Atë Patton: Krishtlindje e përkorë në Tokën Shenjte, nësa lufta vijon
R. SH. - Vatikan
Betlehemi do të kremtojë një Krishtlindje "të përkorë, duke i respektuar njerëzit që vuajnë nga lufta". Atë Françesk Patton, kujdestar i Tokës Shenjte, hyn në qytetin e Jezusit, në prag të së dielës së parë të Ardhjes, për të filluar kohën e pritjes së Krishtlindjes, në heshtje dhe duke u lutur për paqe, siç e shpjegon ai vetë, në një çast kur ndjehet "se është edhe më e rëndësishme të vish këtu, në Betlehem".
Hyrja në Betlehem
Sipas traditës, fretërit u nisën nga Jeruzalemi drejt Betlehemit, ku mundën të hyjnë falë lejes së autoriteteve izraelite. Gjatë rrugës, ndalesa ishte përballë manastirit ortodoks grek të Mar Elias, dhe më pas kaloi murin që ndan territoret izraelite dhe palestineze, duke u përshkuar nëpër postbllokun e Varrit të Rakelës, i hapur për këtë rast. Nga postblloku procesioni mbërriti drejt qendrës së Betlehemit, për të hyrë në qytet sot, në orën 10.45. Forcat e armatosura izraelite e shoqëruan procesionin drejt Varrit të Rakelës dhe Manastirit të Shën Elias e, prej andej, kolona kaloi në dorë të forcave të policisë palestineze. Më pas, Rojtari hyri në Betlehem duke kaluar ndërmjet dy krahëve të turmës, i mirëpritur në mënyrë të veçantë nga studentët e Kolegjit “Toka Shenjte”. Sonte do të kremtohet Mbrëmësorja e parë e Ardhjes, sërish nga Atë Patton dhe famullitari i tij, Atë Ibrahim Faltas. Sot në mëngjes ishte radha e Meshës, që hapi Kohën e përgatitjes për Krishtlindje.
Lutje për ata që vuajnë në mes të vdekjes e shkatërrimit
Në Betlehem, ku festohet lindja e Jezusit, "Princit të Paqes", Kujdestari i Tokës së Shenjtë iu lut Zotit t'i japë paqe këtij vendi dhe banorëve të tij e të ndihmojë për hapjen e shtigjeve të pajtimit sepse, siç e tha Papa, pa pajtim është e pamundur të ketë paqe”. U lut, në vijim, për t'i dhënë fund vdekjes dhe shkatërrimit, veçanërisht në Gaza, duke kujtuar, në vijim, afërsinë e të krishterëve të Tokës së Shenjtë me ata që vuajnë në Rrip. U lut edhe që shtegtarët e turistët të kthehen në Betlehem, në mënyrë që banorët "të kenë mundësinë të jetojnë përsëri me dinjitet".
Drama e atyre që nuk punojnë më
Pas 55 ditësh ndarjeje, mëngjesin e sotëm dy bashkësitë e krishtera të Jeruzalemit dhe të Betlehemit u takuan sërish, pikërisht me rastin e hyrjes solemne të Atë Pattonit. Një ngjarje tradicionale, e cila përsëritet çdo vit, por që këtë vit, në dritën e asaj që ndodhi duke nisur nga 7 tetori, merr një kuptim të veçantë. Muri që ndan Betlehemin nga Jeruzalemi dhe të gjitha pikat e kontrollit janë mbyllur, e kjo po krijon vuajtje të rënda dramatike dhe probleme serioze ekonomike për banorët e Betlehemit, shumë prej të cilëve janë punëtorë që udhëtojnë për ditë në Jeruzalem.