Imzot Gjergj Meta: Anton Harapi: fitorja e Kαιρός mbi Kρόνος
R.SH. / Vatikan
Sekretari i Konferencës Ipeshkvore të Kishës Katolike të Shqipërisë e ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Gjergj Meta flet rreth vendimit të Kishës katolike të Shqipërisë për të nisur procesin që do të mund të çojë drejt lumnimit françeskanin martir Atë Anton Harapin, ofm. Ta dëgjojmë:
Në vijim një postim i imzot Gjergj Metës në rrjetët sociale
Imzot Gjergj Meta: Anton Harapi: fitorja e Kαιρός mbi Kρόνος
Më në fund, vendimi për të nisur procesin që do të çojë drejt lumnimit të Atë Anton Harapit njohu një hap të parë: dekretin nga ana e Arqipeshkëvit të Shkodër-Pult dhe njëherësh President i Ipeshkvijve të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra për mbledhjen e çdo informacioni rreth kandidatit për lumnim.
Pritej prej kohësh ky lajm nga shumëkush që habitej pse Atë Anton Harapi nuk ishte në listën e martirëve të shpallur nga Papa Françesku në nëntor të vitit 2016. Shumë nga ne që donim të mateshim me kohën, si kronos që na konsumon çdo ditë, ishim pak të durueshëm të prisnim kohën e volitshme (kairos). Kisha ka shpesh kohët e veta dhe ka vullnetin që gjërat të bëhen ashtu si duhet, pa u nxituar, por edhe pa i lënë gjërat në harresë totale. Kairos-i është përmbushja e kronos-it.
Vlera shpirtërore dhe teologjike që merr ky event është e rëndësishme. Së pari mësohemi të arsyetojmë jo në bazë të entuziazmit të çastit, por me sensin e gjërave në Shpirtin e Hyjit. Së dyti koha e kaluar ka nxjerrë në pah shumë elementë që asokohe nuk ishin të disponueshëm ose gjysëm të disponueshëm. Tani u takon dëshmive e dëshmitarëve, historianëve dhe studjuesve që të "zhyten" në memorien dhe kompetencat e tyre për të zbuluar këtë figurë të veçantë të popullit tonë dhe të komunitetit katolik në Shqipëri.
Për këtë bir të shën Françeskut e të Kishës në Shqipëri është thënë shumë e ka mjaft ende për t'u thënë. Nëpërmjet tij do të thuhet shumë për historinë e martirizimit të gjysmës së dytë të shekullit XX në Shqipëri, por edhe për rishikimin me sqimë e parime historiografike të asaj pjese të historisë së popullit tonë. Më mirë ndoshta që kjo ndodhi tani. Do të na jepet rasti të gjithëve të kuptojmë më mirë se çfarë është thënë e shkruar e çfarë ka ndodhur realisht në ato vite delikate të fundit të luftës së dytë botërore dhe fillimit të erës komuniste në Shqipëri. Ua kemi borxh edhe brezave të rinj.
Do të kemi plot raste të flasim, por ndërkohë tani fillohet nga puna. Po e mbyll me një fragment nga libri i Stefan Çapalikut "Mbyllur për pushime" ku frati minor thatik është njëri ndër personazhet e këtij romani. Pasi një oficer gjerman i bën ofertën të largohet bashkë me të për në Gjermani frati i shkruan: "Shkëlqesi! Të falem nderës për kujdesin e treguem. Asht ma shumë se atnor. Por unë nuk do ta braktis vendin tim, grigjën time, sido të vijë puna. Kam punue veç për Fe e Atdhe. Të gjithë mund ta dëshmojnë këtë, ndaj s'keni pse frigoheni për mue. Ju uroj fat. Me përulësi. Patër A. Ofm". Le t'ia lëmë autorit apo narratorit letrar përgjegjësinë (që nuk ka pse ta ketë) e vërtetësisë historike të kësaj pusulle telegrafike. Në perceptimin e popullit shqiptar Atë Anton Harapi e ka fituar tashmë lumnimin e tij.