Betlehemet: nga i pari, i Shën Françeskut të Asizit, tek ato të kohëve tona
R. SH. - Vatikan
Në atmosferën e Krishtlindjes, kujtojmë Betlehemet, që nga zanafilla, më 1223 në Grecio, kur Shën Françesku i Asizit realizoi Betlehemin e parë të gjallë – te Letra Apostolike “Admirabile signum” e Papës Françesku, që nënvizon se “i Vobegti i Asizist realizoi një vepër të madhe ungjllëzimi”.
...kur një heshtje e thellë shtrihej mbi gjithë rruzullimin e toka dukej sikur nuk merrte frymë. Në pritje të ngjarjes së madhe. Ndërsa në qiell engjëjt ngrinin sytë kah Sferat e nalta, ku, në qendër të rrethit të Kerubinëve e të Serafinëve, lartohej Froni i Zotit. E ja: po ndodhte çka pritej prej një kohe tepër të gjatë, e dëshirohej me zjarr zemrash prej zanafille.
Papritmas, rrethi u hap e banorët e qiellit panë Zotin... Para tij zgjatej një udhë e ndritshme, që zbriste poshtë, gjithnjë më poshtë.... po atje engjëjt nuk panë gjë tjetër, veç një shpelle të varfër, ku një grua e një burrë qenë ulur rreth një grazhdi, në shoqëri të një kau e të një gomari.
Burri dremiste, po gruaja i kishte sytë të lartuar nga qielli e, kur e pa udhën e ndritshme, që zbriste në kraharorin e saj, ngriti krahët e priti Foshnjën Hyjnore.
Atëhere, këngët e engjëjve mbushën përplot gjithësinë, e cila jetoi lajmin e mirë, më të mirin, që ish dëgjuar ndonjëherë: “Sot lindi për ne Shëlbuesi, Krishti Zot!”...
Rijetojmë Krishtlindjen e vitit 1223
Ngjarja u përsërit për herë të parë simbolikisht në Greçio, kur banorët vendas u mblodhën rreth një shpelle, ku Shën Françesku e sivëllezërit tij shkonin për t’u lutur. Papa syve të tyre paraqitet për herë të parë skena e Lindjes së Krishtit: varfanjaku i Asizit - shkruan Tommaso da Celano, biografi i parë i Shën Françeskut - deshi ta paraqesë Foshnjën e lindur në Betlehem e, në një farë mënyre, ta shikonte me sytë e tij mjerimin në të cilin erdhi në botën tonë, ku i munguan edhe gjërat më të domosdoshme për një të sapolindur.
Ja sesi ndodhi ngjarja e madhe
“Kur erdhi Nata e Shenjtë, te shpella që ishte përgatitur për kremtim, ia behën fshatarët dhe fretërit me pishtarë të ndezur ndër duar. Dukej sikur kishin zbritur gjithë yjet e qiellit në tokë. Brënda shpellës që vendour një grazhd i mbushur me kashtë të freskët e, pranë tij, një ka e një gomar". Françesku i Asizit, që nuk ishte meshtar, predikoi me frymëzim të zjarrtë para popullit mbledhur rreth shpellës. Megjithatë nuk mund të themi se kjo ishte një Shpellë e vërtetë Betlehemi, siç e shikojmë sot, domethënë një skenë e Lindjes së Jezusit me tri përmasa, zbukuruar me disa shtatore. Ishte thjeshtë një Meshë e kremtuar në mënyrë të jashtzakonshme në Shpellë, në vend që të kremtohej, si zakonisht, në Kishë. Në përkujtim të kësaj ngjarjeje, në Greçio është ngritur galeria e artit me Shpella Betlehemi, skalitur nga artistë me famë nga mbarë bota.
Gjithçka nisi mëse dymijë vjet më parë
Sipas Shën Lukës Ungjilltar, Jozefi e Maria, shtatzënë e vetëm pak ditë para lindjes, kishin shkuar në këtë qytezë, dhjetë kilometra në jug të Jeruzalemit, për regjistrimin e popullatës, sipas vendimit të Romës (historianët dhe arkeologët mendojnë se ishte fjala për një regjistrim të bërë me urdhërin e perandorit, rreth vitit 6 pas Krishtit). E, duke mos gjetur vend, përfunduan në një shpellë. Aty lindi Foshnja e ata s’patën vend tjetër ku ta vinin, veçse mbi grazhd. Sot mbi atë grazhd të thjeshtë, lartohet bazilika e Lindjes së Krishtit, në qendër të diskutimeve me ortodoksët, e rrethuar gjatë në Intifadën e dytë, e rrezikuar nga ndeshje të reja, në këto vise, ku s’ka paqe, por ku, megjithatë, vijojnë shtegtimet. Gjithë vitin. Por sidomos këto ditë të mëdha, kur përsëritet misteri i mishërimit të Zotit.
