Betlehem, Krishtlindje në dhimbje. Pizzaballa: Jezusi rilind në këtë tokë!
R.SH. - Vatikan
Një Krishtlindje e jetuar me dhimbje në Betlehem, pa shtegtarë, pa drita, pa dekorime, pa pemën tradicionale të Krishtlindjes në Sheshin e Grazhdit, zëvendësuar nga një skenë e lindjes së Krishtit e bërë me rrënoja dhe personazhe gri, që të kujtojnë luftën, shkaktare e mijëra viktimave. Patriarku latin i Jeruzalemit, Kardinali Pierbattista Pizzaballa, kremtoi meshën tradicionale të Krishtlindjes në Kishën e Shën Katerinës, pranë Bazilikës të Lindjes së Krishtit. Shumë e vogël, Kapela e Shpellës, ku kujtohet lindja e Jezusit. Nuk ka vend për shumë besimtarë, rreth 1500, kryesisht të krishterë nga Palestina.
Nuk ka vend për palestinezët në tokën e tyre
Patriarku, në predikimin e tij, u nis pikërisht nga ky mendim: ashtu siç nuk kishte vend në Betlehem për Marinë dhe Jozefin, sot duket se nuk ka vend për Krishtlindje, për gëzim dhe për paqe, sepse dhimbja këtu i ka prekur të gjithë, si palestinezët ashtu edhe izraelitët. Nuk ka vend - vazhdon ai - për banorët e Gazës që kanë humbur shtëpitë e tyre, as për popullin palestinez, i cili ka pritur me dekada që bashkësia ndërkombëtare të gjejë zgjidhje për t'i dhënë fund pushtimit ndërsa të gjithë duken të mbyllur në dhimbjen, urrejtjen dhe inatin e tyre.
Kthehu te Zoti, për të rizbuluar gëzimin e vërtetë të Krishtlindjes!
Kardinali Pizzaballa pyeti më pas veten “ku mund të lindë Fëmija, kur në botën tonë duket se nuk ka vend për Të?”. Cili është "vendi i Krishtlindjes" sot? Engjëjt na thonë: "Zoti gjen gjithmonë një vend për Krishtlindjen e Tij", edhe "në këto rrethana dramatike, ne e besojmë: Zoti mund të bëjë vend edhe në zemrat më të vështira". Vendi i parë i Krishtlindjes, për patriarkun, është Zoti, i cili në vullnetin e tij të shenjtë vendosi shpëtimin e njeriut, ndaj, në rrethanat aktuale, "e gjithë Kisha duhet të kthehet te Zoti, te dashuria e Tij, nëse dëshiron të rizbulojë gëzimin e vërtetë të Krishtlindjes, nëse dëshiron të takojë Shëlbuesin". Sepse, "përpara dhe përtej çdo shpjegimi shoqëror dhe politik, dhuna dhe shtypja e të tjerëve e ka rrënjën në harrimin e Zotit, falsifikimin e fytyrës së Tij, përdorimin e marrëdhënieve fetare me Të në mënyrë të rreme, si ndodh shumë shpesh në këtë Tokën tonë të Shenjtë". Ai që nuk di ta quajë të afërmin e tij "vëlla", nuk mund ta quajë Zotin "Atë". Nëse nuk e gjejmë Zotin në jetën tonë - kujtoi Imzot Pizzaballa, "në mënyrë të pashmangshme do të humbasim rrugën për në Krishtlindje, do ta ndjejmë veten të vetmuar, do të bredhim pa qëllim gjatë natës, pre e dhunës së instinkteve tona.
Qoftë Kisha hapësirëpajtimi këtu dhe në botë
Më pas, patriarku kërkoi që Kisha e Tokës Shenjte dhe çdo Kishë të jetë një shtëpi për të gjithë, hapësirë pajtimi dhe faljeje për ata që kërkojnë gëzim dhe paqe!". E kishat në botë të jenë mbartëse, ndërmjet popujve dhe qeverive të tyre, të "dëshirës për të mirën e këtyre popujve, për t’i dhënë fund armiqësive".
Së fundi, Pizaballa u lut "që Krishti të rilindë në zemrat e sundimtarëve dhe udhëheqësve të kombeve", që ata të punojnë "seriozisht për të ndalur këtë luftë, por mbi të gjitha të rifillojnë një dialog që, më në fund, të çon në zgjidhje të drejta, dinjitoze, përfundimtare për popullin tonë”. E udhëtimi i Ungjillit të paqes për botën le të fillojë përsëri që këtu”.
Kardinali Krajewski shqetësohet për fatin e njerëzve të Gazës
Me Patriarkun Latin të Jeruzalemit ishte edhe kardinali lëmoshtar, Konrad Krajewski, i dërguar nga Papa për të shprehur afërsinë e tij me njerëzit e Tokës së Shenjtë në këtë kohë të vështirë. Ndërsa, presidenti palestinez Mahmud Abbas nuk ishte i pranishëm. Të pranishëm, rreth 1500 besimtarë, pothuajse të gjithë të krishterë palestinezë, për shkak të mungesës së shtegtarëve dhe turistëve.