Ja një biografi e shkurtër e Imzot Rrok Mirditës
Imzot Rrok Mirdita lindi në Kllezën të Ulqinit më 28 Shtator 1939. Studimet elementare dhe të mesme i kreu në vendlindje. Studimet e larta filozofike dhe teologjike i kreu në Zagreb ku u diplomua shkëlqyeshëm. Më 4 korrik 1965 shugurohet meshtar nga Shkëlqesia e Tij Aleksandër Tokic, Arqipeshkëv i Tivarit. Një vit më vonë emërohet Administrator i Kishës së Shën Pjetrit dhe Shën Palit në Salç ku shërben për më se tre vjet. Më 1970 emërohet famullitar i Kishës së Shën Gjon Pagëzuesit në Kllezën. Nga Arqipeshkvi i Tivarit dërgohet në New York për t’i shërbyer diasporës katolike shqiptare në Bronx në qendrën “Zoja e Këshillit të Mirë”. Në marrëveshje me Dioqezën e Tivarit, Eminenca e Tij Terence Kardinal Cooke, Arqipeshkëv i New York-ut, me dekret special të datës 19 qershor 1981, e pranon si meshtar me shërbim të përhershëm në këtë Arkidioqezë me detyrë pranë qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë”. Në vitin 1985 themelon radio programin fetar “Zëri i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës” për New York-un e rrethe, program të cilin e vazhdon për shtatë vjet deri në emërimin e tij si Arqipeshkëv i Durrës-Tiranës. Më 1 korrik 1986 Hirësija e Tij Kardinal O’Connor – Arqipeshkëv i New York-ut e emëron Administrator të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Këshillit të Mirë”. Më 28 shtator 1989 prej të njëjtit Arqipeshkëv emërohet famullitar i famullisë së re “Zoja e Shkodrës” themeluar prej vetë Imzot Rrok Mirditës. Më 25 prill 1993 kur Papa Gjon Pali II vizitoi Shqipërinë dhe shuguroi 4 ipeshkvij, mes të cilëve Imzot Rrok Mirditën, fillon misionin si Arqipeshkëv i Durrës-Tiranës. Më vonë në 1994 merr detyrën e Presidentit të Caritas-it Shqiptar dhe në 1996 zgjidhet Kryetar i Konferencës Ipeshkëvnore Shqiptare, kryesinë e së cilës e drejtoi për dy mandate. Më 7 dhjetor 2015, në vigjiljen e hapjes së Portës së Shenjtë të Mëshirës Hyjnore, Hyji Atë e thirri pranë vetes në Amshim.