Bazilika e Shën Marisë së Madhe Shpellë Betlehemi
Këtu, që në gjysmën e viteve 600 pas Krishtit, arritën disa relike ardhur nga Palestina e, posaçërisht, nga Betlehemi. Aq shumë ishin, sa Papa Teodori I (vdekur në vitin 649), e quajti Bazilikën romake “Santa Maria ad praesepe”, siç lexojmë në Liber Pontificalis. Por do të ishte një papë françeskan, Nikolla IV (i cili papnoi ndërmjet viteve 1288 e 1292) ai që e vijoi traditën, aty nga fundi i dyqindës, pikërisht pas emocioneve të jashtëzakonshme që pati ngjallur Krishtlindja e Greços. Për të, Bazilika mund të bëhej “Betlehemi i dytë”. Për t’i vënë në pah reliket e lashta, ardhur nga vendlindja e Krishtit, i kërkoi Arnolfo di Cambios, skulptorit më të madh të epokës, të realizonte një Shpellë Betlehemi prej mermeri, për ta vendosur Natën e Krishtlindjes në navatën qëndrore.
Studimet e kohëve të fundit tregojnë si e mendoi Shpellën e Betlehemit dhe si i organizoi figurat skulptori i madh, autor i kësaj kryevepre të parë artistike kushtuar Shpellës së Betlehemit, frymëzuar nga devocioni françeskan, krijuar pikërisht në hapësirat e Bazilikës së madhe romake. Kjo vepër e jashtëzakonshme u realizua në vitin e largët 1291. Kishin kaluar 60 vjet nga Shpella e gjallë e Betlehemit në Greço, Itali. Betlehemi qe bërë i paarritshëm. Nëntë vjet më pas, e pikërisht në vitin 1300, Bonifaci VIII shpallte jubileun e parë të krishterimit.
E Shpella Betlehemit tërhoqi vëmendjen e mijëra shtegtarëve. Ta sodisim edhe ne, së bashku: në qendër të grazhdit shikojmë Marinë me Jezusin Foshnje në krahë. Pranë saj, Shën Jozefin, të lodhur, mbështetur mbi shkopin e shtegtarit. Pastaj, Tre Mbretërit. E edhe dy të tjerët, që presin radhën me dhurata në duar. E, në një skaj, në të njëjtin bllok guri, gomari e kau. Sot kjo Shpellë e jashtzakonshme Betlehemi, me shtatore të mëdha, sepse ende nuk kishte nisur skalitja e të voglave, ndodhet në katin e nëndheshëm të Shën Marisë së Madhe në Romë e mund të vizitohet duke kaluar nëpër sakresti.
Ç’u bë djepi i Krishtit Fëmijë?
Ndokush mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje pa u menduar aspak: “Duhet të jetë në Betlehem”. Duhet. Por nuk është më atje. Djepi që, sipas gojëdhënës duhet të jetë i Krishtit Fëmijë, sot gjindet në Romë. Mund të soditet në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe.
Por, ta rikujtojmë historinë e këtij djepi kaq të jashtëzakonshëm, ndërmjet mijëra djepave të zakonshëm, që u tundën nëpër botë, 2000 vjet më parë, kur lindi Krishti. Djepa ari për mbretër; argjëndi për princër; druri të thjeshtë, për fëmijët e shtëpive të varfëra; grazhde, për fëmijët e fshatarëve; tokë lakuriqe, për fëmijët e lypësve...Djepa, që u ka humbur nami e nishani...
Po gojëdhëna na tregon se djepi i Krishtit nuk humbi. U kthye në relike, sepse djep me vlerë të jashtëzakonshme. Djep Zoti. Që na kujton çastin kur Virgjëra Mari e nxori në dritë, e “mbështolli me shpërgaj dhe e vuri butë-butë mbi grazhd” (Lk 2,7). Nënat palestineze e kishin zakon t’i tundnin fëmijët e tyre (natyrisht të mbështjellë në fasha), në djepe prej balte të pjekur. E ky djep mbështetej mbi një lloj këmbaleci, ose vendosej drejtpërdrejt mbi tokë, a në ndonjë vend tjetër të shtëpisë.
Për një djep të tillë flet Origjeni, kur shkruan (248): “Në Betlehem ndodhet ende shpella në të cilën lindi Krishti, e edhe djepi, mbi të cilin u tund, i mbështjellë me shpërgaj”. Shën Jeronimi ilir, që ndodhej në Betlehem rreth vitit 386, pati shpjeguar, në një homeli, se djepi kishte qenë prej balte, por se më pas qe zëvendësuar me një tjetër, prej argjëndi. Kjo nuk e kënaqte aspak Shenjtin, që donte shumë më tepër atë, të parin, prej balte, ku ishte mbështetur për herë të parë trupi i njomë i Zotit.
Në Betlehem, duke nisur nga shekulli V, djepi, i veshur me ar e argjend ndriçohej nga një mori llambash. Shtegtarët merrnin një grusht dhé nga vendi ku qe vendosur djepi e, po të mundnin, edhe copëza druri. Disa mendojnë se reliket e djepit u mbartën në Romë nga Shën Sofroni i Jeruzalemit dhe iu dorëzuan Papës Teodori I (642-649), me origjinë lindore, pas një mori vështirësish, të shkaktuara nga pushtimet myslimane.
Ishte pikërisht epoka e Teodorit ajo, kur Bazilika u quajt “Sancta Maria ad Praesepem”. Papa Siksti V e vuri djepin poshtë elterit të kapelës sikstine, ndërtuar për këtë qëllim. Në vitin 1606, mbretëresha e Spanjës, Margerita e Austrisë, dhuroi një relikuar argjendi, që u zhduk në trazirat e vitit 1797. Atëherë u porosit një relikuar i ri, në formë urne vezake, prej kristali e argjendi, pjesërisht i praruar. I punuar nga artisti Giuseppe Valadier, relikuari ishte dhuratë e dukeshës spanjolle Manuela de Villahermossa.
Në urnën e sotme sodisim, në basoreliev, Shpellën e Betlehemit, Tre Mbretërit Dijetarë, ikjen në Egjipt dhe Darkën e Mbrame. E, në qendër të saj, i derdhur në ar, Krishti Fëmijë, që na bekon. Duken edhe dy kerubinë, secili me një vazo kristali, ku ruhen relike të tjera, që mendohet se përmbajnë një copëz nga veli i Marisë e, sidomos, një grusht me kashtën e grazhdit, ku u përkund së pari Krishti Fëmijë.
Papa: Shpella e Betlehemit, akt i ungjillëzimit, për t’u zbuluar e për t’u rigjallëruar
“Shenja e mahnitshme e Shpellës së Betlehemit, aq e dashur për popullin e krishterë, ngjall gjithnjë shtangie e mahnitje”: nis kështu Letra apostolike “Admirabile signum”, kushtuar domethënies dhe vlerës të Shpellës së Betlhemit, të cilën Papa Françesku e nënshkroi më 10. 12. 2019, në Greçio të Italisë.
“Të paraqesësh ngjarjen e madhe të Lindjes së Jezusit - lexohet në letrën apostolike “Admirabile signum” - është njëlloj si të kumtosh misterin e Mishërimit të Birit të Zotit me thjeshtësi e gëzim”. “Ndërsa kundrojmë skenën e Krishtlindjes - vijon Papa - jemi të ftuar të vihemi shpirtërisht për udhë, të tërhequr nga përvujtëria e Atij, që u bë njeri, për të takuar çdo njeri. E, zbulojmë se Ai na do deri në atë pikë, sa të bashkohet me ne, që kështu edhe ne të mund të bëhemi një me Të. Me këtë Letër, dëshiroj të mbështes traditën e bukur të familjeve tona, të cilat në ditët para të Krishtlindjes përgatisin Shpellën e Betlehemit. Ashtu si edhe zakonin për ta vendosur në vendet e punës, në shkolla, në spitale, në burgje, në sheshe… Eshtë vërtet ushtrim i fantazisë krijuese, që përdor materiale nga më të ndryshmet, për të krijuar kryevepra të vogla bukurie. Mësohemi që fëmijë: kur babai e nëna, së bashku me gjyshërit, e transmetojnë këtë zakon gazmor, që përfshin në vetvete gjithë përshpirtërinë popullore. Uroj që kjo praktikë të mos mungojë kurrë!”.